Psikofakt

February 21, 2020 | 8:11

Nga Ambra Hysa: Një anije pa busull dhe një shoqëri pa orientim, nuk ka fund tjetër veçse… të mbytet.

 

Shoqëria jonë i ngjan një anijeje në mes të oqeanit, me mundësinë dhe forcën për t’ia dalë mbanë, edhe kur ka stuhi e dallgë të trazuara… por i duhet një kapiten i mirë, i cili beson dhe lufton fort deri në mohimin e vetvetes.

Një shoqëri lëviz përpara dhe nuk ngec në vend, nën drejtimin e një udhëheqësi jo vetëm vizionar, por një njeriu që digjet brenda nga dëshira për të çuar vendin përpara.

Ambra Hysa, diplomuar për “Financë”, e apasionuar pas letërsisë, psikologjisë, duke sjellë herë pas here reflektime të sajat.

Ambra Hysa, diplomuar për “Financë”, e apasionuar pas letërsisë, psikologjisë, duke sjellë herë pas here reflektime të sajat.

Çdo ditë ka zhurmë për pushtet, ka zhurmë për të kthyer përgjigje dhe jo për të dëgjuar problematikat e vërteta.

Ka fasadë, ka luftë dhe stres të vazhdueshëm, që mbingarkohet tek populli, për t’u vetëpasuruar, për të fituar më shumë pushtet, dhe për të përcjellë gjithnjë e më pak rezultate.

Uji, po hyn brenda në anije çdo ditë.

Njerëzit po largohen, po hipin në anije të tjera, ndërsa po e braktisin atë të tyren, e cila vazhdon të fundoset. Një anije pa busull, dhe një shoqëri pa orientim, nuk ka fund tjetër, veçse…të mbytet.

Shoqëria jonë ka rënë në gjumë letargjik, dhe po fundoset thellë. Heshtim në kolektiv, dhe kjo është zgjedhje e jona. Heshtim kur duhet në fakt të rebelohemi, heshtim kur duhet të flasim, kur na mohohen çdo ditë të drejtat tona më minimale, heshtim dhe qëndrojmë duarlidhur me sytë nga njëri-tjetri.

Por kur do të zgjohemi? Kur do të flasim? Kur do t’i ndalojmë pritshmëritë që kemi ndaj të tjerëve? Kur do të kuptojmë se momenti për të startuar është pikërisht atëherë kur nuk ndihemi gati?

Kur do të kuptojmë se ne jemi ZËRI dhe që secili nga ne është i aftë për të sjellë ndryshimin?

Kemi nevojë të ushqejmë fokusin, të ushqejmë qëllimin që digjet brenda nesh duke “i hedhur benzinë zjarrit”.

Gjithçka tjetër është dytësore, gjithçka tjetër që na shpërqendron nga motivi kryesor është kosto, është një hap larg finales.

Çfarë ryshfeti marrin për të heshtur?

Me cilën rrogë na paguajnë për t’i braktisur ëndrrat?

Nuk i duhen marrë rinisë ëndrrat, lërini të ëndërrojnë, me çdo kusht.

Ëndërrimtarët, janë ato që në fakt nuk flenë kurrë.

Kjo është rinia që na duhet, guximtarë dhe ëndërrimtarë të përjetshëm, të cilët nuk heqin dorë nga ëndrrat e tyre në këmbim të asgjëje.

Kemi nevojë të kultivojmë mes nesh udhëheqësit e mirë, kemi nevojë ti japim formën dhe trajtën e duhur një brumi të mirë, kemi nevojë të krijojmë të ardhmen.

Të gjithë sytë tek rinia. Aty është zjarri dhe shpresa.

Mos i lini të largohen, nëse nuk ka mundësi, duhen krijuar, nëse nuk ekziston asnjë mënyrë, duhet gjetur një.

Na duhet një rini e gjallë, një rini që do të jetë nxënëse e përjetshme, që ka etje për dije dhe për informacion, për reformë dhe për zhvillim.

Na duhet një rini rebele, kokëfortë, e pamposhtur, e vendosur dhe  shumë e disiplinuar.

Na duhet një rini e pasionuar.

Pasioni do të na udhëzojë.

Një rini e motivuar, një rini e cila nuk e njeh ankesën, nuk i njeh justifikimet, nuk njeh pretekstet për të mos ia dalë mbanë.

Na duhet një rini heroinë dhe jo viktimë e vetes.

Kjo rini është mes nesh, është brenda nesh, na duhet ta zgjojmë, na duhet ta ndërgjegjësojmë, na duhet ta orientojmë, na duhet ta ndihmojmë të gjejë veten.

Na duhet të ndihmojmë anijen të mos humbasë drejtimin, na duhet ta ndihmojmë të ruajë balancën.

Na duhet të krijojmë kapitenin brenda nesh.

Na duhet, sepse vetëm ai mund të na shpëtojë.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top

Powered by themekiller.com anime4online.com animextoon.com apk4phone.com tengag.com moviekillers.com