Radiografi

May 17, 2018 | 12:30

Hatixhe Llukaj / La femme de Biogénie     

Tanimë ajo i është përkushtuar të njëjtës moto të cilën e ka adaptuar prej kohësh: “Të punosh dhe vetëm të punosh”. E padyshim, në këtë jetë plot rivalitete e ambicie të pakontrolluar, puna e ndershme dhe e përkushtuar sjell gjithçka të mirë që duhet për veten dhe familjen. Pjesa tjetër, ajo që është e pavarur prej njeriut, ka të bëjë me dorën e padukshme hyjnore e të gjithëpushtetshme, me atë që i rregullon a i shprish gjërat sipas një logjike superiore, dhe që në tokë vjen me të njëjtin emërues: fat. Por ajo mendon se tashmë me fatin ka mbaruar punë, përderisa ka ndodhur mrekullia.

Nga çasti kur u bë pjesë e një shkolle franceze, ku flitej për estetikën dhe metodat më moderne të trajtimit, edhe ajo ëndrra që vazhdonte të mbahej “mbyllur në sirtar” shpërtheu jashtë saj për t’u kthyer në një realitet plot jetë e nuanca të pafundme. Hatixhe Llukaj, kjo grua e fortë dhe plot ndjenja, që ka çarë me inteligjencë në rrugën e biznesit, ku njihet me Salon Beauty Farm, thotë se ndihet e përmbushur në jetën e saj. Ndaj për të mbajtur të shëndoshë lidhjen mes jetës shpirtërore dhe asaj fizike, i është përkushtuar punës. E si për ta bërë krejt të bindshme, shprehet se vullneti për t’i shkuar deri në fund qëllimit që i ka vënë vetes është dhe pjesa më e mirë që i njeh brendësisë së saj.

Dhe duket se për të gjithçka është në një lëvizje të pandërprerë, ku vetëm ecën përpara, dhe për më tepër zhvendoset në qendër, aty ku puna dhe jeta marrin më shumë dimensione se në letrat plot terma të leksioneve. Me vlerësimin për të bukurën dhe vëmendjen ndaj një imazhi të kuruar, Hatixhe Llukaj, ka kthyer në sfidën e saj të përhershme produktin “Biogénie”. Për më tepër ajo ka rrokur dhe ekskluzivitetin e këtij produkti estetik për Shqipërinë, ndaj dhe tani në tregun tonë dominon “Biogénie Albania”.

Ju gjej në një periudhë kohe ku angazhimet flasin më tepër se fjalët. Si ju bën të ndiheni ky fakt?

Shumë mirë. Është një sipërmarrje në lëvizje, që nuk kërkon vetëm fuqi, por edhe psikologjikisht, sepse do energji mbi të gjitha, edhe pse një femër nga natyra ka edhe shqisën e gjashtë, atë të mprehtësisë, inteligjencës që e ka në vetvete. Të vazhdoj përpara me mund, të punoj. Emocionalisht ndihem pak e lodhur, por e realizuar në qëllimet që i kam vënë vetes. Por jeta nuk ndalet këtu, do vazhdoj akoma, sepse nuk është thjesht një qëllim. Në vazhdimësinë e saj i kam vënë shumë prioritete vetes. Në rastin tim konkret, në atë të të bërit biznes, që ka një ndërveprim dhe një fushë më të gjerë për të bërë, siç është ana estetike dhe e kurimit të qenies femërore. Kjo gjë më bën ta orientoj edhe më shumë gjithë vëmendjen e angazhimin në atë që kam marrë përsipër të bëj.

Je e vetme në të gjithë këtë angazhim?

Jo, kam fort pas vetes bashkëshortin tim, i cili më ndihmon. Ndërsa për pjesën profesionale jam vetëm. Në terrenin profesional, ju e keni shtrirë investimin për së pari në Shkodër, e mandej prej disa muajsh e keni zgjeruar aktivitetin edhe në Tiranë.

Sa e vështirë ka qenë për ju?

Është shumë e vështirë, por në Tiranë kam ardhur me mendimin se do eci përpara, sepse janë vetë produktet, aparaturat ato që më bëjnë për ta çuar më lart gjithë këtë investim. Janë shumë të mira.

Në gjithë këtë ndryshim të jetës suaj, si i shihni hapat që keni hedhur deri më sot? Si e gjykoni veten tuaj deri këtu ku keni arritur? A ka një moment që keni menduar si keni arritur deri këtu?

Është e vërtetë që e pyes veten, sepse nuk e kisha menduar që do të arrija deri në këtë pikë, por mendoj se do të eci më shumë përpara për të arritur objektivat që i kam caktuar vetes.

