Pika referimi

March 18, 2020 | 8:02

Ambra Hysa: Rastësia e vret të nesërmen, ndaj mos i besoni!

 

Është “i pabesë” efekti i rastësisë, të lë gjithmonë në baltë… në mes të rrugës, kur shënjat ishin të mira dhe sapo kishe filluar të besosh që më në fund fati “ka trokitur në derën tënde”, gjithçka merr një trajtë tjetër, dhe jeta ndryshon dimension.

Ambra Hysa, diplomuar për “Financë”, e apasionuar pas letërsisë, psikologjisë, duke sjellë herë pas here reflektime të sajat.

Ambra Hysa, diplomuar për “Financë”, e apasionuar pas letërsisë, psikologjisë, duke sjellë herë pas here reflektime të sajat.

Nuk i duhet besuar fatit dhe rastësisë nëse ti nuk punon, vetëm, nëse punon fort, fati do të mbërrijë tek ty.

Sepse mundësitë vallëzojnë me ata që tashmë ndodhen në pistën e vallëzimit.

Fati nuk ekziston.

Ne lindim me mundësi, me “elementë” të cilët duhet t’i njohim, t’i zhvillojmë dhe t’i japim jetë në ambientin e duhur, për të quajtur veten “me fat”.

Pas fatit qëndron shumë punë, lodhje, orë të tëra sakrifice, dështim, sfida, ulje dhe ngritje, por ne parapëlqejmë ta quajmë thjesht “me fat” njeriun e suksesshëm që shohim shpesh nga ekrani, teksa jemi rehatuar mirë në kolltukun e komfortit.

Fati dhe rastësia janë dy elemente tek të cilët asnjëherë nuk duhen mbështetur brrylat e jetës, sepse gjithmonë do e humbasim balancën dhe do biem poshtë.

Nëse rrëzohesh, ngrihesh përseri, por të dish të ruash balancën është cilësi, është dhuratë prandaj duhet të dish se ku të mbështetesh.

Të pranosh fatin tënd nuk është dinjitet.

Është një mendësi dështakësh, dhe ti nuk je i tillë.

Askush nuk lind dështak, të gjithë lindim gjeni, por jo të gjithë jemi të gatshëm të sakrifikojmë gjithçka për ta arritur këtë potencial, atë që të gjithë e njohin si potencialin më të lartë të vetes.

Ne lindim me dhurata dhe me elementë, të cilët duhet të mësojmë t’i përdorim në mënyrë që misioni ynë në botë të bëjë rrotullimin e parë.

Më e rëndësishme se sa të jesh i zgjuar apo të kesh talent, është të dish si ta përdorësh atë. Të krijosh rrugën tënde, dhe ambientin në të cilin ëndrra jote mund të frymojë lirisht, të rritet dhe të ngjitet lart.

Elementët janë të lidhur ngushtë me energjinë njerëzore.

Ritmi jonë njerëzor është i ndryshëm, po ashtu edhe energjia që marrim dhe japim. Disa nga ne funksionojmë mirë në energji të ulët dhe të tjerë në ritme më të larta.

E rëndësishme është ta mësojmë se si funksionojmë në mënyrë që ta kanalizojmë veten.

Nuk ka një manual përdorimi për të ndërtuar njeriun që dëshiron brenda teje, por ka vetëm këshillë: “Ndiq instinktin tënd, ai do të udhëzojë dhe do të dërgojë aty ku dëshiron, sepse ti ke lindur me të”.

Zëri brenda nesh e di të vërtetën.

Ai e di se sa e rëndësishme ështe të njohim pasionin tonë dhe të kanalizohemi në atë që na bën më produktivë.

Nëse një peshk e vendosim mbi degën e një peme, ai nuk mund të notojë, ai nuk mund të shfaqë asnjëherë aftësitë e tij dhe përveç kësaj dhe do të ngordhë.

Me njerëzit funksionon njësoj.

Ata lindin dhe vdesin, njëlloj si peshku, shpesh pa e kuptuar përse janë në këtë botë.

Prandaj instinkti qëndron përmbi fatin.

Një peshk asnjëherë nuk duhet të pranojë që fati i tij është të qëndrojë mbi pemë, por të dëgjojë zërin e zemrës i cili e drejton për në det.

Njeriu krijon rrethanat dhe rrethanat krijojnë mundësitë.

Rastësitë nuk i krijojnë mundësitë.

Rastësitë thjesht ndodhin, në të mirë e në të keq, si meteorë të pandalshme që nuk munden veçse të përplasen.

Prandaj unë nuk u besoj rastësive.

Ata na marrin peng të sotmen, duke na premtuar të nesërmen, dhe e sotmja është gjithçka që keni.

Mos i besoni rastësive, ata i vrasin “të nesërmet” çdo ditë.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top