Pika referimi

August 6, 2020 | 11:58

Ambra Hysa: Botë e çmendur, i shkëmbejmë ditët tona për sendet

Që kur vijmë në këtë botë, pyetja “Pse” na mundon, megjithatë Pse-ja e pafundme brenda nënvetëdijes tonë struket në një qoshe me kalimin e viteve dhe ne nuk jemi më aq kuriozë sa ishim fëmijë, duke harruar kështu se kurioziteti është proces i të menduarit thellë, tipar i vazhdueshëm zhvillimi.

Autorja, Ambra Hysa lindi në Prill të vitit 1995 në Shkodër. Ka studiuar Financë por pasioni i saj mbetet arti, psikologjia, letersia. Aktualisht punon si gazetare dhe ndan me ne vazhdimisht artikuj dhe refleksione të fushave të ndryshme.

Autorja, Ambra Hysa lindi në Prill të vitit 1995 në Shkodër.
Ka studiuar Financë por pasioni i saj mbetet arti, psikologjia, letersia.
Aktualisht punon si gazetare dhe ndan me ne vazhdimisht artikuj dhe refleksione të fushave të ndryshme.

Mekanizmi i jetës na rrëmben, vrapojmë pas faturave, fëmijëve, miqve, darkave, fundjavave, pushimeve, të gjitha standardeve që njeriu i ka ndërtuar vetes, dhe pa e kuptuar, jeton maratonën e pandalshme, gjithmonë i varfër, gjithmonë i etur, gjithmonë në përndjekje të parave, duke fituar gjithnjë dhe më shumë, por duke mos pasur kurrë mjaftueshëm.

Ku qëndron problemi? Arsimohemi, por nuk edukohemi… mbi të gjitha financiarisht.

Në shkolla, mungon një edukatë bazë financiare, thelbësore për rrugëtimin e mëvonshëm. Nëse pyesim në bankat e shkollës se përse nuk na mësojnë për paranë, do të marrim përgjigjen absurde se paratë nuk kane rëndësi, ose që duhet të marrim nota të shkëlqyera dhe paratë do të vijnë si pasojë. Ne mësojmë se si të punojmë për para, por asnjëherë sesi paraja të punojë për ne.

Kështu, jemi shndërruar në skllevër të fuqisë që ajo zotëron, duke i kushtuar jetën, duke i këmbyer ditët tona për sendet, pa pasur një rrugë tjetër. Jemi dorëzuar, kemi hequr dorë nga pikëpyetjet e thella dhe jetojmë komfortin kaq të rrezikshëm. Nuk ka asgjë më të rrezikshme sesa komforti, nuk ka asgjë më të dëmshme për produktivitetin e njeriut.

Njeriu nuk jeton për të arritur perfeksionin, por progresin.

Përpjekja e vazhdueshme për t’u përmirësuar është mision, është arsyeja pse ekzistojmë, por ne ka kohë që kemi ndalur së menduari.

NJERI, ti je krijesa me e sofistikuar në botë, arsyeja e ekzistencës tënde është në ADN-n tënde, është ëndrra jote, por ti duhet të ndalosh, të reflektosh dhe të kërkosh.

Reflektimi, ose siç njihet në psikologji, “efekti pasqyrë”, simbolizon fuqinë e njohjes së vetvetes. Shumica e njerëzve e lejojnë veten t’i nënshtrohen fuqisë së parasë thjesht duke u zgjuar, duke shkuar në punë, duke punuar fort. Duke mos arritur te pyesin veten nëse e gjithë kjo ka një kuptim, ata e dënojnë veten kështu çdo mëngjes. Pa e kuptuar se si duhet paranë, nënshtrohen nga fuqia e saj e madhe e cila në këtë rast po përdoret kundër tyre. Nëse do të kishim përdorur të gjithë fuqinë e pasqyrës do të ndaleshim dhe do të pyesnim veten… A ka kuptim e gjitha kjo?

Ndodh shpesh, që njerëzit, në vend që të besojnë mençurinë e tyre të brendshme, gjeniun brenda tyre, i bashkëngjiten turmës. Bëjnë gjëra vetëm sepse të tjerët i bëjnë. Ata përshtaten, në vend që të jenë autentikë. Vetëm kur ne si qenie njerëzore do ta shikojmë veten në pasqyrë, do të mund të njohim të vërtetën.

Arsyeja pse shpesh të afërmit tanë, njerëzit qe na duan të mirën, na këshillojnë “mos rreziko, vepro në mënyrë të sigurt”, “ti nuk mund ta bësh dot” është frika. Ne jetojmë në zona komforti pa e kuptuar sesa të rrezikshme janë në të vërtetë ato, bashkohemi me turmën dhe përpiqemi të ruajmë të njëjtat standarde me të tjerët. Por kemi kaq shumë nevojë të qëndrojmë besnikë ndaj zërit tonë të brendshëm në vend që të kemi frikë.

Gjithçka që dëshirojmë të arrijmë është përtej frikës dhe të gjitha ëndrrat tona janë atje… në anën tjetër të rrugës, përtej mureve të larta të mendjes tonë.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top