Të qenit sipërmarrëse, ka edhe problematika, siç është përballja me staturën mashkullore. Sa e keni ndjerë këtë gjë?

Meshkujt janë më të mirë për të bashkëpunuar, si në aspektin juridik të bërjes së procedurave për hapjen e licensimin e qendrës apo bashkëpunimeve të tjera. Janë më të komunikueshëm, janë më të rregullt, në kuptimin e bërjes së punës. Nuk e kanë pjesën e smirës e të xhelozisë, gjëra që të krijojnë probleme. Ndërsa ne femrat jemi pak më xheloze.

Pse pikërisht estetika kryefjalë e angazhimeve tuaja? Si u bëtë pjesë e saj?

Gjithçka mori udhë në vitin 2004. Me vlerësimin për të bukurën dhe vëmendjen ndaj një imazhi të kuruar, fillimisht ndoqa një kurs parukerie. Kjo ishte një indicie për të parë botën e vërtetë në aspektin e të kuruarit të bukurisë dhe asaj që realisht më shërbente mua. Atë kohë u hap në Shkodër një shkollë, qendër për specializim estetik ku ishte një mësuese franceze Danielle Mondoloni. Ky kurs më tërhoqi aq shumë, saqë ma ktheu vëmendjen për t’u marrë përfundimisht me estetikën. Më ngacmoi më shumë se sa një diplomë kjo fushë. Kjo shkollë e huaj ishte më e qëndrueshme, po ta krahasosh me një shkollë fillestare shqiptare, pasi ne nuk ishim plotësisht të specializuar në këtë fushë. Në atë shkollë ishim dhjetë vajza dhe mësimi bëhej vetëm në gjuhën frënge.

Sa e vështirë ishte, duke marrë parasysh gjuhën e huaj, por edhe pjesën teorike në praktike?

Ishte e vështirë, sepse në atë kohë sapo kisha lindur fëmijën e tretë. Ishte diçka që kërkonte ngarkesë, përkushtim, kohë fizike. Por ia arrita qëllimit.

Për çfarë ke sakrifikuar më shumë gjatë kësaj periudhe vetëm që të specializoheshe në këtë fushë, që të merrje këtë diplomë?

Në atë kohë vajza e tretë ishte shumë e vogël, ndërkohë që mua më duhej shumë kohë për të mësuar, që të isha e përgatitur. Më e vështira ishte pjesa e gjuhës frënge, të cilën e pata pak problem për sa i përket mënyrës teorike, sepse nuk e njihja si gjuhë. Por ishte një shkollë shumë e fortë dhe nuk mund ta mendoje ta fitoje lehtë atë diplomë, e cila duhet thënë se po më shërben mjaft mirë prej asaj periudhe e deri më sot. Ishte një shkollë e mirëfilltë, pasi përfshinte jo thjesht mësimdhënien në fushën e estetikës, por edhe të të bërit marketing e jo vetëm.

Si ia dolët ta përvetësonit shpejt këtë profil?

Për mua merita i takon mësueses, e cila ishte shumë e aftë për ta përcjellë lëndën e për të na e ngulitur, deri sa të na aftësonte edhe ne.

Në aspektin psikologjik ju thoni se ajo ishte shumë e aftë dhe e zonja për të përçuar lëndën dhe për t’ju bërë profesioniste të vërteta. Emocionalisht si u ndiet pas shkollës?

Shumë shpejt pata përfitimet e para. Më ofruan punë të menjëhershme në këtë fushë, u frymëzova pa masë dhe kjo gjë më dha motivin për të ecur përpara.

Vullneti… sa ia njeh vetes si armën më të fortë?

Kjo është pjesa më e mirë dhe e rendis si cilësinë e parë që ia njoh vetes. Mandej, të kesh besim në vete apo në punën që bën dhe e treta është të punosh e vetëm të punosh.

Po fati?

Me fatin kam mbaruar punë. Besoj se fati më ka bërë që të jem e përmbushur në jetën time dhe më ka mbetur vetëm të punoj.

Ishte estetika pjesë e nostalgjisë apo ëndërr në sirtar?

Jo. Ideja ishte vetëm të plotësohesha në një dimension që t’i vinte për shtat profilit tim, dhe kjo shkollë që zgjodha i dha udhë pikërisht profesionit të të qenit estetiste. Ëndërr në sirtar ishte ndoshta të qenit parukiere nga ajo që kisha modeluar në fëmijëri, pasi për fushën e estetikës nuk kisha dijeni. Dhe ndodhi një mrekulli që në atë vit u bëra pjesë e kësaj shkolle franceze.

