FB

April 7, 2021 | 8:04

Filozofia e kohës dhe sjellja e njeriut… Etika

REFLEKSION

Etika si disiplinë merret me studimin e çështjes së burimit, esencës dhe të funksionit të moralit. Ç’është morali, e mira dhe e keqja, e drejta dhe e padrejta, e lejueshmja dhe e palejueshmja, detyra morale, vlera etj., të gjitha këto janë çështje me të cilat merret Etika.

Të gjitha pikëpamjet etike mund t’i ndajmë në pikëpamje etike autonome dhe heteronome. Pikëpamja etike heteronome, burimin e çdo sjellje e gjen jo në njeriun, por si subjekt i moralit diku jashtë dhe pavarësisht nga njeriu. Në etikën e këtillë është etika religjioze, kozmologjike e Heraklitit, Pitagorës, Akuinit etj. Etika autonome, përkundrazi konsideron se burimi i çdo morali dhe veprimi moral gjendet në vetë njeriun. Përfaqësues më të njohur janë Sokrati, Stoikët, Kanti, Fihte etj.

ilia

Nga Prof.Assoc.proc.Doc. Dr. Ilia S. Larti

 

Stoikët thonë se për të qenë i lumtur njeriu, mjafton të heqë dorë nga interesat dhe të ruajë autonominë e mendjes.

Përfaqësues tipik i etikës autonome është Kanti. Ai thotë se askund në botë për më tepër, as jashtë saj, nuk mund të merret me mend asgjë, që pa kurrfarë kufizimesh mund të konsiderohet e mirë, pos vullnetit të mirë. Vullneti i mirë është vullneti racional që mbështetet në mendjen praktike.

Në këtë kontekst është më se e nevojshme sot që shoqëria jonë ta prekë në vijën e sjelljes  së saj  Etikën duke ruajtur ato norma dhe vlera tradicionale nga më të mirat, por domosdoshmërisht duhet përqafuar, mirë pranuar dhe aplikuar një sistem rregullash, parimesh, dhe vlerash të qarta, pra të një “etikë konsensuale”, si ajo e të gjithë shoqërive demokratike perëndimore, ku ne duam të bëhemi pjesë dhe të aderojmë.

1

Ndaj nuk është aq e lehtë të flitet për funksionimin e një “kornize etike”, si bazë ekzistenciale dhe si mundësi reale për të përcaktuar dhe vlerësuar mënyrat e sjelljes së njerëzve, apo funksionimit të mekanizmit për zgjidhjen e dilemës midis të të mirës dhe të keqes, të dëshirueshmes nga e padëshirueshmja, të drejtës nga e pa drejta e të tej. Sepse shoqëria shqiptare në këtë trazicion relativisht të gjatë, është në një fazën kur për këtë arsye, por edhe për ca arsye të tjera, që sociologjikisht nuk lidhen në mënyrë të drejtpërdrejtë apo të tërthortë, me individualiteti, personalitetin, socializmin dhe emancipimin e tij, si gjithë shoqëritë e tjera të demokracive të zhvilluara, po ajo sot përjeton një “krizë etike”, të thellë.

Treguesit e kësaj “krizë etike”, janë më se të qarta, evidente, të dukshme, ta matshme duke iu referuar jetës qytetare dhe sjelljes së tyre të përditshme. Ky shqetësim social i përhapur ndeshet sot kudo si: në familje, në komunitet, në punë, në jetën publike, në marrëdhëniet private dhe ato publike e  deri në sjelljet dhe qëndrimet sociale. Këtë situatë, nuk ka njeri normal që nuk e kupton, që nuk përballet me epideminë e amoralitetit, duke u shqetësuar nga do e ku do, si dhe ndjehet i bezdisur çdo çast nga sjelljet e asociale dhe qëndrimet indiferente të shumë njerëzve, për atë çka shohin e një pjesë e tyre përjetojnë.

Kohët e fundit në mënyrën e të sjellurit ka mjaft dukuri dhe fenomene të shfaqura me intensitet të lartë, duke filluar që me fëmijët, të rinjtë, prindërit, eprorët, nëpunësit, punonjësit e shërbimit shëndetësor, punonjësit e policisë, të arsimit, shërbimeve sociale, etj.

