Psikofakt

February 11, 2020 | 8:12

Nga Ambra Hysa: Për gruan shqiptare, e cila ka nevojë të ndihet e dashur dhe e përkëdhelur

 

“Vajzat e vogla me ëndrra, bëhen gra me vizion”. Nuk është shprehje klishe, është një e vërtetë e pastër si kristali. Vajzat që guxojnë të ëndërrojnë, e kanë të zhvilluar intuitën e tyre dhe dëgjojnë zërin e brendshëm që ju thërret, për të prekur ëndrrën NJË ditë, por janë gjithashtu të zgjuara mjaftueshëm të kuptojnë se çdo gjë fillon nga dita NJË.

Ambra Hysa, diplomuar për “Financë”, e apasionuar pas letërsisë, psikologjisë, duke sjellë herë pas here reflektime të sajat.

Ambra Hysa, diplomuar për “Financë”, e apasionuar pas letërsisë, psikologjisë, duke sjellë herë pas here reflektime të sajat.

Një shoqëri si kjo e jona, i vë pengesa gruas për të ecur përpara. Në rrugëtimin e saj ka shumë gurë dhe gropa, ka pesha të cilat nuk i mban dot një burrë, e megjithatë, një grua nuk ankohet kurrë.

Të jesh grua, në një shoqëri patriarkale shqiptare, bën që të përballesh me etiketime të ndryshme, aftësitë e tua të vishen me mungesën e besimit në ty dhe jo me meritën tënde.

Nëse je grua në Shqipëri do të dyshojnë në ty, do të lidhin suksesin tënd me figurën e një mashkulli, duke hedhur poshtë mundësinë, se një grua mund t’ia dalë pa kompromise, me dinjitet dhe në rrugë të drejtë, e vetme.

Foto ilustruese marrë nga AgroWeb

Është e vështirë të jesh grua në Shqipëri, kur injoranca ulet këmbëkryq në zemër të vatrës tënde, kur të mungon liria edhe në ajrin që merr, kur një ndër tre gra dhunohet fizikisht/psikologjikisht çdo ditë, dhe kur numri i vrasjeve të grave shënon veçse ditë të zeza në kalendarin e jetës.

Çdo ditë, ëndrrat e grave prehen në mes, çdo ditë një grua humbet mundësinë për të jetuar jetën e saj, për të ndërtuar rrugën e saj, duke u bërë kurban i mungesës së vetëbesimit të një burri,i mungesës së arsimit të një burri, i mungesës së dashurisë së një burri, dhe e varësisë ekonomike ndaj tij.

Çdo ditë një grua vdes dhe humbet përgjithmonë mundësinë për t’u shprehur, për të ngritur zërin… nga ana tjetër, çdo ditë një grua shkëlqen, duke dhënë shpresë, frymëzim, forcë dhe diell për të gjitha gratë tjera.

Edhe sa gjatë do të durojnë gratë?

Deri kur krisma e dhimbjes të tyre do të kumbojë fort në heshtje? Deri kur gratë do të varrosin lotët në tunelin e errësirës së mendjes në të cilin jetojnë? Deri kur gratë, do të qajnë në heshtje, do të vuajnë në heshtje, do të “pranojnë fatin” e tyre në heshtje, do të mbyten në mizorinë e jetës, në heshtje?!

Deri në frymën e fundit… deri kur jetët e tyre të brishta, të pëlcasin në mijëra copa, të thyhen, e të tërheqin vëmendjen tonë, kur të jetë tepër vonë. Atëherë, ne do të kujtohemi për të trokitur në derën e tyre, dhe ndoshta do të shkruajmë diçka për ta.

Jeta e një gruaje rrugëton në fije të perit.

Një grua edhe pse e guximshme, i frikësohet rebelimit ndaj jetës, rebelimit ndaj vetes, për shumë faktorë ekonomikë-socialë, të cilët, nëse i vendosim në peshore, gjithsesi mbeten të pavlefshëm, krahasuar me thelbësoren, jetën.

Por sa vlerë ka jeta e një gruaje në Shqipëri?

Sa durimi i një burri? Sa mendjengushtësia e tij? Sa mëshira e tij?

Ka shumë gra që kanë nevojë të dëgjojnë zërin dhe dashurinë tonë. Ka shumë gra në këtë vend që kanë nevojë të ndihen të mbështetura, të bashkuara, të forta.

Një grua ka gjithmonë nevojë të ndihet e dashur dhe e përkëdhelur, nga vetja e saj, nga gruaja përballë pasqyrës.

2

Foto ilustruese marrë nga AgroWeb

E vetmja, e cila mund ta ndihmojë. E vetmja, e cila mund ta shërojë.

E vetmja, e cila mund t’i rrëfejë se fati nuk ekziston… se ne jemi bekuar me frerët e jetës tonë, dhe se ajo gjendet në rrugë, pa frerë në dorë, me një jetë të dalë tërësisht nga kontrolli.

Por nuk është vonë, nuk është asnjëherë vonë. Jemi ne, heronjtë e vetes. Nuk ka asnjë forcë si “paraja” apo “pushteti”.

Forca më e madhe në botë gjendet brenda vetes.

Nëse një grua e vendos, mund të zhvendosë edhe malet me forcën dhe vendosmërinë e saj, sikur ta dinte… se sa lehtë, mund të largohej nga karvani i dhimbjeve, e të ndryshonte jetën.

Nuk duhet falur e pafalshmja.

As me 100 trëndafila, as 100 më fal, as me 1000 fjalë të ëmbla.

Ai që të rreh NUK TË DO.

Ai që vë dorë mbi një grua, nuk do as veten, dhe as nënën e tij.

Nuk ka kompromise mbi cilësinë e jetës.

Nuk është komfort fakti që ke një shtëpi, që të “sigurohen nevojat bazike të jetës”, nevojë bazike e jetës është të respektohesh.

Kam njohur shumë gra në jetën time. Secila më frymëzon. Secila ka një histori për të treguar, por të gjitha kanë një të përbashkët.

Gratë janë kaq të forta!

Sikur ta përdornin këtë forcë për të ndryshuar, dhe jo për të duruar! Për të folur, jo për të heshtur! Për të qeshur, jo për të qarë! Për të jetuar, jo për të vdekur.

Kulture, ARSIM… këto e definojnë identitetin e njeriut.

Por ndoshta edhe pak art… sepse Dostojevski ka thënë “Rruga drejt së bukurës do të na shpëtojë…”

Deri kur gratë nuk do ta njohin këtë rrugë?

Kush do ti udhëzojë drejt tunelit të dritës?

Kur gratë do të njohin rrugën drejt së bukurës?

Kur njerëzit të lexojnë.

Kur të ndalojmë së thirruri gratë “femra”.

Kur të ndërtojmë shtëpi plot me libra, duke i konsideruar si shërbimin më të lartë, e të domosdoshëm për njeriun.

Kur të edukojmë fëmijët të lexojnë dhe të qëndrojnë larg, mediokritetit e antivlerave që promovohen.

Kur të mësojmë se të ushqejmë mendjen është po aq e rëndësishme sa të ushqejmë trupin.

Kur të mësojmë që mendja ka nevojë të hapet gjithmonë, për të funksionuar më së miri.

Kur të japim shembullin tonë në marrëdhënie me gruan, në sy të fëmijëve.

Kur të rrisim fëmijë të shëndetshëm psikologjikisht.

Kur t’i duam dhe respektojmë nënat tona.

Nëse japim shembuj të mirë, dhe lëmë në këtë rrugëtim, gjurmët tona… e ardhmja do të jetë më e sigurt!

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top