Pika referimi

December 28, 2016 | 16:23

Nga Dorina Hoxha / Bunk’Hall

Liria nëpërmjet mendimit bëhet ndjenjë, e nëpërmjet historisë bëhet tregim.

(D.H.)

Nga Dorina HOXHA Publiciste

Nga Dorina HOXHA Publiciste

Përshëndetje, dy bileta për Bunk’Hall!

Një nga një merrnim të tatëpjetën e shkallëve që ishin në përpjesëtim të zhdrejtë me dhimbjen, e cila rritej pas çdo hapi duke e shndërruar eksperiencën tonë në një dhimbje kombëtare. Njeriu, si projeksion në kohë, çuditërisht mund të bëhet brenda pak minutash nëpërmjet mendimit edhe e shkuar.

 

 

Mirësevini shokë dhe shoqe!

Edicioni i lajmeve ka vetëm zhvillimet e kooperativave bujqësore, mbledhje komitetesh. Nga radio do të dëgjoni këngën:

“Nënë moj, do pres gërshetin”…

“Në m’u kalbtë rripi pushkës,

 Nënë, moj në shi, e n’erë,

do ta lidh në ballë të luftës,

Me gërshetin tim të prerë, o mori nënë!”

Jeta e projektuar në të shkuarën komuniste, më risillte në mendje miken time Yllka, një mesogrua, fisnike, por tejet e disiplinuar dhe me një koherencë mendimi më shfaqej në çdo hap që hidhja përreth muzeut Bunk’art. Njeriu i projektuar isha unë në të tashmen, isha sërish unë e projektuar në të shkuarën komuniste dhe, sërish isha unë e projektuar nëpërmjet Yllkës, nëpërmjet Sonit. I përfytyroja ata të listuar nëpërmjet emrave të varur në mur dhe mendoja me vete se janë me fat që i mbijetuan asaj ‘gjëme’ shqiptare e njëkohësisht isha e gëzuar që i kam njohur.

2Teksa përshkoja korridoret e muzeut, pëshpëritja: “çfarë dhimbje njerëzore! Sa mirë që kam lindur më vonë atyre viteve!”

Si mund të jetosh pa lirinë e fjalës, pa lirinë e shprehjes!?

Si mund të mos dashurosh pa u gjykuar?! Mundet të jetosh i izoluar nga komuniteti prej vitesh?! Çfarë torturash çnjerëzore? Sa perverse mendja njerëzore! Diktaturë plehrash! Çfarë dhimbje të jetosh pa lirinë?! Çfarë dhimbje të bëhesh shkak për shkatërrimin e familjes tënde në persekutim?! Falë Zotit është makth, po, po e pëshpëritja me veten teksa përshkoja nga një dhomë në tjetrën, pak nga pak politikat e asaj kohe, sendet e përdorura në atë kohë, mjetet e mbajtjes së diktaturës në mënyra të ndryshme. Pak metra larg meje, një dritë që fikej e ndizej shpejt në tavolinën e ftohtë prej druri një dhomë bosh, nuk po ndërroja kanal, isha pikërisht në dhomën e torturave psikologjike. Aty, njerëzve u bëhej presion, një lloj hetuesie me dhunë që nuk kishte ndryshim nga skenarët horror. Nuk guxova të hyja, më dukej se mijëra zëra më thërrisnin nga përtej errësira. Ndihesha shumë e pafuqishme të ndërhyja në projeksionin tim kohor aq sapo vetdëmtohesha nga përfytyrimet e asaj dhimbje. Emra dhe mbiemra që nuk kishin të mbaruar, këto ishin të ligjëruarit e vrarë e, ndërkohë përfytyroja lista të tjera të pashkruara të zhdukurish e të vrarësh tinëzisht. Cepi i syrit më kapi një xhaketë burrash shumë të vjetër dhe të dalë boje, nga larg dukej e përbërë nga një terital i bërë kore. Reflektimi i dritave të kuqe, të projektuar bukur nga konceptuesit e artit, më rikujtojnë këngën e Justina Alisë “Xhaketa e Kuqe”:

refreni:

“Do marr me vete xhaketën tënde,

që kohën e madhe më shtie në mendje,

me të shkoj unë në fest e në fortunë,

xhaketën e kuqe, jo s’e harroj baba.”

Xhaketa ishte e ‘prangosur’ në mënyrë metaforike, aq sa unë përfytyroja njerëz me fizik të dobët e të vjetër, teksa vuanin brenda xhaketës së kuqe, përfytyroja sesi përpjekjet për liri shpreheshin nëpërmjet letrave e lotëve të internimit.

1Mst: Çfarë do të thotë Internim?

