Psikofakt

March 20, 2020 | 8:03

Ambra Hysa: Sa vlen një përqafim? Asnjëherë më shumë se sot

 

Bota ka nevojë të pushojë, e ndjej në thellësinë e shpirtit nevojën e saj për të ndalur ritmin dhe për të na dhënë leksionet më të çmuara. Vetëm nëse heshtim mund të hapim zemrën dhe të dëgjojmë puhizën e lehtë që na flet.

Ambra Hysa, diplomuar për “Financë”, e apasionuar pas letërsisë, psikologjisë, duke sjellë herë pas here reflektime të sajat.

Ambra Hysa, diplomuar për “Financë”, e apasionuar pas letërsisë, psikologjisë, duke sjellë herë pas here reflektime të sajat.

Planeti ynë është sëmurë dhe ne të gjithë kemi mbajtur të njëjtin qëndrim deri tani. “Nuk pastroj aty ku nuk kam ndotur unë, nuk shëroj aty ku nuk kam sëmurur unë, nuk ndihmoj në atë që nuk më prek personalisht, nuk është vendi im”.

Nuk është vendi yt është e vërtetë, dhe as i imi, por është planeti ynë, është hapësira jonë e përbashkët, është shtëpia jonë.

Toka na i ka dhënë sinjalet, thirrjet e dëshpëruara, por ne asnjëherë nuk mbajtëm vesh, asnjëherë nuk e ndalëm vrapin.

Ku do t’i jetojmë ëndrrat për të cilat po punojmë?

Ku do t’i ndërtojmë kështjellat e lumturisë?

Ne këtë planet, në këtë shtëpi të përbashkët të cilën e kemi përgjegjësi jetësore, ta mbajmë pastër njësoj si veten.

Toka lëngon dhe sëmuret njëlloj si ne njerëzit, si kafshët dhe të gjitha gjallesat që mban në gji. Tashmë jemi të detyruar të jetojmë në burgun e mendjes, dhe asnjëherë njerëzimi nuk ka njohur një kontroll më të lartë sigurie se aty.

Toka është e lirë, jemi ne, pushtuesit e papërgjegjshëm dhe të pandalur në “kafaz”, ne që nuk ndalemi para asnjë katastrofe.

Toka është nëna jonë, natyra është prehja jonë.

Asnjë nënë nuk e do të keqen për fëmijen e saj dhe jam e bindur që nuk do të na lëndojë.

Kemi nevojë vetëm për pak kohë të gjithë bashkë, të filtrojmë mendimet, të ajrosim shpirtin, të sakrifikojmë nga vetja jonë për të nesërmen.

Nuk kishim menduar ndonjëherë më parë për të nesërmen, ajo vinte gjithmonë… si një premtim.

Jemi përballur me një këndvështrim të ri, me një mënyrë të re jetese dhe jemi kaq të vegjël përballë gjithë kësaj. Po mësojmë të dashurojmë ndryshe, por më fort, po mësojmë të vallëzojmë ndryshe por më bukur, po mësojmë të këndojmë në ballkonet tona të vogla, por më pranë njëri-tjetrit, me zemër.

Po mësojmë t’i gëzohemi ekzistencës në thjeshtësinë e saj, duke kujtuar se aty qëndron e bukura e jetës.

Është bukur të ecësh në këmbë, bën mirë për fizikun, për shpirtin por edhe për ajrin. Nuk ka rëndësi sa makina zotëron dhe sa të shtrenjta janë ato, ec çdo ditë në këmbë atëherë kur është e mundur, ose Toka do të detyrojë ta bësh duke mos të lënë zgjedhje tjetër.

Njeriu është qenie e lindur për t’u përshtatur dhe jam e sigurt që ne dimë të shohim, të zbulojmë e të krijojmë shpresën në çdo dhembje dhe diellin në çdo ditë me shi.

Jam e sigurt që do ia dalim!

Më të varfër ekonomikisht, por më të pasur shpirtërisht.

Po jetojmë luftën e tretë botërore, pa plumba, por me vdekje dhe ekonomi të shkatërruara. Jemi në luftë, edhe nëse nuk shohim ushtarë, ata janë aq të vegjël dhe kanë zënë pritë kudo. Duhet të qëndrojmë të fortë dhe të disiplinuar.

Duhet të reflektojmë, ndoshta nuk do të kemi një mundësi tjetër.

Duhet të punojmë me veten. Vetëm ata që punojnë edhe në ditët e vështira, gëzojnë ditët e mira që do të vijnë.

Nuk është festë dhe as pushime, kjo kohë duhet menaxhuar dhe shfrytëzuar për mirë.

Duhet të dashurojmë sepse dashuria prodhon kujdes, ngrohtësi dhe cilësi.

Nëse ne pluskojme dashuri për veten, natyrën, tokën, kohën, njëri-tjetrin… nëse mësojmë të vlerësojmë dhe asnjëherë të shpërdorojmë e të marrim për të mirëqenë, bota do të shërohet.

Jeta është një dhuratë jo një premtim.

Dashuria dhe kujdesi njerëzor do ta shërojnë botën.

Dashuri pa përqafime, sepse nëse përqafohemi këtë herë, do të distancohemi.

Tani më thuaj, sa kushton një përqafim?

Sa i mrekullueshëm është kontakti njerëzor?

Mundësia për të dhuruar dhe për të marrë dashuri është nevojë e thellë ekzistenciale. Ne mund të vrapojmë pafundësisht pas materies, mund të qëndrojmë edhe të izoluar për disa kohë… por në fund… do të na duhen NJERËZIT.

Njeriu ka nevojë të thellë për njeriun, në fund të ditës na mungojnë përqafimet, të afërmit tanë, të dashurit e zemrës, miqtë.

Na mungojnë kur duam të ndajmë dhimbjet dhe të celebrojmë jetën. Njeriu pa njeriun është i zbrazët.

Tani që gjithçka hesht, tani që në sfond nuk ka gumëzhima por fllade misteri dhe pasigurie, më thuaj…

Sa kushton një përqafim?

 

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top