Psikofakt

February 22, 2018 | 7:59

Nga Dorina Hoxha: A e përcakton një shoqëri e pandjeshme kufirin social të të drejtave të reja?

 

“Imperializmi i pakufi i njeriut nuk ngopet asnjëherë”- Max Horkhaimer, “Kritika e arsyes instrumentale” fq.99

Dorina Hoxha, publiciste

Dorina Hoxha, publiciste

Me ligjin Nr.18 18/2017 për të drejtat dhe mbrojtjen e Fëmijës mbi tavolinë  dhe me kompjuterin përpara pyes veten: Vetëm fëmijët në jetë mbroj unë?! Për fëmijët që nuk jetojnë më, a kam kompetencën e duhur për t’ju mbrojtur dinjitetin e cenuar?! Edhe kjo është e drejtë e një natyre tjetër njerëzore, madje do t’i shërbente edhe fëmijëve të tjerë që frymojnë e gëzojnë shëndet të plotë.

Ndodhesha në një dilemë njerëzore dhe me një ligj që e shfletoja, dhe e shfletoja, u ndala Neni 6 “Zbatimi i interesit më të lartë të fëmijës” që nënkupton, të drejtën e fëmijës për të pasur një zhvillim të shëndetshëm fizik, mendor, moral, shpirtëror e social, si dhe për të gëzuar një jetë familjare e sociale të përshtatshme për fëmijën.

Në kreun e III-të të ligjit, Neni 7 “E drejta e jetës”; Neni 8 “E drejta për të pasur një emër, shtetësi, për të njohur prindërit dhe ruajtur identitetin. Ja, njëra pas tjetrës vjen edhe NENI  17 “LIRIA E JETËS PRIVATE”. Këtu ndalem  tek pika 2, “Privatësia e Fëmijës mbrohet në të gjitha situatat, (përfshirë edhe vdekjen?!), përfshirë ato brenda familjes, institucioneve të kujdesit  shëndetësor, shoqëror e të shërbimeve. Kjo e drejtë përfshin privatësinë e marrëdhënieve e të komunikimeve me të tjerët, të drejtën për këshillim konfidencial, kontrollin e aksesit në informacionin që ruhet për fëmijët në dosjet përkatëse.

Pika 3 e Nenit 17, “Privatësia e fëmijës respektohet në të gjitha fazat e procedurave gjyqësore apo administrative, duke përfshirë edhe publikimin e tyre në media.

Pika 5 e Nenit 17, “Fëmijët nuk mund të përdoren apo të ekspozohen nga prindi, kujdestari, institucionet publike apo private për përfitime për qëllime  të përfitimit personal apo për të ndikuar vendimet  e autoriteteve publike”.

Pika 8 e Nenit 17 thotë, “Rastet përjashtimore nga mbrojtja e privatësisë bëhen vetëm nëse i shërbejnë interesit më të lartë të fëmijës” …

Nga kjo që shkruhet e thuhet në Ligj, habia ime qëndron në pyetjen:

Një foto e bërë ndaj një foshnjeje  8-muajshe dhe një fëmije 5 vjeç që ndodhen në arkivolin e mortit, a i shërben interesit më të lartë të fëmijës, që tashmë nuk kanë më jetë?!…

Kjo natyrë e “foto-lajmit” a mund të jetë një rast përjashtimor nga mbrojtja e privatësisë?!

Tragjedia e familjes Preka nga Velipoja, ku humbën jetën 4 familjarë të saj, babai dhe tre fëmijët e mitur në një aksident rrugor, ishte lajmi që tronditi opinionin publik . Aksidentet rrugore janë çështja më problematike sociale në vendin tonë, që u marrin jetën çdo ditë qytetarëve shqiptarë.  

Tragjedi të panumërta na trondisin dita-ditës, vetëm në lagjen ku jetoj unë në periferi të Tiranës, brenda janarit humbën jetën tre persona, ndër të cilët ishte edhe vëllai i një shoqes sime të shkollës.  

Fenomeni që vret çdo ditë shqiptarët, “aksidentet rrugore”.

