Pika referimi

June 12, 2017 | 11:34

Nga Dorina Hoxha/ Jetë e askujt

1

Paramuzgu më është dukur gjithmonë si koha më e përshtatshme për t’ u bërë varrimet, ndonëse kuptohet që nuk kam marrë pjesë asnjëherë në një varrim të tillë. Kur them paramuzgu, kam parasysh atë fjalën anglishte “pre-dusk”. Nëse muzgu (“dusk”) është një periudhë kohe mes ditës dhe natës, para se të bjerë nata, paramuzgu është koha kur dielli ka perënduar dhe nuk shihet më, por drita e tij ende pasqyrohet dhe ndriçon mjaftueshëm sa për t’ u quajtur ende ditë. I vdekuri hyn në varr ende me dritë dhe errësira vjen bashkë me dheun që i hidhet sipër.

Nga Dorina HOXHA Publiciste

Nga Dorina HOXHA Publiciste

Një varrim të tillë pata rastin ta ndiqja pa dëshirë. Gjithçka ndodhi sepse Meri, macja ime që e kisha me vete në makinë, kur shkova në varrimin e ish-të dashurit tim, me te cilin isha ndarë jo shumë kohë më parë, kërceu nga dritarja, të cilën unë e kisha harruar paksa hapur, dhe u zhduk për një shëtitje në varreza. Në fakt nuk mora dot pjesë as në varrimin e ishit tim, sepse kisha ngatërruar varrezën, me sa kuptova unë. Normale, nëse mendohet marrëdhënia konfuze që kisha pasur me të. Ne grindeshim për filozofi dhe vinim në lojë shkrimet dhe librat e njëri-tjetrit. Në subkonshin tim, kisha dëshirë ta shikoja të mbulohej me dhe atë njeri arrogant dhe të sigurt në vetvete për shkak të dijeve që zotëronte. Do të kisha shpejtuar për të gjetur varrezën e duhur nëse nuk do të më ishte bërë macja pengesë. Për herë të parë po ndjeja gati urrejtje për macen time, e cila gjithmonë kishte qenë në anën e tij, më dukej mua. Dhe tani kjo “e poshtra” i kishte bërë shërbimin e fundit atij.

Por nuk mund ta braktisja macen time në varrezë, prandaj ashtu e dëshpëruar sic isha shkova te një person që po rrinte para derës ku duhet të ishte zyra e varrezave dhe e pyeta nëse ishte ai personi përgjegjës. Kur m’ u përgjigj se po i thashë se vija një shumë të madhe si shpërblim, nëse punonjësit e tij ma gjenin macen time. Nuk mund të largohesha pa macen time duke e lënë në varreza. Zyrtari më tha se në këtë orë nuk kishin mbetur veçse disa varrëmihës që po kryenin një varrim të fundit. Por premtoi se sa të mbaronin, do t’ i vinte të kërkonin macen time.

-Me çmimin që vutë ju Zonjë, – më tha ai, -ata do të rrinë gjithë natën të kërkojnë macen, është paga e një muaji për ta.

Kështu që e ulur në një stol të varrezave shikoja pikërisht një varrim që kryhej në këtë periudhë të ditës. Në varrime njerëzit zakonisht qëndrojnë në këmbë, për nderim, megjithatë unë isha ulur, jo për mugesë nderimi, gjithsesi.

Unë dëgjoja varrëmihësit që bisedonin mes tyre për këtë varrim të çuditshëm në muzg dhe përpiqesha të hyja në bisedë me ta. I shikoja varrëmihësit tek punonin dhe më dukej se mjeti i punës qëndronte mbi supet e më të dobëtit. Në fakt ishte pikërisht ai që çuditërisht i nxiste kolegët që të lëviznin duart. E kalova vështrimin te varri ashtu siç bën njeriu që zbret shkallët për të hyrë në një bodrum, dhe e fiksova shikimin në atë gropëzën që quhet varr.

-Pse shpejtoni Valdrin, muzgu ka mjaftueshëm ndriçim për të përfunduar atë pak punë që ju ka mbetur.- I thashë atij që shokët e quanin Valdet.

-Nuk është mirë të hidhet dheu në varr, kur bie nata, -tha ai.- Dhe në varreza nata vjen më papritur se kudo tjetër.

Nata në varreza është e fantazmave, jo e njerëzve të gjallë, apo e të varrosurve që rrinë të qetë në varret e tyre, mendova. Varrëmihësit, të cilët zakonisht janë të heshtur gjatë punës së tyre, këtë herë bisedonin, me sa duket për të larguar përshtypjen e rëndë që iu jepte kjo punë e padëshiruar.

Hamzai, më i sjellshmi prej tyre më salutoi nga brendësia e varrit e më tha:

-Mos u shqetësoni se nuk vonohemi edhe shumë, pjesa më e madhe e punës u krye.