Nga kjo gjendje si komunitet dhe shoqëri, kemi shumë probleme që vijnë nga kaosi dhe nga papërcaktueshmëria e vlerave morale. Realisht konfuzioni i jetës morale është në rritje nga paqëndrueshmëria moral dhe papërcaktueshmëria e vlerave etike, për shkak të dobësimit të rolit, aftësive kohezive të shoqërisë, por dhe të prirjes tejet individualiste të sjelljes së njerëzve në marrëdhënie me të tjerët, duke arritur të bëhen apo kryhen veprime çnjerëzore, për motive të dobëta, duke filluar nga krimi në familje, në një komunitet të caktuar e deri në shoqërinë e gjerë.

Duke mos pasur një sistem të pranuar vlerash etike, jemi në gjendje (shoku kulturor) dhe nga njëherë mjaft të pa qartë, në të cilën është e vështirë të gjenden ato parime racionale që duhen, për të rregulluar dhe normativizuar vlerësimin e sjelljes sociale të njerëzve në shoqërinë tonë.

Kjo gjendje e shokut kulturor kohët e fundit, ka zbritur dhe ka mbërthyer mjaft familje në të cilat zhvillohet një situatat e pa këndshme e shoqëruara me, marrëdhënie kaotike, të tensionuara midis burrit dhe gruas, prindërve dhe fëmijëve, midis mësuesve dhe nxënësve nëpër shkolla.

Më tej mund të themi se, shthurja morale dhe liberalizimi ekstremal i seksualitetit, dhuna në ambientet publike, krimet, vrasjet, brutaliteti i sjelljeve në rrugë, të gjitha këto janë tregues të “krizës etike”, që shfaqen me çrregullime në sjelljet publike dhe ato private të njeriut.

2

Sipas mendimit tim, ajo që është më shqetësuese, ka të bëjë me  situatat e “konformizmit etik”, si dhe e “pajtimit social”, me këtë realitet, pra me nënvleftësimin dhe neglizhimin e vlerës së parimeve etike universale, si një nga kushtet për të rregulluar sjelljen sociale dhe morale të shoqërisë, si dhe duke pranuar një qëndrim dhe aplikim edukativ të njerëzve, ku të mbajnë peshën kryesore, normat dhe parimet etike që koha i kërkon dhe që të jenë “vlera etike”, të mirëpranuara nga e gjithë  shoqëria.

Analiza sociologjike e situatës sociale dhe e tendencave etike, tregon se:

Nëse ka një gjë për të cilën duhet të jemi të shqetësuar së tepërmi, nuk është ajo që ka të bëjë aq shumë me vlerësimi i situatës etike empirike dhe i gjendjes së sjelljeve aktuale të njerëzve në shoqërinë tone e cila ka të bëjë me këtë fazë, që po shkon drejt përmbylljes së “tranzicionit moral”, ku për këtë mund të them  se janë fenomene tipike, sa të kuptueshme, të eliminueshme apo të korrigjueshme, por  dhe sa kalimtare.

Kuptohet që shoqëria shqiptare nuk do ta deformojë mentalitetin moral, suksesin dhe të qenit i virtytshëm me bindje, për vlerat që kanë parimet etike universal, të cilat normojnë dhe rregullojnë sjelljen si dhe formatizojnë standardet individuale etike të njeriut të veçantë.

Në këtë kontekst shqetësimi im, për situatën etike të shoqërisë ku unë jetoj e punoj nuk është dhe aq empirik sa është parimore, e cila lidhet organikisht me të sotmen dhe të ardhmen e normave dhe parimeve etike që po ndërtohen e përmirësohen me një ndjeshmëri të lartë drejt vlerave morale dhe sjelljeve etike e mjaft qytetare të njerëzve.

Në këtë sens, ne kemi nevojë duke filluar që në familje, në ambientet shoqërore, në shkollë e kudo që mundemi dhe kudo që është e mundur, të ndjehemi nën ndikimin edukativ dhe të merremi edhe më shumë me korrigjimin e deformimeve që ndjehen aty këtu. Për të ngritur edhe më lart përgjegjësinë për respektimin me kulturë dhe edukatë normat dhe parimet brenda standardeve që kërkojnë vlerat morale, të cila do të sjellin në mikromjediset tona qartësi mendimesh e sjelljesh korrekte sa dhe qytetare. Në këtë mënyrë iu pritet rruga komunikimeve banale, jetës së pamoralshme, si dhe mungesës së kritereve të vlerësimit të sjelljes së mirë dhe të ndarjes prej saj si sjellje e keqe apo e pa hijshme.

