Pika referimi

April 9, 2020 | 8:05

Ambra Hysa: Izolimi, si një mënyrë për të ndërtuar veten tonë

 

Të gjitha janë të përkohshme, stinët, koha, problemet, trishtimet, lumturia, shpeshherë edhe dashuritë… vetëm ti je i përhershëm, qenia brenda teje.

Ambra Hysa, diplomuar për “Financë”, e apasionuar pas letërsisë, psikologjisë, duke sjellë herë pas here reflektime të sajat.

Ambra Hysa, diplomuar për “Financë”, e apasionuar pas letërsisë, psikologjisë, duke sjellë herë pas here reflektime të sajat.

Thonë “Nuk ka lumturi, ka vetëm copëza lumturie…” dhe ne jemi në ndjekje të vazhdueshme të tyre, gjatë gjithë jetës. Nëse e kthen kokën pas, lumturia është një fraksion sekonde, një vegim, një çast, por shija e saj ngjan me përjetësinë.

Do të mbarojë edhe kjo luftë karantine, do t’i kthehemi jetës tonë të mëparshme qe tani duket si një realitet i largët, jetës së vrullshme, asaj normales… do të rikthehemi sërish “në pritje për të qenë gati” …gati të jemi të lumtur.

Ekziston një mendësi e tillë brenda nesh, që duhet të jemi gati për të filluar, duhet të jemi gati për të qenë të lumtur, duhet të jemi gati për të dashuruar. Por kjo teori është e zbrazët, po aq sa vetë pritja.

Nëse po pret që të fillosh, asnjëherë nuk do të jesh gati. Nëse po ndjek lumturinë, asnjëherë nuk do të mund ta arrish atë, tashmë e ka fituar garën.

Nuk ka një rregull të caktuar që duhet ndjekur për të qenë i lumtur. Lumturia në vetvete është një gjendje, është këndvështrim, krijim, mendësi.

1

Lumturia ndërtohet pikërisht “pas hekurave”, pas karantinës, izolimit, pas sfidave, përpjekjeve, dështimeve, rrugëtimit… nuk mund të presësh hapin final drejt suksesit për t’u takuar me lumturinë, për të “merituar” më në fund të jesh i lumtur.

Lumturia nuk serviret si një kupë apo medalje e artë.

Lumturia nuk “meritohet”, ajo thjesht vjen dhe krijohet.

Nuk do ta takosh vetëm në ditët e bukura, do ta ndjesh më së shumti dëshirën për ta krijuar në ditët e vështira dhe ato më pak të bukurat. 

Karantina nuk është dhimbje, është mundësi, mundësi për të ndërtuar veten. Mundësi e dhënë për t’u ndalur dhe për të reflektuar. Shërbeji vetes me durim dhe qetësi. Është koha që edhe njeriu bashkë me natyrën të rigjenerohet, të ridimensionohet. 

Mendimet bëhen transparente në izolim, ato janë lehtësisht të lexueshme. Investo në krijimin tënd! Është koha jote, merre!

Mos qëndro pesimist dhe i ngrysur! Buzëqesh!

Duket mjaft e thjeshtë, por është e vërtetë. Studimet thonë se nëse buzëqesh do të jesh më i shëndetshëm, dhe do të rriten pritshmëritë ndaj jetës. Ji gjithashtu mirënjohës!

“Ne priremi të mendojmë se lumturia na bën mirënjohës, por në fakt është e kundërta” thotë murgu benedikt, David Steindl-Rast.

Mirënjohja është një zgjedhje, thotë ai. Si të mbajmë mend që të jemi mirënjohës? Duke i kujtuar vetes dhuratat e jetës. Është koha më e mirë për të trajnuar mendjen.

Medito! Kjo do kohë dhe energji, por të dyja i kemi me shumicë këto ditë.

Skanimet e trurit tregojnë se murgjit të cilët praktikojnë meditimin kanë një aktivitet më të lartë lumturie në trurin e tyre, krahasuar me njerëzit e tjerë.

Në kohë karantine janë prodhuar vepra që kanë lënë gjurmë në histori, shumë kohë më parë kur nuk ekzistonin këto lehtësi që njeriu ka sot.

A nuk është kjo nxitëse?

Ti mund t’ia dalësh, t’i japësh dritë idesë tënde.

Beso, dhe asnjëherë mos harro… “Errësira më e madhe është pak përpara agimit”.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top