E heshtur teksa mbahesha tek çanta, bankina më bëhej valë e mendimet shkumë. Nën zë i pëshpërita:

-Unë nuk shqetësohem Hamza, ai që do hyjë nën të kam bindjen se shqetësohet më shumë se mua. Po ju megjithatë më dukeni shumë të qetë, dua të them përveç shqetësimit të këtij varrimi të pazakonshëm në muzg.

Valdrini ma kthen:

-Më parë shqetësohesha, por tani që punoj këtu prej shumë kohësh nuk e njoh fjalën shqetësim madje kur shoh politikanë të shqetësuar çuditem, kur shoh njerëz që shtyjnë njëri tjetrin më habit, pale kur shoh njerëz që vuajnë për pasuri ato më dhimbsen më shumë, madje aq më dhimbsen sa nuk i kuptoj, se unë e di çdo bëhem, unë kuptoj vetëm përfundimin, më tepër se dy metra i merr vetëm ai gjatësia e të cilit i kalon dy metrat dhe ai sipas llogarive disa centimetra luan më tepër se ne mesatarët, ndaj moj çupë kjo puna jonë është ndër më të papëlqyerat…

Tani që po shkruaj, më duket se që nga koha kur Shekspiri, në tragjedinë e tij “Hamleti” ka treguar bisedën e famshme filozofike të Hamletit me varrëmihësit, është pretendim i tepruar që të marrësh përsipër të përshkruash diçka të ngjashme, por unë thjesht po përshkruaj atë që ndodhi.

-Valdrin ti ke natyrë filozofi, -ja kthej unë aty për aty.- Ti me lopatën tënde prodhon paradokse. Ti vendos logjikën e jetës në relacion me absurdin e vdekjes. Sa keq që një varrmihës logjicien është filozof i të vdekurve.

-Nuk jam i sigurt nëse ju kuptova Zonjë, – më tha me mirësjellje.

Në të vërtetë jam e sigurt se ai nuk kishte kuptuar asgjë. Do të doja ta pyesja nëse nëse kishte dijeni për kolegun e vet të famshëm varrëmihësin filozof, personazhin e Shekspirit, por kjo me siguri do ta bënte edhe më konfuz. Padyshim që nuk e njihte as ai, as të tjerët. Ndoshta duhet të merrja librin dhe t’ ua lexoja skenën ndonjë ditë për të marrë përshtypjet e tyre. Sa mendim i çmendur, thashë me vete, të kthehem në varrezë për t’ u lexuar “Hamletin” varrëmihësve! Snobizëm intelektual makabër do të kishte thënë ai, ish i dashur im që ishte bërë shkak të vija në këtë varrezë të humbur.

Ata punonin me ngut dhe unë meditoja për vdekjen, ndërsa çanta ime qëndronte kryeneçe mbi bankinë. Ndërkohë heshtja e vdekjes mbisundonte në atë rrugicë të varrezave. Ndodhesha në varreza, atje ku ka kuptim shprehja “Syri i Ciklonit”, epiqendra e vetmisë së madhe. Gazetarët në përgjithësi e përdorin gabimisht fjalën “syri i ciklonit” si figuracion për të treguar vendin ku cikloni godet më shumë. Në fakt, “Syri i Ciklonit” është një vacuum brenda spirales së ciklonit ku nuk lëviz asgjë. Jeta e njeriut është një ciklon dhe vetëm në varreza ai gjendet në “Syrin e Ciklonit”.

Unë meditoja për vdekjen dhe kjo do të thotë të meditosh për dhimbjen. Në varreza e kupton qartë se dhimbja e tjetrit është e tjetrit bëhet e jona vetëm atëherë kur na duan, kur na njohin, kur shoqërizohemi, kur ndajnë kujtime me ty, kur ruan në një bllok diku një fotografi, kur shkëmben një përshëndetje, mbase edhe kur figurën njerëzore ia atribuon një objekti. Disa metra me tutje nga bankina ku qëndroja e mbështetur një njeri po varrosej, një jetë ishte shuar e unë nuk ndjeja asgjë. Fjala e vetme që pëshpërita me varrmihësit ishte :

– Sa keq!

I vdekuri ishte i huaj për mua por edhe unë isha e huaj për dhimbjen e tij, dhimbja e humbjes së një njeriu të dashur nuk ishte e huaj për mua, e huaj ishte mosnjohja shoqërore më të vdekurin. Pyetja më absurde që bëhet kur dikush ndërron jetë është: “Sa vjeç ishte?”

Përse ekziston kaq përçmim për jetën e një 85vjeçari?! Disa ngecin në mplakjen e trupit pa ditur se shpirti nuk ka moshë, nuk e njeh konceptin e kohës.

Valdrini tha përsëri: “Shpejt” te nxitojmë”.

