Pika referimi

January 13, 2020 | 8:03

Nga Ambra Hysa: Duhet të mësojmë ta trajnojmë mendjen, si zakoni më i mirë dhe prodhues i jetës

 

Në disa prej reflektimeve të mija, i referohem fëmijërisë, si pikënisje dhe si busull orientimi, si burim i çdo gjëje, sepse gjithçka fillon dhe vijon me fëmijërinë, atë të hershmen, qëkur merr nuancat dhe ngjyrimet e para personaliteti.

Ambra Hysa, diplomuar për “Financë”, e apasionuar pas letërsisë, psikologjisë, duke sjellë herë pas here reflektime të sajat.

Ambra Hysa, diplomuar për “Financë”, e apasionuar pas letërsisë, psikologjisë, duke sjellë herë pas here reflektime të sajat.

Në fëmijëri “i qendisja” mendimet, zakonisht në vetmi, edhe pse nuk më mungonte afërsia dhe dashuria, në vetmi “rritesha”.

Vetmia, rrit fëmijët por edhe të rriturit, nuk duhet të kemi frikë prej saj, sepse në të vërtetë ajo na shërben si urë lidhëse, që ne të marrim vendimet tona më të rëndësishme në jetë.

I rikthehem fëmijërisë. Sa prej nesh janë pyetur që atëherë: “Çfarë dëshiron të bëhesh kur të rritesh”? Sa prej nesh kanë qenë të qartë në përgjigje? Sa prej nesh e kanë ditur gjithmonë rrugën që duan të ndjekin? Ato që e kanë njohur zërin e tyre të brendshëm që atëherë, dhe kanë ditur ta dëgjojnë e zhvillojnë, i kanë pasur idetë e pastra kristal gjithmonë, nuk ka pasur devijime. Të tillë janë me fat.

Por a lind pasioni me njeriun apo ndërtohet duke u përshtatur me rrethanat, mjedisin dhe stilin e jetesës?

Ëndrrat ndahen në dy kategori: në fllade të lehta, të cilat nuk ushqehen, i merr era dhe treten, dhe të tjera me baza të forta dhe dashuri të madhe, të vetmet që rriten brenda nesh dhe mbesin. Për t’i rritur dhe ushqyer këto ëndrra, duhet treguar DISIPLINË. A është e vështirë dhe a të kushton disiplina ndaj vetes? Sigurisht që po, por jo aq sa PENDESA.

Disiplina është një zakon cilësie, është një zakon aq i mirë, efektiv, dhe mund të kthehet shpejt në mënyrë jetese, nëse ti e ushtron mirë. 

Nëse mëson disiplinën ndaj vetes, ndaj kohës, ndaj mendimeve, ndaj punës, duke i dashur me pasion të gjitha këto, ke mësuar një nga sekretet e jetës.

Disiplina të ndihmon të marrësh frerët në dorë. Vërtet nuk mund ta ndalojë kohën, orën, minutat, por ndihmon që ti ta përmbushësh atë me gjëra të rëndësishme, me gjëra që ty të vlejnë, me gjëra që ty të përmbushin, me gjëra që ty të shtyjnë çdo ditë përpara dhe të bëjnë më të mirë, nga se ishe dje.

Për ta konkretizuar, po marr një shembull të thjeshtë: Nëse ti, vendos të mos konsumosh më ushqime që dëmtojnë shëndetin tënd, që të ndihmojnë të humbasësh në peshë, dhe të bësh një jetë të shëndetshme, ky vendim varet nga sa i disiplinuar do të tregohesh ti çdo sekondë të ditës tënde… javës, muajit, vitit… dhe si rrjedhojë, jetës!

Disiplina mësohet ngadalë dhe i vishet personalitetit tonë. Truri ynë është i aftë të përthithë dhe mësojë ÇDO GJË, i vendosim ne limitet.

Duhet të mësojmë ta trajnojmë mendjen, dhe ta fokusojmë tek vetë-disiplinimi, si zakoni më i mirë dhe prodhues i jetës.

Me hapa të vegjël, mund të ecim shumë përpara, të vetëdisiplinuar mirë, si një ushtrim që ia bëjmë mendjes, duke fituar elasticitet dhe përmbushur qëllimet e vogla që i vëmë vetes, sepse nëse mësojmë të realizojmë mirë qëllimet e vogla, mund të bëjmë mirë edhe ato të mëdhatë.

Gjithçka vjen shkallë-shkallë, dhe Ti je në ngjitje.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top

Powered by themekiller.com anime4online.com animextoon.com apk4phone.com tengag.com moviekillers.com