Pika referimi

January 26, 2018 | 8:00

Dorina Hoxha: Dashuritë… (Në vend të rrëfimit)

Ato ditë ishin krejtësisht të zbrazura edhe pse çdo ditë e re që vinte sillte projekte të reja, një  kakofoni luante bujshëm brenda atij qyteti. Ajo verë ishte ndër më të pritshmet. Muaj të lodhshëm kishin mbytur ditët e saj. Rutina është ajo që i vret njerëzit, sepse u merr shkëlqimin e larmishmërisë, i bën ata të parashikueshëm dhe mbi të gjitha u vret guximin.

Dorina Hoxha, publiciste

Dorina Hoxha, publiciste

Përditshmëria është e bukur kur në të përfshihen të gjitha emocionet nga pak, në mënyrë që mos privohesh nga asnjë i tillë për të ndjerë se ende po jeton.

Brenda frigoriferit ndodhej pak djathë, një çokollatë e hapur përpara disa ditësh, perime, megjithëse asaj nuk i pëlqente më asgjë. Dera e frigoriferit u përplas fort, ankthet e largimeve në qofshin edhe pushime janë ato që të pështjellojnë stomakun, duke krijuar një uri të rreme e po ashtu një përzierje lëngjesh gastrite.

Atë natë nuk vuri gjumë në sy.

Ishte dashuria ajo që ndjente trishtim apo ankth padurimi për dashurinë?!… Vallë çfarë e mundonte ashtu? Pasioni ishte një humnerë brenda së cilës ajo shihte të pasqyruar vdekjen, e “për t’u familjarizuar me vdekjen nuk ekziston mënyrë më e mirë” sipas Marchese de Sade, se sa ajo e të lidhurit të saj me një ide të shthurur. Ja, që ndonjëherë ia vlen guximi, sepse të qartëson idetë dhe u jep atyre drejtim për nga ku duhet të nisen.

Një vizionar me origjinë arabe, krejtësisht me tipare afrikani, flokët e zinjtë forcueshëm krijonin dredha aq sa vështirë edhe uji të depërtonte në thellësi të tyre. Mprehtësia në kthimin e përgjigjeve ishte tipari që i shtohej seriozitetit të tij. Një njeri i rritur në vendet e lindjes i shkolluar dhe fjalëpakë nuk do ta kishte shumë të lehtë të ambientohej me jetën që bëhej në perëndim. Në pavetëdijen e të dyve ishte reflektimi i shokut kulturor që fshihej e nxirrte krye kur ju binte rasti të ndesheshin me jetën sociale atje. Bota që i ndante ishin fjalët e huaja dhe një mur që ngrihej e ngrihej sa herë ndonjëri nuk kuptonte siç duhet tjetrin. Njohja e një gjuhe të huaj është një barkë shpëtimi për të kaluar në breg, njohja e gjuhës së dashurisë është një anije lundruese, e cila të jep përshtypjen e një qëndrueshmërie minimale me seriozitet, kur ti e di që edhe mund të fundoset, por për aq kohë sa ajo lundron mirë, i shijon pamjet përtej lundrimit me seriozitetin kinse të qëndrueshmërisë maksimale. Duke dashur t’i shpëtoj stuhisë, ajo u nis e bindur në fluturimin e saj.

Kishte thënë espresso makiato dhe stjuardesa i solli një biçim kafe të shtrydhur me qumësht, kupat e së cilës ishin për fëmijët, shërbimi sipas çmimit të biletës ishte llahtari.

Avioni ngjitej drejt turbulencave të shpirtit tim. Ende kujtoja që mbase ajo verë nuk ishte vera që dëshiroja. Mbrëmje hyjnore do ta quaja pamjen përtej dritares së avionit. Isha nisur në mesditë e mbërritja do të ndodhte në mbrëmje. Do të kisha mundësi të shihja muzgun ose ndryshe pre-dusk jo në pozitën normale kur muzgu skuq horizontin e tej largët. Nga lart kaltërsia e njëtrajtshme dukej sikur të ftonte drejt parajsës së thjesht të zhveshur nga çdo objekt, mbi retë objekti fluturues dukej se marshonte paqtë.

‘Pas vështirësisë vjen lehtësimi’, ishte fraza që ia pëshpëriti punonjësit të sigurisë në aeroport. ‘Çfarë’ qe përgjigjja e tij. “Do qëndroj një muaj” ia preu shkurt ajo. Mirësevini Zonjë!

Ajo natë ishte e gjatë. Pas disa orësh udhëtim me automobil mbërriti në dhomën që ishte përshtatur për të. Libra dhe një kuti e vjetër çokollatash ishte ende siç ajo e kish lënë një vit më parë.

Aktivizojë kartën sim dhe shkroi: “Mbërrita”.

 

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top