Në fokus

September 5, 2017 | 8:00

20 vitet e ikjes nga kjo botë e shenjtores Nënë Tereza

Nga Orjona Tresa

“Nëse jeni të dekurajuar, kjo është një shenjë e krenarisë, sepse tregon se keni besim në fuqitë tuaja”. Si kjo dhe plot thënie të çmuara do të përmenden gjatë në ekzistencën njerëzore. Janë fjalët e një njeriu të madh që bota pati fatin ta ketë mes saj dhe që shqiptarët në veçanti të bëheshin krenarë për gjakun që ajo mbante në venat e saj.

nene-tereza

Ndonëse jetën e saj e dha më së shumti për një vend siç ishte Kalkuta e Indisë, ajo nuk do ta mohonte kurrsesi origjinën e saj, por mbi të gjitha misionin për të cilin kishte ardhur në këtë jetë dhe që e ndjente si devocion për të mos e kursyer kurrë. Humanistja Nënë Terezë, pas vdekjes, në vitin 2003, u bekua nga Vatikani si Shenjtore, ndërsa data 5 shtator u shpall si Dita Ndërkombëtare e Bamirësisë.

Nënë Tereza, emri i plotë i së cilës është Anjezë Gonxhe Bojaxhiu, ka lindur më 26 gusht të vitit 1910, në Shkup. Ajo ishte humaniste e njohur shqiptare. Në vitin 1979, kur mori çmimin Nobel për Paqen, e gjithë bota mësoi se Nënë Tereza ishte shqiptare. Ndërsa më 19 tetor të vitit 2003 u shpall e bekuar nga Vatikani. Haste vështirësi për të folur rrjedhshëm shqip pas një largimi prej 70 vjetësh dhe qëndrimi në ambiente joshqiptare, por ajo kurrë nuk e ka mohuar origjinën e saj shqiptare. Në çastin e marrjes së Çmimit Nobel më 1979, një nga klerikët që merrte pjesë në sallë e pyeti Nënë Terezën se nga ishte. Ajo deklaroi: “Kam lindur në Shkup, jam shkolluar në Londër, jetoj në Kalkutë dhe punoj për të gjithë njerëzit e varfër në Botë. Atdheu im është një vend i vogël me emrin Shqipëri”.

11-nene-teresaNënë Tereza ishte nënë kujdestare e 7,500 fëmijëve në 60 shkolla, ishte nënë që mjekonte 960,000 të sëmurë në 213 dispanseri, ishte e vetmja në botë qe trajtonte 47,000 viktima të lebrozës në 54 klinika, kujdesej për 3,400 pleq të braktisur e të lënë rrugëve, në 20 shtëpi pleqsh, kishte birësuar 160 fëmijë ilegjitim e bonjakë. Këto janë shifrat e mesit të viteve ’80, dhe derisa Nënë Tereza ishte gjallë dhe sot e kësaj dite shifrat kanë ndryshuar shumë.

Gonxhja mësimet e para i mori në një shkollë shqipe në Shkup, ku po ashtu e kreu dhe gjimnazin, por në gjuhën serbo-kroate. Pasionet e rinisë së saj ishin tre: të bëhej mësuese, të shkruante dhe recitonte poezi dhe të kompozonte e të luante muzikë. Emrin “Tereza” e mori kur ishte 18 vjeçe dhe u dorëzua murgeshë.

Ajo ndërroi jetë më 5 shtator të vitit 1997 në Kalkuta të Indisë, dhe janë shkruar e shkruhen edhe sot e kësaj dite me qindra vepra për të Lumën Nena Terezë. 2 vjet më parë në nder të figurës së saj u promovua himni i krijuar nga vargjet e poezisë që ajo shkroi. Nobelistja këto rreshta i kishte shkruar gjatë rrugës që kishte bërë prej Irlandës në Kalkutë, në vitin 1928. Vargjet e poezisë së saj u interpretuan nga këngëtarja shqiptare Inva Mula.

Kombet e Bashkuara e kanë shpallur 5 shtatorin si Ditën Ndërkombëtare të Bamirësisë, duke e kujtuar datën e vdekjes së nobelistes shqiptare Nënë Tereza.

tereza

Poezi nga Nënë Tereza

Duaje jetën!

Duaje jetën ashtu siç është

duaje plotësisht, pa pretendime;

duaje kur të duan apo kur të urrejnë,

duaje kur askush nuk të kupton,

apo kur të kuptojnë të gjithë.

 

Duaje kur të gjithë të braktisin,

apo kur në qiell të ngrenë si mbret.

Duaje kur të vjedhin gjithçka,

apo kur të dhurojnë.

Duaje kur ka kuptim

apo kur ngjan se nuk ka një fije.

 

Duaje në lumturi të plotë

apo në vetminë absolute.

Duaje kur je i fortë,

apo kur ndjehesh i pafuqishëm.

Duaje kur ke frikë,

apo kur ke një mal guximi.

Duaje jo vetëm për kënaqësitë e mëdha

e sukseset e mrekullueshme;

duaje edhe për gëzimet e vogla.

 

Duaje edhe pse nuk të jep çka mundet,

duaje edhe pse nuk është siç do ta dëshiroje.

Duaje sa herë që lindesh

e sa herë që je duke vdekur.

Por mos duaj kurrë pa dashuri.

 

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top