Sipas përfytyrimit tim“si Yllka”, do të thotë të jetosh edhe në gjumë i përgjuar. Në internim ishte jeta e çuar dëm, me pak fjalë. Fëmijëria kalohej e izoluar, rinia të ikte e pashkolluar. Fjalët e saj ishin: – “Kam vuajtur kur nuk më dërguan më në shkollë, i doja librat, kam qarë për net të tëra”. Sonin nuk e kam pyetur se çfarë kuptonte me internim, por nga shkrimet e tij e kam kuptuar fare mirë se kampet e internimit ishin jeta e pashlyer përfundimisht nga vdekja. Në Sonin ka mllef përzishëm me dhimbje dhe që vjen si armë nëpërmjet shkrimit. Vetëm kur e dëgjon fjalën “komunizëm” të vjen dëshira t’i shmangesh edhe nga përmendja, vaj halli ta mbash atë kohë si peshë mbi supe që lëshon edhe rrënjë dhimbjesh. Asgjë nuk kalon lehtësisht, aq më tepër ato plagë që të shkaktojnë në rini, në ëndrrat, që të lenë të jetosh shpirtërisht me kujtimet si “abelë dhe kainë”, edhe e mira edhe e keqja.

Vitet kalojnë shumë shpejt e bashkë me to edhe jeta jonë, ndjesitë, përjetimet, ëndrrat, shpresat, bukuria, fjalët në rini bëhen heshtje e në pleqëri plumba prej pambuku. Frika e asaj kohe të disiplinonte koherencën e logjikës, nëse ti dështoje, dënoheshe në rastin më të mirë, prangoseshe dhe, në rastin më të keq ekzekutoheshe në forma më çnjerëzore, të shtrëngonin gjinjtë me pinca, të fusnin në tumane maçokë dhe e godisnin nga jashtë, të digjnin organet seksuale,të përgatisnin varrin, të vendosnin dinamit në trup, të fusnin pëgërët në gojë, të linin me orë të tëra në diell, të lëshonin pikën e ujit në kokë, rrahja me kamxhik ishte ndër më të zakonshmet, i hidhnin plagëve kripë etj.

Neveritëse, mendja njerëzore qenka më çnjerëzorja!

Mst: Ky nuk është një bunk’art por një bunk ‘hall!

Ndjesitë nëpërmjet këtij Bunk’arti të mbingarkojnë me dhimbjen e hallet e atyre që mbeten përjetësisht ‘peng’ i atij regjimi. Kishim parë pothuaj gjysmën e muzeut komunist dhe po i afroheshim nga pak pikës kulmuese të historisë së atyre viteve, ishim te mjetet propagandistike. Armë, aparatura përgjimi shtetërorë, flitej për vitet 1970-1982, çimkat e vendosura imtësisht në objekte shtëpie, kamera e së cilës ishte më e vogël se një kopsë këmishe. Lexoj në një faqe muri “ KURS 5 DITOR PËR T’U BËRË FOTOGRAF SPIUN” , i drejtohem shoqëruesit: epo në atë kohë bëheshe për 5 ditë, sot fotoreporterët bëhen për 5 sekonda, aq sa klikojnë butonin “send”, pra “dërgo”. Një lloj fuksllëku quhet edhe ky. Të jesh a mos të jesh FUKSBUK?!

Pas kësaj dileme, arritëm në dhomën e gjumit, aty ku merrnin jetë mendimet e regjimit. Një dhomë mobiluar ftohtësish, pavarësisht se ishte e veshur e tëra me dërrasë, ishte thjesht një krevat dhe një abazhur. Ndalëm hapin.

Mend bëja si një përgjithshmëri ndjesie, ndërkohë që perversiteti i mendimeve të mia ishte më njerëzor sesa i asaj historie persekutimesh. Në atë dhomë nuk pasqyrohej asgjë nga botë-perceptimi i autoritetit që i përkiste. Kuriozoja se çfarë ëndrrash perverse kish patur ai përgjim në atë shtrat, somnambul përfytyroja një nekrofil hitlerian. Dhoma ishte një reminishencë boshe hijesh impotente.

Exit à, ishte tabela që na drejtoi për në daljen e këtij makthi diktatorial dhe si për çudi personi orientues për nga dalja e muzeut, të krijonte përshtypjen se ishte një halle-madh e sikur i peshonte tërë ajo dhimbje kombëtare mbi shpatulla. Çdo hap që ngjitesha më dukej se shkundja pak dhimbje të vdekurish, pak brenga persekutuesish, pak lot të shndërruar në grimca pluhuri mbi objektet e varura, pak mall dashurie, pak ëndrra të parealizuara, pak ambicie, në fund shkunda veten nga përfytyrimi i Yllkës dhe i ‘Sonit. Kisha mbërritur në realitetin e pranueshëm të kohës, aty ku unë ndihesha lehtësisht e zbrazur nga shqetësimet e mia, një reminishencë që më bëri ta vlerësoja jetën për ata që të tjerët nuk patën mundësinë ta kenë, LIRINË.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top