Si unë dhe shumë kolegë/e, jemi realisht të shqetësuar sepse sipas mendimit tim, jeta moderne në shoqërinë tonë ka marrë deformime të thella, të cilat e kanë çuar situatën në marrëdhëniet shoqërore, ku jo vetëm, nuk flitet për nevojën dhe domosdoshmërinë e “etikës sociale”, dhe “normave individuale”, por akoma më keq nganjëherë kemi një situatë të rëndë (strategjikisht dhe etikisht të frikshme),sepse po ndodh një proces i rrezikshëm, të cilin filozofët, psikologët dhe sociologët e kohës moderne e konsiderojnë “proces ç’nderemi”, të etikës dhe vlerës së “arsyetimit parimor”, të njeriut.

Një situatë e tillë është e lidhur me faktin se ne kemi kaluar nga një shoqëri e mbyllur, etikisht e determinuar nga normat dhe parimet e ngurta të ideologjizimit të etikës dhe normativizimit të ngurtë të sjelljes, në një situatë vakuumi social dhe etik. Gjithsesi në shoqërinë tonë ka një “familjarizim” dhe adoptim me ca të “vërteta të deformuara”, në të cilën duket sikur nga që jemi në shoqëri moderne, liberale dhe të individualizuar nga pikëpamja e sjelljeve, që nuk ka më nevojë për parime dhe norma të përbashkëta etike.

Këtë unë e shikoj jo vetëm në realitetin empirik por edhe në teorizimat etike ultraliberale dhe ultraindividualiste, sepse dikush këtë paradoks e justifikuar me pseudo argumentin banal se: njeriu është i lirë të ndërtojë sjelljen e vet të individualizuar, duke qenë qenie “etikisht e personalizuar” dhe në thelb jo e ngjashme me të tjerët.

Tani në kohën e sotme të “pluralizmit”,  ideologjik, sa etik dhe kulturor, ku duket qartë se parimet etike të së kaluarës janë shembur, ka nga ata individë që provokojnë një “çoroditje”, sepse te ata vazhdon arsyetimi me bazë mentalitetin e së kaluarës (pra ai i para viteve 90-të), që sjellin mosbesimin për etikën, duke filluar nga normat e sjelljes dhe vlerat morale, të cilët me fanatizmin e tyre i mbrojnë (për “ego”), kur realisht i shijojnë dhe i pranojnë në heshtje të mirat dhe hapësirat e shoqërisë demokratike si dhe domosdoshmërinë e tyre, në ndërtimin e jetës dhe marrëdhënieve të reja sociale.

3

Gjithsesi si unë dhe çdo qytetar nuk mund të abstragojmë nga realitetet etike dhe zhvillimet kontekstuale të sjelljes së njerëzve tanë. Duke e parë kështu këtë realitet është e vërtetë që shqetësimet tona janë nga që sistemi klasik i vlerave tradicionale të shoqërisë shqiptare në kohën tonë është tronditur thellë dhe po braktiset çdo ditë e më shumë. Por gjthësesi , është më se e dukshme përfshi këtu individë, te të gjitha shtresat të shoqërisë tonë se e kanë të vështirë komportimin e tyre social, mënyrën e të  sjellurit në jetën publike, përfshi këtu dhe organizimet e vogla të jetës sociale. Ku si rrjedhojë ka gjithnjë e më pak vend për humanizëm, solidaritet, ndjenjë hmunitare dhe gjykime të përbashkëta konsensuale. Për pasojë jemi në një moment determinant të jetës kur në shoqërinë tonë, në marrëdhëniet sociale të njerëzve tanë në mënyrë mjaft të dukshme po spikatin ndjenjat individualizmit, paqëndrueshmërisë, ankthit, mungesës së komunikimit social, zbehjes së humanizmit, shmangies për të qenë në solidaritet me të tjerët në interes të një komuniteti të caktuar e tej.