Përfaqësoni distributorin e një prej produkteve kozmetike më në zë në Francë dhe jo vetëm. Si u njohët me z. Jean Min, themeluesin e Biogénie?

Njohja e parë me produktin Biogénie ishte përmes produkteve të shkollës. Aty krijuam kontaktet e para. Ne punonim me këto produkte. Marka Biogénie është në treg prej 25 vitesh, ndërsa unë jam bërë pjesë e familjes Biogénie prej 10 vitesh.

Cilat janë produktet që ofroni sipas moshave dhe gjinive?

Pjesa e estetikës është si të kujdesesh ashtu siç duhet për veten. Produktet nisin që nga ato të hidratimit, anti-rrudhë, problemet e moshës. Pra ka një gamë të gjerë për të gjitha grupmoshat e gjinitë.

Femrat apo meshkujt zgjedhin që të kurohen më shumë?

Femrat janë pjesa më e ndjeshme e kurimit estetik, por edhe meshkujt nuk qëndrojnë pas. Në Tiranë ndoshta është pak më ndryshe se sa në Shkodër, ku ka dhjetë vjet që kam qendrën time, por megjithatë ka vlerësime, të cilat duhen marrë shembull. Meshkujt kanë nevojë për një trup të mirë dhe lëkurë të pastër. Ndërsa femrat kanë më shumë detaje, për të cilat investojnë edhe më shumë.

Në qendrat tuaja ju kujdeseni vetë për trajtimet. Pse ndodh kjo? Nuk keni besim apo “bëje mirë, bëje vetë”?

Jo se nuk kam besim, por më pëlqen ta jetësoj profesionin tim. Është një adrenalinë që e përjetoj, pas një pune me përkushtim dhe pasion. Ndjej kënaqësinë në atë që më fal edhe merita. Dashuria për punën është shumë më e qëndrueshme dhe e rezistueshme se sa thjesht të bërit profesion.

Pas kaq vitesh përvojë, ju ka shkuar në mendje të tërhiqeni dhe të lini stafetën, apo çdo gjë në kohën dhe vendin e duhur?

Nuk do të tërhiqem deri sa të kem fuqi. Ndoshta për një dhjetëvjeçar jo.

Po fëmijët, duke qenë se i keni të rritur, sidomos vajzat, i përfshini në kulturën e bio-estetikës? Cilat janë këshillat tuaja?

Unë i këshilloj të mësojnë. Kam qejf që t’ua jap profesionin tim. Këmbëngul më shumë te vajzat dhe kam mendimin se vajza e vogël do të mund ta çojë stafetën deri në fund. Ajo ka shumë prirje në pjesën estetike, të së bukurës. Për mua, kujdesi për veten do të thotë shumë. Djali më pëlqen që të jetë pjesë e Biogénie Albania në fushën e menaxhimit.

Duke qenë se në këtë numër të revistës flasim për kulturën e punës. Cili është shembulli juaj? Sa i mëshoni këtij fakti në komunikimin e vazhdueshëm me fëmijët?

Për mua është shumë e rëndësishme t’i përcjellësh fëmijës kulturën e të punuarit, jo thjesht për të sjellë të ardhura, por për ta bërë atë të ndihet i vlerësuar për aftësitë dhe produktivitetin që jep. Puna është gjëja më e mrekullueshme. Po nuk punove nuk jeton dot në të gjitha drejtimet. Çdo lloj pune është me vlerë.

Keni pasur edhe ju vetë këtë model?

Po. Prindërit më kanë mbështetur vazhdimisht bindjen që puna është mjaft e rëndësishme për ekzistencën e njeriut. Më së shumti nëna, së cilës i është dashur të kujdesej më shumë në këtë drejtim, pasi babai ishte ai që punonte për të mbajtur familjen. Nëna ishte ajo që na thoshte vazhdimisht “punë, punë, punë dhe vetëm punë”.

Flasim sërish për linjën kozmetike që përfaqësoni. Hera e parë besoj ka pasur vështirësitë e veta deri në finalizimin e futjes së këtij produkti në tregun vendas. Po sot si vijon të jetë?

Sot produktet Biogénie përfaqësohen në treg më mirë se dje. Marka është më e përhapur dhe më e pranueshme në treg. Është shumë më e lehtë për t’ua shpjeguar klientëve, pasi ato e njohin tashmë dhe ia dinë vlerat. E mira e produkteve Biogénie është se efekti i tyre është i menjëhershëm.

