Mirëqenie

November 17, 2020 | 8:57

Gratë, dashurojnë! Kjo është magjia që dinë ta bëjnë në çdo moment

Gratë dhe natyra e tyre e brishtë, eleganca e tyre e shpirtit është finesë por asnjëherë dobësi.

Ambra Hysa, diplomuar për “Financë”, e apasionuar pas letërsisë, psikologjisë, duke sjellë herë pas here reflektime të sajat.

Ambra Hysa, diplomuar për “Financë”, e apasionuar pas letërsisë, psikologjisë, duke sjellë herë pas here reflektime të sajat.

Gratë dashurojnë krahëhapur, nuk ka parashutë në dashuritë e tyre, duke i shkuar kundër çdo pritshmërie, kundër çdo shenje e paralajmërimi të arsyeshëm se mund të jetë një katastrofë.

Dashurojnë ndërsa bëjnë pazar, e kërkojnë me ankth se çfarë të vendosin në kosh, për t’i rrëmbyer një buzëqeshje atij që i pret.

Dashurojnë kur gatuajnë, me aq dashuri dhe përkujdesje, kur dekorojnë tryezën me peceta të kuqe dhe trëndafila në vazo të mëdha.

Dashurojnë kur vendosin pak grim mbi mollëzat që shkëlqejnë, dashurojnë në heshtje ndërsa fiksojnë telefonin që i flet për indiferencë dhe egoizëm, ndoshta duke u betuar se kjo do të jetë hera e fundit që shpresojnë apo besojnë në dashuri.

Gratë dashurojnë, ndërsa vërtiten netëve nëpër shtëpinë e heshtur, në errësirë, kur të tjerët flenë të qetë.

Dashurojnë kur rregullojnë thonjtë, presin flokët duke shpresuar se ndoshta dikush do ta vërë re.

Gratë dashurojnë, para një kafeje me shoqet, kur duke buzëqeshur tregojnë… dashurojnë në heshtje, në frymëmarrjet e shpeshta me sy mbyllur e zemër hapur. Gratë dashurojnë mes lotëve e frikës të të mosqenit mjaftueshëm: mjaftueshëm të bukura, mjaftueshëm të zonjat, mjaftueshëm të forta, mjaftueshëm të dashuruara , mjaftueshëm interesante.

Dashurojnë në pritje të dikujt që të vijë t’i shpëtojë ose thjesht t’i marrë për dore e t’i dojë pak më shumë se ato veten, ndoshta.

Ky është problemi i grave, dashurojnë.

Kjo është gjithë bota e tyre, në këtë magji që dinë ta bëjnë në çdo moment, ndoshta ashtu padashur.

Dashurojnë, sepse zemra e tyre kështu është gatuar, janë gra dhe nuk mund të bëjnë ndryshe.

Dashurojnë.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top