Duke u ndodhur përballë kësaj performance me tipare të një jete moderne e  cila përballet me module të reja të “sjelljes njerëzore”, njerëzit tanë kanë të drejtë që nuk ndihen të qetë, madje janë të çoroditur sepse është rritur në përmasa të frikshme paqëndrueshmëria e lidhjeve sociale, po kështu është zgjeruar përtej kufijve normal asocialiteti, egoizmi, vetmia, qëndrimet jo korrekte ndaj njerëzve si atyre të “afërt”, të “largët”, “kolegëve/e” e tej.

Në këtë rast është e vështirë të pretendosh se shoqëria jonë mund të jetë aq deontologjike sa të mundemi sociologjikisht të bëjmë klasifikime nëpërmjet “etikës klasike”, për të ndarë vlerat nga antivlerat. Në të ardhmen, siç po duket tendenca dhe kahu social i ridimensionimit të vlerave, zhvillimet me natyrë kontradiktore, pse jo dhe kundërthënëse, do të jenë akoma dhe më të vështira, në se nuk ecim më shpejtë në kahun e ndryshimin e duhur të sistemit tradicional dhe klasik të vlerave, duke i zëvendësuar ato me një sasi parimesh dhe normash morale qytetare konsensuale dhe të mirëpranuara, që janë cilësi të reja dhe që me pa tjetër do të jenë, të përbashkëta, universale, humane dhe shumë njerëzore.

Kuptohet “pseja”, në këtë këndvështrim sepse, në shumë raste për shkak të natyrës së njohur të periudhave kalimtare apo të tranzicionit moral, shfaqet tendenca e përplasjes së sistemit të vlerave etike, të mënyrës tradicionale të jetës, që gjithnjë e më shumë ndeshet me presionet e vlerave universale, neutrale, si cilësi humane të përbashkëta dhe të ngjashme.

Sistemi i vlerave në shoqërinë tonë ka tendencën e natyrshme të largimit pa kthim nga interferimet e gabuara dhe unifikimet e shtrembëruara midis vlerave etike dhe politike, midis standardeve morale të shoqërisë super-sociale dhe shoqërisë moderne, ku ne  duam apo nuk duam, ka marrë rrugën super-individuale, me një këndvështrim të ri etik, pra të vlerave morale, të komportimit social të njeriut, që nuk i sjell ai parimet, por i determinon koha moderne dhe ritmet e personalizuara të saj.

Unë edhe herë të tjera e kam thënë, por më duhet edhe njëherë të theksojë se, ne si shoqëri jemi në një fazë me rëndësi të jetës sonë sa individuale por dhe të emancipimit nga pikëpamja sociale, duke iu referuar kushteve ekonomiko-shoqërore, ku ne punojmë dhe jetojmë. Në se tranzicioni ynë moral ka ndonjë vështirësi për tu plotësuar deri në fund, ai nuk do të jetë i lidhur aq shumë në trajtë deterministe me situatën dhe zhvillimet politike apo ekonomike, të cilat me gjithë defektet e tyre, janë procese të mbyllura nga pikëpamja sociale, irreversibile politikisht dhe konsensualisht të pranuara nga të gjithë.

Gjithsesi në këtë aspekt cilësoj se: shumë probleme dhe vështirësi do të ketë tranzicioni i jetës morale, sepse jemi futur në një kohë të re dhe që ndodhemi brenda një “terreni social”, me disa të “papritura morale”, me të cilat duhet me pa tjetër t`i mirëpresim e duhet të mësohemi.

Ne duhet të përshtatemi me natyrën morale të kohës moderne, në të cilën përgjithësisht nuk ka më “qëndrime etike”, të ngurta, ontologji fikse dhe tërësi hierarkike  numrash të vlerave morale, apo ndonjë “panteon” të paprekshëm” Etik. Ne jetojmë në kohë të reja moderne në të cilën me sa duket, asgjë që nuk i shërben njeriut, apo që është kundër dëshirave personale dhe qëllimeve pozitive të tij, sikurse kompatibilitetit social pragmatist dhe utilitarist, i cili është e vështirë të klasifikohet si: ”vlerë morale”.

