Deri më sot, njeriu përherë i është drejtuar botës së jashtme dhe është përpjekur gjithmonë për ta njohur botën, materien dhe fenomenet fizike pa e kuptuar dot se për ta njohur të jashtmen, fillimisht duhet njohur bota e brendshme e tij.

Ambra Hysa, diplomuar për “Financë”, e apasionuar pas letërsisë, psikologjisë, duke sjellë herë pas here reflektime të sajat.
“…Njeriu i kohës sonë, e njeh shumë më pak “njeriun” sepse e gjithë përpjekja e tij është e kthyer drejt botës së jashtme.”
Cilindo popull të civilizuar dhe cilëndo shoqëri që ta vëzhgoni, do të shihni se principi i konsumit është kthyer në një dogmë të shenjtë shkencore, për të cilën askush nuk dyshon. Kjo gjë, e ka dobësuar njeriun modern në aspektin shpirtëror por e ka fuqizuar në rrafshin material edhe pse njeriu, para se të jetë i fuqishëm, duhet të jetë një njeri i mirë.
Një tjetër simbol i njeriut të kohës moderne është edhe karakteri i krijuar nga Jean Isoulet: “Një princ që jeton një jetë luksoze, por ka një brengë të madhe brenda vetes”.
Njeriu jeton për të arritur lartësinë shpirtërore por ai është zhytur thellë në shoqërinë e konsumit e cila e ka mbërthyer deri në rrënjë, pa i lenë kohë të shohë brenda vetes…duke i rrëmbyer kështu edhe shpresën e tij të fundit.
Njeriu, është qenia më e panjohur deri më sot.
Ai i ka drejtuar sytë gjithmonë përqark vetes, në përpjekje për të zbuluar botën duke lënë mënjanë zbulimin e vetes.
Shumica e njerëzve janë të palumtur. Përse?
Çfarë i bashkon njerëzit e kohëve moderne përveç sipërfaqësores, interesit të përbashkët material?
Njeriu vuan nga depresioni, mërzitë, vuan nga një brengë e pazgjidhshme sepse nuk mund të gërmojë brenda vetes, nuk mund të zbulojë veten dhe ashtu thërrmohet pak nga pak.
Shpirtërorja është “thesari” i tij, por ai pandalim e kërkon “thesarin” gjetkë, duke thelluar humnerën e zbrazëtisë dhe rritur përpjekjet për të gërmuar botën apo deshifruar tjetrin.
Njeriu lind me shumë pyetje.
Ne shkojmë në shkollë, arsimohemi por në asnjë bankë nuk i shuajmë dot të gjitha pikëpyetjet që kemi, madje as gjysmën e tyre.
Informacioni që na jepet ka bazë materiale, është shumë i ngjeshur, por i pamjaftueshëm.
Jemi të programuar të mësojmë (shpeshherë në mënyrë robotike) për t’i shërbyer një sistemi i cili në të ardhmen prodhon veç zhgënjime dhe modele identike.
Një sistem, që i lë studentët bosh, pa vizion, pa motiv dhe pa ide.
Është një garë e pakuptimtë për të qenë “më i miri i klasës” duke harruar se ne të gjithë jemi “Unikë”.
Nuk na duhen të gjithë studentët ekselentë, na duhen studentë që besojnë tek vetja e tyre, na duhen studentë të motivuar dhe me një vizion origjinal, të freskët, të ri, i cili do të sjellë ndryshimin.
Ne shkollohemi “për t’u punësuar”, për t’i shërbyer vizionit të dikujt tjetër, një të ardhmeje të parashikuar por jo të sigurt, një tregu që na i ka hedhur zinxhirët që në bazë.
Të rinjtë janë të papunësuar sepse po ndjekin shembullin dhe modelin e gabuar… të rinjtë janë pjesë e këtij sistemi, pjesa më e pafajshme e tij.
Është ky sistem që nxit modelin e gabuar që është injektuar thellë tek prindërit ose mësuesit të cilët kërkojnë “notat më të mira”, për të mbuluar shpesh pasiguritë e tyre.
Ky sistem nuk të mëson të jesh sipërmarrës, të projektosh apo të krijosh ëndrrën tënde, të përgatit të plotësosh skicën dhe ëndrrën e dikujt tjetër.
Asnjëherë në shkollë nuk marrim përgjigje për pyetjet që na mundojnë dhe që do të na shoqërojnë gjatë gjithë jetës… në bankat e shkollës jemi tepër të zënë duke u përpjekur të zgjidhim formulat që nuk do të na shërbejnë asnjëherë.
…
Një ditë një nxënës pyeti profesorin e tij.
“Kjo formulë është shumë e gjatë dhe e vështirë, a do ta përdor ndonjëherë tjetër përtej viteve të shkollës”? Pasi e sqaroi, profesori u përgjigj: “Jo, dyshoj se do të duhet ta përdorësh diku tjetër”.
“Atëherë përse na e mëson”?- e pyeti nxënësi.
“Sepse unë për këtë paguhem”- u përgjigj ai.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.