Marrëdhënie

April 15, 2020 | 8:04

Ambra Hysa: T’i duam qentë derisa të arrijmë të zbusim edhe njeriun e fundit

Dashuria për kafshët ka lindur bashkë me njeriun. Ekziston një lidhje shumë e ngushtë mes shikimit të njeriut dhe atij të kafshëve. Kontakti i syve është rruga që na përshkon zemrën, është ura lidhëse me dashurinë që ndjejmë për ta.

Ambra Hysa, diplomuar për “Financë”, e apasionuar pas letërsisë, psikologjisë, duke sjellë herë pas here reflektime të sajat.

Ambra Hysa, diplomuar për “Financë”, e apasionuar pas letërsisë, psikologjisë, duke sjellë herë pas here reflektime të sajat.

Një studim i mëhershëm ka zbuluar se arsyeja pse i duam qentë është fiziologjike. Kur qentë dhe njerëzit shikojnë njëri tjetrin në sy, lirohet hormoni i oksitinës, i cili është i njëjtë me atë që lirohet kur prindërit shohin fëmijët. 

E kush mund të mos e dojë një katërputrosh të bukur, të zgjuar dhe besnik? Apo macet e buta, lozonjaret plot përkëdheli? Kush mund të mos i dojë zogjtë e pafajshëm, që me cicërimat e tyre krijojnë melodinë më të bukur të valsit pranveror?

Kafshët sa vijnë dhe bëhen më të dashur dhe më të rëndësishëm për njerëzit. Mes tyre krijohet një marrëdhënie shkëmbimi dashurie e pazakontë, me në qendër përmbushjen shpirtërore dhe besnikërinë deri në frymën e fundit.

2

Qeni, është e vetmja gjallesë e cila e do “padronin e tij” më shumë se veten. Për të, ju do të jeni gjithmonë idhulli, mësuesi, edukuesi, pika tij e referimit. E gjithë bota sillet rreth jush, ai ju do më shumë se veten e tij, dhe është gjithmonë i gatshëm të rrezikojë për ta dëshmuar këtë.

Ai jeton për t’ju mbrojtur.

Një qen asnjëherë nuk e harron aromën e padronit të tij, nuk lejon që ai të cenohet përpara syve të tij, nuk harron premtimin e mbajtur. Është konsideruar ndër vite si shoku më besnik i njeriut, jo rastësisht. Kafshët që mbahen për shoqëri, përfshirë edhe qentë, i japin një qëllim dhe domethënie jetës, në një kohë kur të moshuarit psh shpesh ndihen të veçuar nga shoqëria.

Kafshët që mbahen për shoqëri bëjnë që njerëzve t’u pakësohet stresi, të bëjnë më pak vizita te mjeku e madje falë tyre ulet edhe shkalla e vdekshmërisë pas një infarkti në zemër.

Besnikëria e jashtëzakonshme e kafshëve bën që disa njerëz të duan më shumë ato se sa pjesëtarët e familjes.

Në raste divorci, kujdestaria për kafshët ndonjëherë është pjesë e marrëveshjes për ndarjen e pasurisë. Madje njerëzit i kanë përmendur kafshët edhe në testament, ku shprehin dëshirën e tyre të fundit, duke i bërë kështu trashëgimtarë të një pasurie përrallore.

“Sa më shumë i njoh njerëzit, aq më shumë e dua qenin tim” ka thënë Mark Tuein.

Qeni nuk do t’ia dijë nëse i zoti është i pasur apo i varfër, i zgjuar apo torollak, i arsimuar apo analfabet, i pashëm apo i shëmtuar. Po e deshe, qeni ta kthen dashurinë me përkushtim.

Historikisht njeriu ka arritur të zbusë ujkun dhe kafshë të egra, por nuk ka qenë çdo herë i suksesshëm në zbutjen e vetvetes. Sikur të kishte zbutur më shumë veten dhe sikur njerëzit ta donin njëri-tjetrin aq sa na duan ne qentë, atëherë shoqëria njerëzore do të ishte më paqësore, më pak e zhurmshme dhe më pak e rrezikshme për llojin e vet dhe qeniet e tjera.

Prandaj… “t’i duam qentë derisa të arrijmë të zbusim edhe njeriun e fundit”.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top