Pika referimi

March 16, 2020 | 8:05

Ambra Hysa: Koronavirus si “antidepresivi i shoqërisë”, së bashku do ia dalim, këtë herë edhe më falenderues!

Guximi për të pranuar ditët jo të mira, nuk na mungon. E kemi treguar që mundemi, që bashkë jemi me të fortë, kur mendojmë si një dhe  bëhemi një zë dhe një trup i vetëm. Çdo ditë shoh solidarizimin, qytetarinë dhe shembullin e mirë të pluskojë në rrugët tona.

Ambra Hysa, diplomuar për “Financë”, e apasionuar pas letërsisë, psikologjisë, duke sjellë herë pas here reflektime të sajat.

Ambra Hysa, diplomuar për “Financë”, e apasionuar pas letërsisë, psikologjisë, duke sjellë herë pas here reflektime të sajat.

Në rrugët e vetmuara, ku dielli ngroh me bujari, nuk mund të ketë trishtim… sepse ku ka bashkim ka fuqi, ku ka mençuri ka zgjidhje, ku ka mirësi nuk mund të ketë ligësi.

Së bashku do ta mundim të keqen!

Rrugët e zbrazura më gëzuan. Ndërgjegjësimi është zgjedhje, dhe shumica e shqiptarëve po bëjnë zgjedhjen e duhur në këtë kohë të vështirë, po qëndrojnë në shtëpi. Duket si “frazë heroizmi”, nuk po shkojnë në luftë në fakt, thjesht po qëndrojnë në shtëpitë e tyre që mbajnë aromë familje. Megjithatë… “molla e ndaluar” ka shijen më të mirë, asnjëherë nuk është dëshiruar më shumë se sa në këto ditë vetëizolimi, liria që gëzojmë dhe që nuk vlerësojmë, në ditët normale.

Liria që na është dhënë, falas, por që shpesh e shpërdorojmë, e nënvlerësojmë, dhe nuk e menaxhojmë siç duhet. Burgu i vërtetë qëndron në mendjen tonë, asnjëherë fizikisht. Prangat i kemi vendosur në mendje gjatë ditëve normale me mëngjese të kthjellëta dhe shëtitje në ajër të freskët. Asgjë nuk shijon më ëmbël se liria, sidomos kur është e ndaluar.

Prandaj ky virus na ka dhënë leksione të jetuara, jo teorike dhe të parat…kanë shumë impakt mund të përcjellin ndryshimin. Leksionet e këtij virusi, i kemi numëruar tashmë: të duam familjen, t’i kushtojmë kohë cilësore njëri-tjetrit, të ndalim maratonën e kafeneve, vrapin e marrëzive, të kemi kujdes higjienën shpirtërore dhe atë fizike, të shijojmë çdo moment të mundësisë më të madhe që na është dhënë… “Ta jetojmë jetën, ashtu siç duam”.

Në kohën e Coronavirusit, do të mbajmë mend që “Kemi jetuar ‘luftën’ në paqe, kemi fituar ‘betejën’ duke qëndruar në shtëpi, kemi luftuar ‘armikun’ duke reflektuar në qetësi, dhe jemi dashur më shumë se kurrë duke mos u përqafuar”.

Jeta në kohët e Coronavirusit kërkon një fokus të fortë, një mëndje të pastër në të cilën depërton ajri i freskët, dhe mendime të hekurosura dhe palosura mirë. Nuk ka rëndësi çfarë ndodh rreth teje. Vendi ku ti jeton, është gjithmonë mëndja jote. Trajnoje mendjen të shohësh të mirën në çdo të keqe.

Shpresoj që Coronavirus të mos na ndryshojë vetëm mënyrën e të jetuarit por edhe atë të menduarit, sepse ne jetojmë në mendjen tonë. Ajo, është karantina jonë e përjetshme.

Në Shqipërinë tonë ka shërbyer edhe si një “antidepresiv për shoqërinë” , nëse duhet te shohim anën tjetër të medaljes. Sepse mendja jonë elastike, duhet ushtruar të krijojë pozitiven në çdo negative, kështu problemet asnjëherë nuk do të zhduken por të paktën do të gjejmë një zgjidhje.

Coronavirus është medikamenti i kurës shpirtërore. Është antidepresivi më i mirë. Po na mëson, se si të vlerësojmë gjërat e vogla në jetë, të cilat në ditët normale i marrim të mirëqena. Përmes lentes së nostalgjisë, rutina jonë ditore merr një tjetër ngjyrim.

Çdo gjë që tani e dëshirojmë në ditët tona normale është falas. Takimi me miqtë, përqafimet, shëtitjet e gjata, udhëtimet, të ngasësh makinën, të luash futboll, të vallëzosh, të punosh etj… ka një mesazh të koduar në gjithë këtë. Por së bashku do ia dalim! Do të takohemi përsëri nën shkëlqimin e diellit, shëndoshe e mirë… këtë herë edhe më falenderues.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top

Powered by themekiller.com anime4online.com animextoon.com apk4phone.com tengag.com moviekillers.com