Si veproni për të testuar lëkurën e çdo klienteje dhe për t’i bërë trajtimet që i nevojiten?

Nuk e përdor asnjëherë aparaturën për të zbuluar defektet e lëkurës, por punoj me bulëzat e gishtave për të identifikuar nëse është mikse, e thatë apo e yndyrshme. Nuk është e nevojshme të përdor rreze dhe këtë e kam mësim nga shkolla.

Nëpërmjet Biogénie, padyshim keni krijuar edhe miqësi të reja, ku njëra prej tyre ishte dhe e ndjera Firdez Hafizi. Çfarë do të thotë për ju të jeni grua e fortë dhe sa ju ka bërë të tillë aktiviteti që ju menaxhoni?

Fjala grua është shumë e madhe. Ajo nuk përfaqëson vetëm shtratin e pjellorisë, por edhe gjithë forcën tjetër të menaxhimit të jetës. Për mua gruaja është më inteligjente, pasi mundohet më shumë për të ecur përpara. Meshkujt janë më pak frikacakë. Firdesi ka qenë një grua shumë e mirë. Fatkeqësi për atë që i ndodhi. Janë gjëra të cilat nuk duhen lejuar të ndodhin, nuk duhen lënë fëmijët në rrugë të madhe. Ky është një fenomen tronditës, sepse personi në fjalë në vend që t’i merrte jetën gruas, mund t’ia hiqte vetes.

Si është për ju të qenit grua në Shqipëri, në profesion, si familjare, bashkëshorte, mike? Si i gërshetoni rolet?

Mundohem t’u përshtatem të gjithëve, por me pak vështirësi, pasi primare kam familjen dhe punën. Tri fëmijët e mi Çeltina, Amin dhe Melanda, pa lënë mënjanë dhe bashkëshortin, janë streha e dashurisë pa të cilët nuk mund të merrte kuptim jeta ime. Po ashtu edhe Salon Beauty Farm plotëson synimet që unë i kam vënë vetes, ndaj të dyja, si familja edhe puna janë të rëndësishme.

Po në qendrat tuaja, si e shikoni emancipimin e gruas? Thuhet se ato janë dhe një sallon i mirë terapie ku mund të rrëfesh pa doreza e të marrësh mendimin e cilësdo nga klientet?

Kur jam në Shkodër, kur filloj të punoj nuk flas fare. Thjesht klientet mundet të flasin me njëra-tjetrën dhe funksionon ky lloj komunikimi. Është një terapi ku gjen mbështetje, marrin mendime, çlirojnë energjitë negative, të cilat thuhen dhe vdesin aty.

Sa e pengojnë zhvillimin e një biznesi paragjykimet?

Është e vërtetë që mund të ketë paragjykime sidomos në momentet e para, por kohët ndryshojnë e rrjedhimisht është zbehur paksa kjo pjesë.

Më pëlqen arkitektura e qendrës suaj, e cila është e ngjashme me simotrën e saj në Shkodër. Sa ndikon harmonizimi midis risive në estetikë me estetikën si imazh?

Më pëlqen e bukura, qetësia, sepse kur klientët vijnë këtu duhet të ndjejnë edhe relaksin sipas kushteve që ofron vetë qendra. Pra, fokusi ynë nuk janë vetëm trajtimet, por edhe të ndihen mirë me ambientin, ta ndjejnë veten të përkëdhelur në aspektin e mirëqenies shpirtërore. Te ne çdo klient është i preferuari ynë.

Ka vend për pengje dhe kujt i kërkoni ndjesë?

Nuk kam pengje që të më brengosin, por përkushtimi ndaj bashkëshortit dhe fëmijëve është ajo pjesa ku më vjen keq e më ngacmon sedrën, pasi nuk gjej kohë të mjaftueshme për të qenë me ta në çdo moment.

Cila është jeta juaj jashtë sipërmarrjes dhe angazhimeve profesionale? Keni ju kohë të lirë për veten?

Nuk jam edhe aq e angazhuar për veten. Nuk kam kohë. E vetmja kohë e lirë që mund të më gjendet aty për aty është të shkoj të takoj prindërit.

Cilat janë hapësirat ku gjeni paqen dhe qetësinë?

Udhëtimet janë pasioni im, deti dhe natyra. Aty gjej qetësinë. E drejtoj vetë makinën dhe kjo është dhe një lloj adrenaline që më përmbush dhe në momentin kur më duhet të jem në timon, e shfrytëzoj si kohën time të lirë për të gjetur paqen brenda vetes.

Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 124

To Top

Powered by themekiller.com anime4online.com animextoon.com apk4phone.com tengag.com moviekillers.com