Pika referimi

August 17, 2020 | 8:05

Ambra Hysa: Mirësia dhe Humanizmi

 

Po jetojmë ditë të vështira, lundrojmë në një varkë pa destinacion, sepse kemi humbur besimin në mirësi dhe në humanizëm. Çdo ditë lexojmë në media materiale negative që sigurisht ndikojnë në mirëqenien tonë emocionale. Lajmi i keq tërheq me shumë vëmendje publike, qarkullon më shpejt dhe “shet” më shumë.

Ambra Hysa, diplomuar për “Financë”, e apasionuar pas letërsisë, psikologjisë, duke sjellë herë pas here reflektime të sajat.

Ambra Hysa, diplomuar për “Financë”, e apasionuar pas letërsisë, psikologjisë, duke sjellë herë pas here reflektime të sajat.

Përse nuk lexojmë lajme të mira, gjeste të mrekullueshme, histori triumfi, mesazhe pozitive dhe sensibilizuese, të cilat duhet të jenë në qendër të medias, për të qetësuar ankthin që është kthyer në problem tek qytetarët, të cilët mund të jenë të sëmurë ndërkohë dhe kjo energji negative  ndikon në dobësimin e sistemit të tyre imunitar?

Nuk ka interes për lajme të mira dhe serviret ajo që kërkohet, por është detyra jonë si gazetarë të edukojmë lexuesit, të përçojmë dritë, shpresë dhe besim në zemrat e njerëzve.

Truri është organi që përcjell të gjitha sinjalet trupit, ai ndikon në përmirësim ose në përkeqësim të situatës. Është e rëndësishme të mos e humbasim kurajon, është busulla që na orienton në ditët më të vështira.

“Kohë të mbrapshta, për njerëz për së mbari”, kjo shprehje qëndron shumë aktuale edhe sot.

Antivlerat po marketohen si vlera dhe në qendër të botës nuk qëndron më dashuria e njeriut për njeriun, por dashuria e njeriut deri në humbjen e njerëzillëkut, për paranë, për fasadën, për pushtetin.

Çdo zemër që ne prekim me mirësi dhe humanizëm është në fakt ilaç për shpirtin tonë, kur do ta rikujtojmë?

Gjithnjë kam besuar se arsyeja për të treguar mirësi është shpërblyese në vetvete. Sipas mendimit tim nuk duhet ndonjë justifikim për të treguar mirësi.

Kur ishte hera e fundit që ju vërtet bëtë diçka të mirë për dikë dhe nuk kërkuat asgjë në këmbim? Mendoni se si ju bëri të ndjeheni nga brenda i/e relaksuar, i plotësuar dhe i kënaqur. Po sikur dikush të tregohet mirëdashës ndaj jush? A nuk ndjeheni mirënjohës?

Ndryshimet e vogla që ne mund të bëjmë është marrja e kohës së mjaftueshme gjatë ditës, për të kujtuar se mirësia ka fuqi të jashtëzakonshme. Ndikon shumë tek të tjerët dhe tek ne gjithashtu. Ju mund t’i bëni një pyetje vetes: A jam treguar mirëdashës sot? 

Mirësia na bën më të shëndetshëm dhe më të lumtur, nëse e vlerësojmë aq sa duhet dhe e praktikojmë pa pritur asgjë në këmbim, me çdo njeri që takojmë.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top