Është e vështirë që në kuadrin e një shoqërie që ka mungesë stabiliteti moral dhe paqëndrueshmëri sociale, të kërkosh t`iu imponosh njerëzve nga “jashtë”, një sistem vlerash që të jenë “konstante morale”. Sigurisht në këtë prizëm del mendimi se, shumë herë disa vlera tradicionale të konfirmuara në të kaluarën, e kanë humbur forcën morale dhe ndikimin e tyre social. Ndaj kjo situatë duhet kuptuar drejt, si kusht i parë dhe i domosdoshëm për t’i dhënë përgjigjet e duhura dhe gjetur zgjidhje etike konsensuale apo të kompromisit qytetar, pa të cilat nuk do të kemi asnjëherë shanse, që të kemi “sistem të qëndrueshëm vlerash morale”, në shoqërinë që kemi përqafuar dhe që po e ndërtojmë dhe konsolidojmë çdo ditë.

Sigurisht, kjo situatë është sa natyrshmëri por dhe domosdoshmëri sepse, shumë mënyra të sjelljes të ardhura nga tradita mund të duken dhe janë të vjetra dhe pa fuqi ndikimi. Por gjithsesi, nuk ka pse ngulim këmbë në idenë mekaniciste të “formimit moral”, të qëndrueshëm në vetvete, qoftë në “kuptimin historik të vlerave”, apo si parametra të funksionimit të jetës morale, të cilat kanë qenë në të kaluarën “një pikë ndarë”, me peshë, por që koha dhe zhvillimet moderne të shoqërisë, kanë bërë që këto “vlera morale”, në kohën tonë, duke filluar nga mënyra e të konceptuarit të sjelljes dhe deri te  stili i të jetuarit mjaft kontradiktore. Në shumicën e rasteve ato janë “penguese”, duke i ballafaquar me kërkesat e kohës, gjërat më parësore të jetës, personale dhe shoqërore, pse jo, shfaqen dhe në kundërshtim me sensin pragmatist, frymën e ekonomisë së tregut, natyrën individualiste, gjatë të menduarit dhe jetuarit në shoqërinë e hapur e tej.

Për mirë apo për keq pragmatizmi, utilitarizmi, individualizmi, dëshira për sa më shumë jetë private, për sukses të personalizuar, etj, kanë kapur majat e sistemit të ri të vlerave morale të shoqërisë moderne, të cilat janë bërë “natyrë e dytë” e njeriut, “njësi matëse” në vlerësimin e vlerës së tyre. Nuk mund që në kohën tonë të kesh përfytyrim dogmatik dhe sens skolaresk, kur dihet që tani jemi pjesë e një shoqërie pluraliste, nganjëherë me qëndrime të skajshme morale dhe vlerësime relativiste, me aks dhe qëndrim të fortë individualist dhe me mënyrë jetese të personalizuar.

4

Sigurisht, unë e ndjej se, në këto kushte të zhvillimeve të vrullshme, hapjes dhe diversitetit të kulturave nuk është e lehtë që të japësh rekomandime morale, këshilla sociale, si psh. se çfarë duhet të bëjë shoqëria dhe si duhet të veprojnë njerëzit që të jenë kompatibël me “vlerat morale”, të reja apo të trashëguara nga më të mirat. Më saktë, duhet vlerësuar ajo se: “çfarë duhet bërë?”, “ajo që kërkohet për tu ndërtuar nga jeta jonë”, me module të vërteta të modernitetit, duke e përshtatur “sistemin e vlerave”, me presionin pragmatist të parimeve të jetës individualiste, si dhe me natyrën utilitariste të ekonomisë së tregut.

Me gjithë, dëshirën që kam/kemi, për të qenë “shoqëri etike”, për të ndërtuar marrëdhëniet e njerëzve mbi bazën e disa vlerave që duhet të jenë “konstante të qëndrueshme” të tregueseve moralë, është bërë mjaft e vështirë për  të gjetur “module etike”, në nivelin e vlerave të shoqërisë tonë, por gjithsesi ato duhen gjetur, përshtatur, aplikuar me korrektësi dhe qytetari që dhe shoqëria jonë t`i bëhet shoqe e pa ndarë  e qytetërimit perëndimor…?!

 

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top