Pika referimi

March 26, 2018 | 9:46

Nga Dorina Hoxha: Bekimi i të vërtetave me veten

Kam pyetur veten pas çasteve shterp e kotësive që më ç’bënë edhe ato që mendoja se dija, dhe nuk kam marrë përgjigje. Jeta është një linjë që përparon drejt pa të pyetur e pa përgjigje, duhet të ndjekim udhëzimet e saj sepse çdo shteg tjetër na largon nga kuptimet. Të gjitha këto i mendojnë qeniet e forta që në momentin e tyre më të keq kuptojnë pafuqinë e tyre se gjithçka që kanë arritur është një asgjë e madhe që i mori dobinë.

Dorina Hoxha, publiciste

Dorina Hoxha, publiciste

Në ditët me diell e gënjejmë shumë vetveten, sepse mbase dielli na aktivizon atë anën pozitive të realitetit. Dëshirat të zbrazin edhe kuptimet, krejt papritur ndërgjegjësohesh për shterimin e tyre nga një realitet që s’të lë të vazhdosh drejt.

Kam dashur të isha gjithnjë një njeri i veçantë, aq sa e quaja të pakapërcyeshëm realitetin tim me të tjerët.

Më dukej se brenda vetes mbaja një peshë sekreti që vetëm unë isha zgjuar nga letargjia e irracionales për ta kuptuar, dhe ende të tjerët nuk e dinin. Ka rastisur se sekretin hermeneutikë që unë e mendoja të ishte një perceptim ndryshe për realitetin social, papritur kur ndihesh e rritur zbulon se sekretin tim e dinin të gjithë. Erdhi momenti të ndihesh e përgjithësuar në kontekstin historik: ‘Belbëzova me veten’.

Dija, që për mua ishte një sekret e që më bënte të ndihesha e veçantë, nuk qënkërkesh veçse një dije që e zbulon njeriu vetvetiu, me kohën nuk bëhet më e jotja, por një fenomen që na diferencon në shoqëri.

Kam shumë pyetje këtë natë, nga ato që burojnë nga skutat e errëta të mendjes për t’u zbardhur ashtu ngadalë, si dija, që vetvetiu nuk ishte sekret.

Njeriu për aq vite sa do të jetojë do jetë në kërkim të njohjes sepse ka ende plot mistere që do të mbesin të pazbuluara edhe pas ikjes sonë. Njohja e sekretit më të pazbuluar është dashuria, dashuria zbulohet kur një dorë e vogël kapet pas mëngës së bluzës e të thërret në emër, ka edhe nga ato momente kur një puthje mjafton për të t’i zbardhur të gjitha sekretet e shpirtit.

Nuk ndodh shpesh që njeriu të ndihet shpirtërisht si i zhveshur përballë një tjetri, ky moment quhet bekim i të vërtetave të mjaftueshme me vetveten. Të isha një e vërtet e pamjaftueshme me veten nuk ma lejonte krenaria ndonëse në dhomë ndihej një hapësirë e zbrazur, askush nuk mund të kuptonte se tingujt e asaj kënge rehatonin shpirtin drejt mjaftueshmërisë së gënjeshtër.

Një përpjekje mjafton ashtu si thirrja e telefonatës, për të të ndryshuar gjendjen e humorit dhe për të të dhënë forcë të përballesh me sfidat që jeta ka rezervuar për ty në një mbrëmje rutinë. Sonte kalon një kohë pa dashurinë e askujt, sepse brenda qiellit të saj kishte mjaftueshmëri vetvetjeje që dashuria i frikësohet. Hija e flokut që i bie mbi sy e bën të mos shoh qartë inkoherencën e vetë kohës që mesa duket pa një përqafim vdes, jo ashtu siç vdesin njerëzit por ashtu siç vdesin dashuritë, pa rikthim.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top