Psikofakt

October 10, 2020 | 8:20

Mbi “shtegtimin elitar” të vendit tonë, emigrimin

 

Të rinj që duan të largohen, të kualifikuar që kërkojnë punë jashtë, prindër që mbesin të vetmuar në pleqëri. Emigrimi po e godet fort Shqipërinë. Ekspertët kërkojnë strategji të posaçme për përballimin e fenomenit.

Ambra Hysa, diplomuar për “Financë”, e apasionuar pas letërsisë, psikologjisë, duke sjellë herë pas here reflektime të sajat.

Ambra Hysa, diplomuar për “Financë”, e apasionuar pas letërsisë, psikologjisë, duke sjellë herë pas here reflektime të sajat.

Shprehja “guri i rëndë në vendin e vet” duket se nuk po vlen më për shqiptarët. Me sytë përtej kufirit, themelet e së ardhmes ata kërkojnë medoemos t’i hedhin larg Shqipërisë.

Përse emigrojnë shqiptarët?

Një situatë e tillë i ka nxitur sociologët, psikologët dhe ekspertët e ekonomisë të hulumtojnë mbi arsyet e këtij largimi masiv. Ekspertët e ekonomisë bëjnë përgjegjës standardin e ulët të jetesës, nivelin e lartë të papunësisë, si dhe nivelin e ulët të pagave, sipas tyre më e ulëta në rajon. “Ky largim tregon pasigurinë e tyre për të ardhmen”.

Papunësia është elementi kyç që i shtyn kryesisht të rinjtë t’i kthejnë shpinën atdheut të tyre por jo vetëm, nga Shqipëria po largohen edhe moshat e mesme, ata që e kanë një pozicion pune dhe një status, profesionistët. Ata që po braktisin sot vendin janë të lodhur nga pritja e vazhdueshme për zbatimin e reformave në ekonomi, politikë, arsim dhe shëndetësi. Faktorët e shumtë çojnë edhe në një sërë pasojash të rënda për shoqërinë shqiptare. “Emigracioni i fundit jep pasoja të fuqishme demografike dhe social-ekonomike, siç është boshatisja e vendit, plakja e popullsisë, ulja e numrit të lindjeve, në të cilat emigracioni ka “peshën e luanit”, sepse ata që largohen nga vendi janë përgjithësisht moshë e re, me aftësi të mëdha prodhuese. Një pjesë e mirë e tyre janë elitarë nga pikëpamja profesionale dhe kjo është shqetësuese. Po ikën elita e vendit, “truri”, largimi i profesionistëve siç janë inxhinierët, mjekët, punonjës të IT-së, infermierë, mësues, të cilët kur largohen nga vendi, krijojnë boshllëqe që nuk mund të plotësohen kollaj. Për ta është investuar dhe largimi i tyre krijon hapësira të mëdha”.

Problemi i largimit të Personelit Shëndetësor mjekë dhe infermierë jashtë shtetit, nuk është i ri. Po të shikojmë  se përse largohen Infermierët dhe Mjekët nga Shqipëria, mund të vërejmë gjithashtu po këtë problem: Keqmenaxhim të burimeve njerëzore dhe të financave.

Përse? Sepse rrogat janë të vogla në raport me: shkollën e bërë nga mjekët, dhe teknikët mjekësorë, sepse nuk jepen bonuse për çdo veprim shëndetësor jashtë orarit dhe suplementar, sepse për infermierët gjithashtu nuk është bërë diferencimi në kategori të infermierëve, dhe të gjitha me vjetërsi pune apo pa vjetërsi punë marrin rroga të njëjta.

Gjatë periudhës së pandemisë Covid-19 emigrimi elitar u vu në qendër të vëmendjes, sepse të shikoje mjekët shqiptarë të shërbenin me profesionalizëm në spitalet më prestigjioze të botës ndërkohë që në spitalet tona ka mungesë të madhe të stafit mjekësor dhe profesionistëve, është plagë e hapur që lëngon edhe më shumë në kohë të vështira.

Emigrimi elitar por jo vetëm, është një hallkë e keqmenaxhimit të politikës shqiptare dhe përsa kohë, të mos njohim asnjë përmirësim në standardin e jetesës, vështrimi ynë do të vazhdojë të mbetet përtej atdheut.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top