Psikofakt

August 26, 2020 | 8:10

Ambra Hysa: Koronavirusi është një “mit” deri në momentin që mbërrin dhe hyn tek ti pa trokitur (përjetimi i një sëmundjeje të panjohur)

Një valë drithëruese indiferentizmi pluskon në ajër, kur orët tërhiqen zvarrë dhe njeriu mendon që problemet apo “të këqijat” i ndodhin vetëm të tjerëve dhe asnjëherë atij përsonalisht, kjo jep një lloj sigurie artificiale, të rrezikshme sigurisht.

Autorja, Ambra Hysa lindi në Prill të vitit 1995 në Shkodër. Ka studiuar Financë por pasioni i saj mbetet arti, psikologjia, letersia. Aktualisht punon si gazetare dhe ndan me ne vazhdimisht artikuj dhe refleksione të fushave të ndryshme.

Autorja, Ambra Hysa lindi në Prill të vitit 1995 në Shkodër.
Ka studiuar Financë por pasioni i saj mbetet arti, psikologjia, letersia.
Aktualisht punon si gazetare dhe ndan me ne vazhdimisht artikuj dhe refleksione të fushave të ndryshme.

Koronavirusi është një “mit” deri në momentin që mbërrin dhe hyn tek ti pa trokitur.

Ai shpesh shfaqet në formën më të lehtë, duke ruajtur të gjithë potencialin e tij për në fund, kur kjo luftë bëhet gjithnjë dhe më e ashpër.

Koronavirusi ka kredhur botën në pasiguri dhe lajmet e vazhdueshme mbi pandeminë mund të ndihen shpesh intensive dhe të panumërta. E gjithë kjo po sjell ndikim negativ në shëndetin mendor të njerëzve, veçanërisht atyre që bashkëjetojnë me gjendje të tilla si ankthi dhe çrregulimi obsesiv kompulsiv.

Po si mund ta mbrojmë shëndetin tonë mendor në një rast si ky?

Të qenit i shqetësuar nga lajmet që dëgjon është e kuptueshme, por për shumë persona mund të përkeqësojë problemet ekzistuese të shëndetit mendor. Shumë ankth është rrënjosur në shqetësimin mbi të panjohurën dhe në pritjen se diçka do të ndodhë.

Koronavirusi ka ndikuar në shkallë makro tek njerëzit që kanë tendencën të jenë ankthiozë dhe mënyra sesi këta të fundit përjetojnë pandeminë kur infektohen është më delikate. Kemi të bëjmë me dy ekstreme, nga njëra anë papërgjegjshmërinë dhe nga ana tjetër nivelin e lartë të shqetësimit dhe paranojës të cilën e stimulon ankthi. 

Për një pacient të sëmurë, nuk ka panoramë më të paqtë se njerëzit me maskë, dashuria dhe kujdesi që tregohet për veten dhe për të tjerët. Beteja me virusin është e vështirë, emocionalisht dhe fizikisht, prandaj është shumë më mirë të parandalojmë se sa të përjetojmë.

Është qytetari të mbash maskën, është integritet të kujdesesh për higjenën dhe të mos rrezikosh asnjë moment te jesh përçues i pavetëdijshëm i virusit. Është injorancë të mos besosh dhe keqdashësi të jesh mospërfillës dhe i pakujdesshëm.

Ne duhet ta trajtojmë veten si dikush që është duke kontribuar në një fitore.
Mund të shpëtojmë kështu jetën e çmuar të prindërve apo të gjyshërve tanë. Koronavirus nuk është aq larg sa ti e mendon. Ai është i gjallë dhe qarkullon në mesin tonë, nën dritën e diellit.

Pacientët që e kanë kaluar pandeminë, kanë treguar që jeta merr një tjetër dimension pasi ti ke ndjerë shijen e tij të hidhur dhe frikën që e shoqëron.

Koronavirus të ngushton frymën, është e vërtetë… por nëse ti je guximtar dhe me fat do të marrësh frymë edhe më lehtë pasi gjithçka të mbarojë… I LIRË dhe MIRËNJOHËS.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top