Pika referimi

March 28, 2018 | 13:28

Nga Dorina Hoxha / Gjuetari steril i fluturave

E zhegitnin mendjen në Jug. Ishte një nga ato ditë e nxehta të rrymave tropikale. Qëllimi i atyre ditëve ishte vetëm shmangia e diellit. Vera është stina që ka vetinë e mirë të shuarjes së zhurmave gjallëruese përreth dhe të improvizimit të qetësisë pas arratisjes së zvarranikëve nëpër hijet e pemëve po aq edhe e njerëzve nëpër bregdet. Shqipëria shtrihet në vijën e gjatë bregdetare dhe distancat e afërta bëjnë që pjesa lindore të shpërngulet drejt perëndimit për të shijuar diellin, detin dhe dashurinë.

Dorina Hoxha, publiciste

Dorina Hoxha, publiciste

Kush nuk e shijon sot dashurinë, “vetëm ti” bërtiste e pandërgjegjshmja, dhe një qen i sterilizuar që priste vdekjen i shtrirë në hyrjen e një lokali të zonës. Të të vdesin dëshirat do të thotë të bësh jetën e një qeni të sterilizuar nga bashkia e që natyralisht pret vdekjen i shtrirë në trotuar. E rëndë të mendosh që gjithë jetën njeriu shkollohet për të organizuar jetën e vet dhe në fund të kuptojë që qenia është një energji kaotike dhe mendimi një përpjekje vicioze e dështuar për sistemim dhe organizim të ideve në mënyrë koherente, si në aspektin psikologjik, fizik po aq dhe racionalisht të vetë qenies njerëzore.

Dështim, kush e provoi të vërë rregull në kaosin e logjikës përfundoi jashtë kaosit të ideve, në një tjetër galaktikë të racionalizmit, ku shkasin vetëm ata që tentojnë t’ia gjejnë fundin mendimit. Ashtu si universi ka një ikje pas ikjes, edhe racionalizmi ka një arratisje brenda një vrime të zezë që njerëzorët në kuptimin popullor e quajnë çmenduri studiuesit iracionalë, kurse në vetvete ajo është thjesht ana tjetër e medaljes së të vërtetës.

Njutoni kishte një mollë, që rrëshqiti nga pema për në vrimën e zezë të galaktikës së tij racionale dhe ne e përkufizuam “ligj të fizikës” rënien e lirë të mollës.

Rënien e lirë të ideve si mund ta përkufizojmë ndryshe?!

Unë kam një ide dhe e lë të bjerë pa turpin e paragjykimit, pa frikën e ndëshkimit, njëlloj si molla që bie nga pema pasi është pjekur, ndonjëherë edhe kur stimulohet e papjekur nga faktorët e jashtëm. Të jetosh brenda kaosit e organizuar, është një përpjekje për t’iu larguar vetvetes, instinktit, racionalizmit puritan. Shoqëritë njerëzore i kanë shërbyer një qëllimi historik, përpjekjes për të ndryshuar të natyrshmen. Këtë e shohim që në formën e organizimit të jetës së saj sociale dhe arkitekturore.

Në vendet e zhvilluara sheh vetëm imitime të natyrës, sheh gradaçela që thyejnë organiken, sheh imagjinatën dhe fantazinë më ekstreme njerëzore të bërë realitet në çdo industri mediatike dhe jo vetëm. Mendimi është i përkulshëm ndaj çdo mendimi, dhe kjo ishte fraza që bëri pohimin për kufijtë e lëvizshëm të dimensionit racional. Brenda disa sekondave mendimi të shpie larg nga një kuptim në tjetrin, dhe sërish mund të kthehesh në pikën zero të qenies tënde, ashtu krejt e pakuptimtë për të rimenduar.

Relaksi i vetëm është ai që tenton drejt natyrores, ngre sytë, dhe asfalti i sheshit përballë godinës së punës lëshonte avuj të nxehtë për lart, dhe unë digjesha e tëra për kuptime të mëdha universale. Qeni vazhdonte të jetonte brenda gjumit steril të tij.

Një flutur e bardhë kishte pushuar mbi veshin e djathtë dhe ai nuk e ndjente. Me androidin tim fokusoj fluturën e bardhë, pastaj kamerën e kthej nga vetja për të bërë selfie. Sekonda 1, 2, 3… e shkrepjes. Flutura ngjitet lart. Në foto kishte mbetur vetëm efekti i lëvizjes së saj dhe dëshira për një rizgjim. Një flutur gëzon dimensionet e lirisë, aq sa të arrijë lodhjen e gjuetarëve të saj, pastaj vjen e i pushon mbi vesh si për të thënë: Jam përpara teje, një hap nga gjumi dhe një jetë për nga zgjimi!

Fluturashka mendim!

Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 122

To Top

Powered by themekiller.com anime4online.com animextoon.com apk4phone.com tengag.com moviekillers.com