Psikofakt

March 30, 2020 | 8:03

Ambra Hysa: Pranvera lulëzon në shpirtrat e bukur, jemi ne lajmëtarët e pranverës, jemi shpëtimtarët e vetvetes

 

Kanë kaluar ndoshta 20 ditë. Të paktën dy javë, që të gjithë jemi vetëkarantinuar dhe po jetojmë në kushtet e “mbijetesës” duke “urdhëruar” forcën brenda secilit prej nesh, të qëndrojë stoike dhe të mbahet fort, në të dyja këmbët.

Ambra Hysa, diplomuar për “Financë”, e apasionuar pas letërsisë, psikologjisë, duke sjellë herë pas here reflektime të sajat.

Kishim ndërtuar kështjella prej rëre jashtë shtëpive tona, të cilat nuk mund të ishin mburojë sepse nuk luftojnë dot dhe as nuk e blejnë shëndetin.

Janë kohë të vështira, por ne do ia dalim, të gjithë bashkë, veç me kurajë dhe durim.

Zgjohemi në mëngjes me frikën për të hapur dritaret por me dëshirën të rihapim mendjen. Palestra shpirtërore është ajo që na mban gjallë, këtu është vënë edhe theksi, për fat.

Kohët e vështira gjithmonë kanë sjellë produktivitet të lartë nëse menaxhohen me zgjuarsi dhe me kujdes. Ka gjithmonë hije dhe dritë, është ky sekreti, është kjo balanca që mban jetën.

Karl Gustav Jung në “Libri i Kuq” fliste për karantinën e tij duke shkruar: “Po, atë vit na privuan nga pranvera, dhe nga shumë gjëra të tjera, por unë kisha lulëzuar sidoqoftë, e kisha brenda pranverën dhe askush s’mund të ma merrte më atë.”

Pranvera jote je ti. 

Askush nuk mund ta marrë pranverën nga zemra jote, asnjë karantinë në botë nuk mund të të privojë, sepse ti jeton në karantinën e zemrës tënde. Mund ta ujisësh atë dhe të mbjellësh tulipanët më të bukur në botë, mund të ketë pranverë në çdo stinë, ashtu siç mund të ketë dimra, acar dhe janarë.

Pranvera lulëzon në shpirtrat e bukur, aty ku gjen diell dhe paqe. Jemi ne lajmëtarët e pranverës, jemi shpëtimtarët e vetvetes. 

Ka kohë që nuk puthemi, por ka shumë ditë që duhemi, në unitet. …dhe dashuria asnjëherë nuk ka pasur një fytyrë më të bukur se kjo.

Jemi të gjithë udhëtarë, mbi të njëjtën varkë, po lundrojmë në ujëra të turbullta por nuk do të zhytemi.

Me thërrime kohe ushqejmë shpresat, siç ushqehen pulëbardhat buzë liqenit.

Dashuria për njëri-tjetrin do të na bëjë më të mirë, na çliron. Dashuria është detoks shpirtëror, është shërim prandaj duhet të shkëmbehet sa më shumë.

Falë mrekullive të teknologjisë mund të qëndrojmë shumë afër me ata që kemi më shumë nevojë këto kohë (dhe në çdo kohë), të dashurit tanë, njerezit.

Rrugët janë të shkreta, por jeta do t’i vishet atyre përsëri, jeta do të rikthehet përsëri dhe ne do te jemi gati më shumë se çdo herë tjetër.

Në Itali qytetet kanë mbetur pa gjyshër, gjithçka tjetër do të kthehet përveç ëngjëjve me flokët e bardhë dhe këshillat e tyre të vyera. Ishin ata “shënjestra” e kësaj pandemie, ishin viktimat më të shumta të luftës dhe e vetmja urë lidhëse që na ka mbetur, janë kujtimet.

Gjithçka tjetër kthehet, përveç kohës dhe jetës, prandaj duhet t’i shfrytzojmë në mënyrën më të mirë këta të dyja.

Lajmi i keq është se nuk do të vijë askush “të na shpëtojë”…por lajmi i mirë është se jemi ne Superheronjtë, këtë mund ta zbulojmë vetëm në ditë të vështira.

Manteli jonë qëndiset në kohë lufte, si parashuta që mbahet mbi shpinë, por hapet vetëm në ajër.

Pra pranverën nuk na e kanë rrëmbyer, këtë herë ajo ka ardhur brenda shtëpive tona.

 

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top

Powered by themekiller.com anime4online.com animextoon.com apk4phone.com tengag.com moviekillers.com