Erion Kristo, një njeri i ditur e me mend në kokë, e ngriti aq shumë zërin sa u kushtoi edhe një studim aksidenteve rrugore. Në këtë fundshkurti, kambana e alarmit thërret se, kërkohen më shumë njerëz e përpjekje në sensibilizimin e kësaj kauze që lë plagë të thella shoqërore, jetimë e njerëz të depresionuar.

Përpjekjet për një ndërgjegjësim social nuk duhet të tjetërsojnë vlerat dhe parimet morale. Në librin e tij John Rolls, “Drejtësia si paanshmëri”, citon se: “Nëse duam të mbetemi qytetarë të lirë e të barabartë, nuk mund t’i lejojmë vetes një tërheqje të përgjithshme në jetën private”, e duke cituar një thënie kaq të qëndrueshme për ditët tona, unë do të shtoja se, nuk mund t’i lejojmë vetes një tërheqje të përgjithshme në jetën private edhe nga perspektiva e varreve.

Lajmi i tragjedisë Preka është tronditës për vetë dramën e shuarjes së një familjeje dhe 4 jetëve njerëzore, aq me tepër të fëmijëve të mitur, por kësaj tronditjeje i shtohej edhe publikimi i fotove bërë të ndjerëve në arkivolin e arkëmortit. Pashë figurën e një babai që dukej sikur buzëqeshte e ishte në paqe, ndërkohë që tronditjes i shtoheshin imazhet e dy fëmijëve të vegjël, me shenjat e marra nga aksidenti. Ishte një lajm që asnjë nënë e baba nuk do kish zemrën dhe fuqinë emocionale të përmbahej përpara asaj dhimbjeje që nuk shprehet me fjalë, e jo më të shprehet me dorën që shkrepi foton e të ndjerëve.

A është etike dhe njerëzore të fotografosh një të vdekur, aq më keq foshnje dhe ta bësh lajm?!

Kjo ishte pyetja që belbëzova pasi lexova lajmin në media dhe pashë foto kaq tronditëse të familjes Preka, babait dhe dy fëmijëve të vegjël.

Të përdorësh mjetin më barbar siç është ‘foto pa jetë’ e arkivoleve, kjo tregon se sa të pandjeshëm jemi bërë ne si shoqëri, si qenie njerëzore, ndaj fenomenit ‘aksident’, mbi të gjitha ndaj VDEKJES.

A është ky ‘foto-lajm’ një sensibilizim?! Unë u trondita!

Nëse një familjar i asaj familjeje në gjendje deliri, mbase nga dhimbja, mbase nga tronditja, shkrepi një foto para arkivoleve përpara se të varroseshin, përse një media duhet të bjerë ‘pre’ e këtij veprimi?

A mund të përdorësh foto të tilla për sensibilizim?

A mund të luash me pandjeshmërinë humane për qëllime përfitimi?

Ku shkoi kodi etik i medias për të mbrojtur interesin më të lartë të fëmijëve, mbështetur në ligjin për mbrojtjen e tyre, Neni 17, pika 5 “Fëmijët nuk mund të përdoren apo të ekspozohen nga prindi, kujdestari, institucionet publike apo private për përfitime, për qëllime të përfitimit personal apo për të ndikuar vendimet  e autoriteteve publike”?

Dikush prej jush do të thotë: E çfarë dobie ka tani që ato nuk jetojnë më?!

A mbrohet vetëm dinjiteti i fëmijëve të gjallë? A mbrohet dinjiteti i njerëzve vetëm kur jetojnë, po kur ata vdesin, mos kemi të drejtë të dhunojmë figurën e tyre, të nëpërkëmbin dinjitetin njerëzor sepse ato nuk kanë gojë të flasin më?

Atëherë, për të gjithë ju që keni kundërshtime, përse i vizitoni varrezat në qoftë se nuk ju intereson mbrojtja e interesave më të larta të fëmijëve? Në këtë rast do të ishte nëpërkëmbja e dinjitetit, shkelja e privatësisë mbështetur në ligj.

Tragjedi të tilla si drama e familjes Preka na zgjon, për t’u kujtuar se ka ardhur koha e kërkimit të ndryshimit të kufirit social të të drejtave të reja, që e sjellin veprimet e kësaj shoqërie të pandjeshme të botës virtuale. 

To Top

Powered by themekiller.com anime4online.com animextoon.com apk4phone.com tengag.com moviekillers.com