Pika referimi

June 4, 2020 | 8:04

Ambra Hysa: Ka një shkëndijë kreativiteti që askush tjetër përveç teje nuk mund ta realizojë

Ka një shkëndijë kreativiteti, është shkëlqimi i një ideje, skica e një dizajni brenda mendjes tënde, që ti duhet ta realizosh, nuk mund ta bëjë askush tjetër përveç teje.

Ambra Hysa, diplomuar për “Financë”, e apasionuar pas letërsisë, psikologjisë, duke sjellë herë pas here reflektime të sajat.

Ambra Hysa, diplomuar për “Financë”, e apasionuar pas letërsisë, psikologjisë, duke sjellë herë pas here reflektime të sajat.

Çdo ditë, tik-taku i orës të thërret, çdo vit kalendari lëviz, por ajo që ty të diferencon dhe të identifikon nga të tjerët, ajo që ty të bën unik, “dhurata” me të cilën ke lindur, nuk mund “të shtyhet” përgjithmonë, nuk mund të presë edhe shumë gjatë. Frika nga dështimi mund ta venisë, shkatërrojë, prandaj duhet të hedhësh hapin e parë….nuk ka më kohë, nuk ka më justifikime, koha është tani!

Mund të shprehësh një dëshirë ose mund të bësh që ajo të realizohet, është çështje zgjedhje, jo fati, por ti fillimisht duhet të besosh që MUNDESH.

Nisu nga “dhomat” e dështimit, kalo përmes tyre me qetësi, vetëm kështu do të çlirohesh nga ato, do të çlirohesh nga influencat negative, e shkuara dhe presioni psikologjik i njerëzve të tu më të afërt, ata që të njohin më mirë.

Jemi një shoqëri penguese, zakonisht nuk motivojmë, nuk përkrahim, nuk jemi entuziastë. Vizionin e kemi ende të cunguar për të dhënë kurajon që mungon. Dhe bëjmë të kundërtën, dekurajojmë… si një “e mirë” dhuruar falas, për “të parandaluar” të keqen.

Energjia që qarkullon dhe ajo që akumulohet, nuk është gjithmonë e mirë, por na duhet të shohim përtej asaj, përtej fjalës “Ti nuk mundesh”, “Nuk bën për ty”, “Nuk ia vlen”, përtej paragjykimeve dhe zhgënjimeve që hidhen në rrugën tënde si guralecë pengues.

Ky rrugëtim të përket vetëm ty dhe kjo është mjegulla e mëngjesit, pas saj moti do të jetë më i kthjellët.

Kur nuk sheh një dritë në fund të tunelit, duhet të mendosh, drita është brenda teje, ka një flakë që digjet, një ëndërr që përvëlohet dhe ti duhet ta realizosh. Nuk ka asnjë lojtar tjetër, ti je i vetmi opsion, vetëm ti mund ta bësh për veten tënde, por duhet ta besosh.

Çdo hap i vogël fillon nga besimi, nëse ti nuk beson, nëse ti nuk e ushqen kurajon, asnjëherë nuk do të mbërrish në destinacion. Duhet të rilidhesh me mundësitë, të fokusohesh tek zgjidhja jo problemi, duhet të tërheqësh energjinë e mirë të kësaj bote. Ka kaq shumë energji të keqe vërdallë, ka dhe brenda teje, por ti nuk duhet ta ngarkosh veten me të.

Largohu nga energjia e keqe, ajo mund të vijë nga kontakti me njerëzit e gabuar, informacion i keq, mënyrë jetese e pashëndetshme, zakone të këqija etj. Energjia është stil jetese, është stili yt, si veshja që ti mund të zgjedhësh më të mirën, ajo që ty të rri më mirë, të bën të ndjehesh më mirë dhe tërheq afër teje njerëzit dhe mundësitë e duhura.

Nëse ti i dërgon sinjalet, beson dhe punon fort me veten, universi do të udhëzojë. Nuk ka një njeri në këtë botë që mund të të ndalojë.

Është e mundur dhe mund ta bësh të mundur.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top