Editorial

March 21, 2020 | 19:38

Ambra Hysa: Pranverë e vështirë kjo që po jetojmë. Kjo luftë e heshtur nuk njeh trima, por është beteja e më të zgjuarve

Dje ishte dita e parë e pranverës.
Pranverë e vështirë kjo që po jetojmë, më ngjan me mollët… ato të kuqet si gjaku, të cilat të verbojnë me bukurinë e tyre, por fshehin shijen e hidhur brenda.

Ambra Hysa, diplomuar për “Financë”, e apasionuar pas letërsisë, psikologjisë, duke sjellë herë pas here reflektime të sajat.

Ambra Hysa, diplomuar për “Financë”, e apasionuar pas letërsisë, psikologjisë, duke sjellë herë pas here reflektime të sajat.

Kjo pranverë nuk ka ardhur e mbarë, megjithatë erdhi, trokiti në derën tonë me guxim, duke zënë vendin që i takon, edhe pse patëm dimrin në zemër.
Pranvera është stina ime më e dashur në fakt, por jam e gatshme ta sakrifikoj, edhe njëqind herë të tjera… duke e parë përmes xhamit dhe duke mos e ndjerë qoftë as edhe një sekondë, që gjyshërit apo prindërit tanë të mund të gëzojnë pranverat që do të vijnë.
Kjo luftë e heshtur nuk njeh trima, por është beteja e më të zgjuarve.
Lulet do të çelin përsëri, dielli do të na përkëdhelë edhe më butë, shëtitjet do të na shijojnë edhe më shumë kur në ajër të ndjehet aroma e freskët e lirisë… por duhet durim.
Durimi është cilësi të cilën njeriu e zhvillon brenda vetes, askush nuk lind i duruar.
“Pas vështirësive ka gjithmonë lehtësim. Pas një nate të gjatë e të errët, ka një agim”.
Po vërehet mungesë ndërgjegjësimi te qytetarët, të cilët shprehen se e kanë të vështirë të qëndrojnë në shtëpi të mbyllur.
Është efekt psikologjik i cili mund të luftohet me argumenta të thjeshtë.
Njeriu e krijon vetë gjendjen emocionale të tij, e bind veten dhe e ushqen mendjen në mënyrë të natyrshme.
Ajo që ti mendon, do të sjellë si rrjedhojë mënyrën se si ndihesh.
Nëse mendojmë “Nuk mund të dal nga shtëpia, jam plotesisht i bllokuar”, nënvetëdija jonë do të kërkojë me çdo kusht një mënyrë për të dalë jashtë dhe do e ndjejë presionin e lartë i cili nxit veprime të gabuara.
Por nëse i themi vetes “Unë mund ta krijoj lumturinë time brenda shtëpisë, sepse lumturia nuk gjehet, nuk është atje në rrugë, është brenda meje, është në familje, lumturia ime jam unë”, atëherë edhe ndjesia do të jetë më pozitive dhe mendja do të kanalizohet në drejtimin e duhur.
Nuk është e pamundur të menaxhohen emocionet dhe ndjesitë, është 100% e mundur nëse mësojmë të kontrollojmë mendimet tona.
Mendimet duhen ajrosur dhe filtruar.
Ajri i freskët na bën mirë të gjithëve, por atë mund ta marrim edhe në ballkonin e shtëpisë ose në verandën e oborrit.
Dielli na bën mirë të gjithëve njesoj, por ai nuk na është kursyer nga dritaret e hapura të dhomës.
Jemi në luftë, edhe pse me armiq të padukshëm, ushtria ka dalë në rrugë, për t’i mbrojtur njerëzit nga vetvetja.
Është e vërtetë që e keqja më e madhe njeriut i vjen nga vetja e tij.
Duhet të mësojmë ta krijojmë lumturinë, të mësojmë të krijojmë momentet tona.
Ankuesit nuk i kanë fituar asnjëherë betejat, historia e ka treguar këtë.
Rrethanat e vështira mund të shndërrohen në mundësi, është çështje këndvështrimi, vullneti dhe zgjedhjeje.
Kjo periudhë kërkon menaxhim të mirë.
Është kohë e mjaftueshme për të pushuar, por edhe për të qenë produktivë.
Mund të jesh produktiv duke qëndruar në shtëpi, të është dhënë një dhuratë e çmuar “koha” dhe një mirësi, një portë e hapur miliona mundësish siç është “interneti”.
Ka shumë punë që mund të bëhen brenda shtëpisë, por fillimisht duhet të shkosh aty dhe të duash familjen tënde.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top