Në fokus

October 19, 2020 | 8:15

Mirënjohja e lartëson njeriun, sepse sjell mirësi për trupin dhe shpirtin

Është një virtyt padiskutim, është një muskul që përmirësohet sa herë që ti e ushtron, e përdor dhe e ndjen thellësisht në shpirt. “Ata që janë mirënjohës, do të gëzojnë gjithçka kanë dhe të mirat e tyre do të shumohen, e ata që janë mosmirënjohës do t’i humbasin edhe ata pak që kanë”.Si ta kuptojmë më mirë këtë thënie shumëvjeçare?

Ambra Hysa, diplomuar për “Financë”, e apasionuar pas letërsisë, psikologjisë, duke sjellë herë pas here reflektime të sajat.

Ambra Hysa, diplomuar për “Financë”, e apasionuar pas letërsisë, psikologjisë, duke sjellë herë pas here reflektime të sajat.

“Të pasurit do të pasurohen edhe më shumë, e të varfrit do të varfërohen edhe më tepër”.

Të gjitha besimet e predikojnë mirënjohjen, sepse mirënjohja përveçse funksionon më së miri me ligjet e universit për të sjellë mirësinë dhe begatinë në jetën tënde, është ilaç, është antioksidant për trupin dhe për shpirtin. Nëse njeriu nuk edukohet me mirënjohjen që në fëmijëri, ai mund ta mësojë atë, mund ta bëjë pjesë të pandashme të jetës derisa mirënjohja të bëhet natyra e tij e dytë.

Mbi të gjitha virtytet, njeriun e lartëson mirënjohja, pa të njeriu është asgjë, sepse ne kemi lindur për të qenë mirënjohës. Vetëm nëse e përvetësojmë këtë ndjesi dhe e bëjmë pjesë të këndvështrimit tonë edhe mbi gjërat më të vogla të kësaj jete, do të ecim përpara.

happy-beach-fence-friday

“Mosmirënjohja është thelbi i poshtërsisë”, ka thënë Immanuel Kant.

Nuk mund të ketë njeri më të humbur dhe të dështuar në të njëjtën kohë sesa ai që nuk është falenderues për diellin dhe shëndetin e tij çdo mëngjes. Nëse ti e sheh diellin çdo ditë dhe gëzon shëndet të plotë, të është dhënë një mundësi e re dhe duhet të vraposh ta rrëmbesh. Nëse nuk je mirënjohës përballë një panorame të tillë, faji është plotësisht i yti.

Por si ta mësojmë mirënjohjen?

Mjafton të mendojmë një moment për gjithçka që na është dhuruar dhe ne e konsiderojmë si të mirëqenë. Një nga efektet më të këndshme të mirënjohjes është se, ajo krijon më shumë emocione dhe njerëzit mirënjohës janë gjithashtu, në mënyrë të vazhdueshme, më pozitiv. Njerëzit mirënjohës janë më optimistë, më bujarë dhe madje edhe më të lumtur. Sepse mirënjohja rrit prodhimin e dopaminës dhe të seratoninës, të ashtuquajturat hormone të lumturisë.

Në fillim të vitit 2003, psikologët Robert E. Emmons nga Universiteti i Kalifornisë dhe kolegu i tij McCullough treguan se, një ditar mirënjohjeje mund të jetë një mënyrë efikase për përballimin e krizave personale. Mirënjohja gjithashtu ndryshon edhe trurin. Sepse çdo aktivitet që ne bëjmë, çdo emocion që ne kemi, ka impakt mbi strukturën e trurit. Kjo mundësi e ndërhyrjes aktive në zhvillimin e qelizave tona gri quhet “neuroplasticitet”. E konsideruar shpesh si “motra e lumturisë”, mirënjohja mund të na ndryshojë jetën.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top