Editorial

March 27, 2020 | 8:10

Ambra Hysa: Kishim harruar esencialen, kuptimin e jetës

 

Sa shumë ëndrra për udhëtime, për të shijuar të ardhmen, për të punuar gjithnjë edhe më fort. Gradaçelat e komfortit tonë për pak do të gërvishtnin qiellin. Kishim harruar esencialen, kuptimin e jetës… të mblidhemi në shtëpi dhe të duhemi me familjen.

Ambra Hysa, diplomuar për “Financë”, e apasionuar pas letërsisë, psikologjisë, duke sjellë herë pas here reflektime të sajat.

Ambra Hysa, diplomuar për “Financë”, e apasionuar pas letërsisë, psikologjisë, duke sjellë herë pas here reflektime të sajat.

Ky virus na “detyroi” në njëfarë mënyre t’i rikthehemi traditës, duke na mbyllur në oazin e dashurisë të gjithë së bashku. Më pëlqen ta quaj virusi i “balancës” sepse i dha çdo gjëje peshën që i takon, duke vendosur një rend të ri në jetën tonë.

U duk sikur na ndau, por në të vërtetë po na bashkon. 

Kishte kohë që nuk gatuanim të gjithë së bashku, nuk shikonim kaq shumë filma bashkë, nuk bisedonim më pranë zjarrit deri në orët e vona, nuk shijonim mëngjesin e vonë bashkë, nuk luanim bashkë dhe nuk qeshnim më kaq shumë duke parë fotografitë e vjetra, duke treguar barcaleta ose histori nga e kaluara. 

Vërtet në zemër fshehim stres dhe shqetësim për të ardhmen e mjegullt, për lirinë, ekonominë e pezulluar, për ëndrrat e prera në mes, por stresi i vjeter i përditshmërisë na rrëmbente më shumë, duke mos na lënë kohë as të nxirrnim frymën.

Kishte kohë që “nuk kishim më kohë” për t’i realizuar të gjitha këto.

Koha “e vjedhur” po na rikthehet, e shumëfishuar.

Ky virus po na rikthen në kapitujt e mëparshem të historisë. Atëherë kur jeta mbante aromë familje dhe kishte tjetër kuptim. 

Po na rikthen në kohët kur buka gatuhej vetë në shtëpi nga duart e buta të nënave apo gjysheve tona, kur ngrohtësia e saj të ngrohë shpirtin, aroma shpërndahej në çdo cep të shtëpisë dhe ne si femijë me naivitet e quanim “bukë lepurushi”. 

“Falë” Corones, po i jetojmë ato kohë përsëri.

Karantina nuk duhet të na zvogëlojë, nuk është ky qëllimi i saj, ne duhet ta mundim atë. Sepse ka një dhuratë pas çdo dhimbjeje, ka një taksë morale përpos asaj ekonomike.

Qëllimi i karantinës është të na bashkojë me familjen, të na bëjë të vlerësojmë më shumë shëndetin, jetën dhe gjërat vertet me rëndësi të kësaj bote.

Ky virus ka bërë një diferencë, ka vendosur kufirin mes absurditeteve, “tekave” tona në përditshmëri dhe nevojave tona të vërteta, të cilat i kishim nënvlerësuar ose marrë si të premtuara.

Ky virus ka vendosur një balancë të re, kufij të ri, edhe pse Coronavirus nuk njeh kufij, nuk njeh pasaportë, pushtet apo pasuri.

Përpara këtij ushtari të pangopur, jemi të gjithë të barabartë.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top