Pika referimi

February 28, 2020 | 10:13

Ambra Hysa: Aventura më e madhe që mund të realizosh, është të jetosh jetën e ëndrrave të tua

Oprah Winfrey është një nga historitë e suksesit më të pabesueshme që bota njeh.

Një grua e cila ka prekur dhe frymëzuar jetën e miliona njerëzve me historinë e saj të suksesit, ka thënë një shprehje të cilën dua ta citoj, në mënyrë që të gjithë ta lexojnë, ta ndjejnë, dhe ta kthejnë në një motivim për jetën e tyre.

“Aventura më e madhe që mund të marrësh përsipër të realizosh, është të jetosh jetën e ëndrrave të tua”.

Ambra Hysa, diplomuar për “Financë”, e apasionuar pas letërsisë, psikologjisë, duke sjellë herë pas here reflektime të sajat.

Ambra Hysa, diplomuar për “Financë”, e apasionuar pas letërsisë, psikologjisë, duke sjellë herë pas here reflektime të sajat.

Sa drithëruese është kjo? Aq sa e guximshme dhe pasionante. Të jetosh jetën që ëndërron! Frymëzuese deri në fund të shpirtit.

Të guxosh, të kthesh në realitet ëndrrat e tua më të mëdha, më të çmendurat, më të pabesueshmet, dhe ti jetosh ato çdo ditë.

Për të arritur këtë, duhet të ëndërrosh fort, duhet motivimi, por duhet edhe shumë disiplinë. Pothuajse në të gjitha shkrimet e mia, vë theksin tek disiplina, si ilaçi, dhe kura më e mirë për të shëruar dembelizmin, pasivitetin dhe depresionin.

Nuk ka asnjë ilaç në farmaci i cili mund të zëvendësojë, përmirësimin dhe progresin që jep tek njeriu, disiplina ndaj vetes së tij. Në luftën e jetës, ti kundra vetes tënde, disiplina është arma jote kryesore.

Më vjen keq që në sistemin tonë arsimor, nuk ka leksione psikologjie, nuk ka edukim mbi këto themele kaq të rëndësishme për formimin e nxënësit. Na mësojnë matematikë, por asnjëherë, si të kontrollosh emocionet e tua, cili është çelësi i suksesit në jetë, dhe si, mund të zbulosh pasionin tënd.

Nuk ka programe orientimi, dhe shumë shpesh studentet marrin një drejtim të gabuar, studiojnë një degë të cilën nuk e duan, nuk e kanë pasion, dhe këtu vështirësia rritet.

1

Ku nuk ka dashuri për punën, nuk ka asnjëherë rezultat. Ne duhet ta duam atë që bëjmë, sepse është kjo energji që na tërheq.

Motivimi mund të përditësohet gjithmonë, është i fortë në fillim, entuziazmi është i madh në fillim, por gjatë rrugës, fillon të zbehet, gjatë rrugës dalin shumë vështirësi, gjatë rrugës fillon dhe bëhet e pamundur… Sekreti? Gëzohu me dështimet, mos u dorëzo, je një hap më afër suksesit.

Kam mësuar të mos kem turp nga dështimet e mia, përkundrazi i shijoj ato. Sepse jam e vetëdijshme, që nuk ka rrugë drejt suksesit, pa dështime.

Ekzistojnë gjithashtu shumë njerëz demotivues rreth nesh, kritikët më të mëdhenj shpesh herë i kemi rreth vetes. Do të dëgjojmë shumë shpesh të na drejtohen me shprehje si “Ti nuk ia del dot, unë të njoh ty”, “Ti, nuk mundesh, është shumë e vështirë, as të tjerët nuk ia kanë dalë” , “Kjo nuk bën për ty”, “Ulu me këmbë në tokë” ose “Kjo është e pamundur”…

Ku duhet gjetur forca dhe besimi për të ecur përpara në këto raste? Tek vetja. Askush tjetër nuk të ndihmon dot. Të gjitha fjalët e drejtuara më sipër, janë limitet e dikujt tjetër jo tonat, janë mendimet e kufizuara të dikujt tjetër, jo tonat.

Nëse ti ke forcën ta ëndërrosh, ke forcën ta realizosh, pjesa tjetër është vullnet, pasion dhe disiplinë. Është e mundur!  Imagjinata është një instrument i fuqishëm, duhet përdorur me zgjuarsi.

Është pasionante dhe e guximshme te jetosh jetën e ëndrrave të tua, por shpesh lind pyetja, a lind njeriu pasionant apo bëhet i tillë? Njeriu nuk lind pasionant, nuk lind lider, nuk lind guximtar apo fitimtar. Ai ndërtohet i tillë. Në shembullin më të mirë vetëndërtohet, në shembullin më të keq njeriu bëhet produkt i rastësive, i rrethanave të jetës së tij.

2Ka shumë të bëjë mjedisi dhe modeli ndaj të cilit jemi të ekspozuar. Nëse jemi të rrethuar me art, do të dashurojmë artin me shumë mundësi, dhe do të duam të bëhemi artistë. Nëse jemi të rrethuar me milionerë, do njohim atë stil jetese, do njohim atë shije jete, dhe do punojmë fort për tu bërë një prej tyre.

Njerëzit nuk e kanë të qartë se çfarë duan te bëhen, deri në momentin që janë të ekspozuar ndaj një modeli të caktuar.

Unë nuk mund të dua të bëhem diçka të cilën nuk e njoh, ashtu siç nuk mund të ëndërroj të konsumoj një ushqim, të cilit nuk ia njoh shijen. Njeriu nuk lind me pasionin, pasioni vjen si rezultat i njeriut. Këtu mjedisi ka një rol kyç, shumë të rëndësishëm.

Imagjinoni sikur Bill Gates të kishte lindur në një shekull tjetër. Imagjinoni sikur të kishte lindur shekuj më parë, dhe të mos kishte asnjë lidhje apo afërsi me diçka joekzistente në ato kohë, siç është teknologjia. Imagjinoni po të njëjtën gjë për Mark Zuckenberg apo të tjerë emra suksesi, të cilët janë produkt final i rrethanave dhe i mjedisit me të cilin e kanë ushqyer veten. Kjo nuk e mohon aspak meritën absolute që zotërojnë, por dua të theksoj faktin, sa rëndësi ka për njeriun ambienti nga ku furnizohet me energji dhe si e shpenzon kohën e tij.

Njeriu bëhet ambienti në të cilin qëndron, librat që lexon, dhe njerëzit me të cilët shoqërohet. Njeriu bëhet, dhe është, rrethanat e tij, të cilat ose i kthen në pengesa ose ne avantazhe për të arritur më larg. Njeriu, bëhet modeli ndaj të cilit është i ekspozuar. Njeriu bëhet mënyra se si e shpenzon kohën, bëhet mendimet e tij.

Më thuaj se si i shpenzon orët e ditës tënde, më thuaj çfarë mendon shumicën e kohës, dhe unë do të them KUSH JE TI.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top