Do të doja t’ i thosha: “Qetësohu Valdrin i vdekuri nuk e dinë sa është ora, respekti i moreve dhe folkuejst e të gjallëve nuk duhet ta ç’bëjnë respektin për mosqënien prezente në trupin e një kufome. ‘Sa vjec ishte’ duket si një katalizator për t’i dhënë dozën e duhur dhimbjes tënde, sa më i ri në moshë dmth pa i plotësuar fazat e jetës doza e mërzisë më e madhe, sa më i vjetër aq më pak dozat e dhimbjes. Rregullat sociale duket sikur të mekanizojnë dhimbjen ndonjëherë e ti duhet patjetër të ndjesh dhimbje me patjetër kur ai që vdes është i ri dhe e kundërta. Mosprezenca e qënies në trupin njerëzor na le gjithmonë peng të tjetrit sidomos ditën e varrimit. Zgjedhja e banesës së fundit por edhe ceremonia e mortit gjithçka është në dorën e tjetrit, madje për të mos folur për veshjen e fundit. Mos prezenca e jetës në trupin njerëzorë nuk të bën objekt vitet e së cilës t’iu përcaktojnë shkallën e dhimbjes të tjerëve. Mosha e të vdekurit në shoqërinë tonë përcakton edhe se sa duhet të vuash për humbjen e një njeriu. Nëse ndërron një njeri jetën në moshë të re, të tjerët në fakt ndjejnë dhimbje për mosrealizimet e atij që ndërroj jetë jo për qënien e tij. Sepse po të ndjenin dhimbje për qënien vecmas pa përcaktuar moshën, do derdhje lot për një 85 vjeçare po aq sa kur ajo ishte 20, 30, 40, 50 apo 60 vjecare… fytyra rrudhet, duart dhe krahët janë të fuqishme në jetë kur palestrohesh por varrmihësi valdrin pohojë se janë të parët që treten më shpejt.”

Por Valdrinit nuk i thashë asgjë nga këto mendime të miat, sepse ky do të ishte një monolog si i Hamletit para varrëmihësve. Qetësia mortore prishej vetëm nga zhurma e lopatave dhe dheut përplasja e të cilit me dru krijonte një tingull të cuditshëm. Mesa duket mosha këtu paskërka përcaktuar edhe masën e dhimbjes tek të afërmit. Sa keq! Nëse ndërron jetën në moshë të re nuk do të duan gjithsesi ca lot më tepër nuk e masin dhimbjen e tyre, por masin kohën e tyre të papërmbushur që mund ti tradhëtojë një ditë.”

Tani vura re me habi se varrëmihësit sapo kishin nisur ta mbulonin varrin me dhe, deri në këtë moment kishin punuar për të hapur varrin. M’ u duk e çuditshme që varri të hapej në të rënë të muzgut. Me sa kisha parë unë në varreza, varrëmihësit hapnin varre që në fillim të ditës, sipas agjendës së varrimeve ditore që përcaktonte zyra e funeraleve.

-Pse e hapët këtë varr tani në muzg, -thashë unë.

Në këtë çast u dëgjua befas mjaullima e një maceje. Duart e varrëmihësve ngrinë sikur të kishin dëgjuar një urdhër dhe kthyen kokat:

-Mace e zezë!- Tha njëri prej tyre.

-Është Meri, macja ime.- Thashë dhe e mora Merin në krahë, duke e shtrënguar fort si për ta mbrojtur, pasi më dukej se varrëmihësit do ta qëllonin me lopatat e tyre, aq me tmerr dhe zemërim e shikonin macen time të pafajshme. Meri se përse ishte shumë nervoze.

-Ju zonjë keni një mace të zezë!- Tha njëri prej tyre si me qortim.

-Cfarë ka të çuditshme, -thashë unë,- në varreza vijnë shumë zonja të veshura në të zeza, pse macja ime duhet të krijojë këtë përshtypje të keqe?

-Macja e zezë është tjetër gjë zonjë, aq më tepër me sy jeshile!- Tha një tjetër prej tyre me ton më të theksuar se i pari. Ndoshta kishin arsye të trembeshin. Meri im mund të luajë fare mirë rolin e maces së zezë me sy jeshilë në cdo ekranizim të romanit të famshëm “Mjeshtri dhe Margarita” të Bulgakovit, të maces që e shoqëron Djallin në udhëtimin e tij në qytet. Në të vërtetë, unë macen time e kam quajtur me emrin e autores së famshme të romaneve gotikë, Mary Shelley.

Tani skena ngjante si e dalë nga një roman gotik, ndodhesha në një qytet të vjetër të Shqipërisë, pothuaj i harruar nga vrulli I jetës që përfshin metropolin, por jo nga intensiteti I fushatës zgjedhore që të rikujtonin posterat e ngjitura edhe në afërsi të varrezës. Direkte më vajti mendja tek sondazhet që kryejnë për fituesin paraprak. Sikur të kishin gojë edhe këto varre do kishim edhe sondazhe paranormal. Ishte një mendim pa zë, ndryshe do të ishte një çmenduri momentale e pajustifikuar. Mblodha veten dhe pëshpërita: -Ç’të duhen sondazhet elektorale, fundja do kishim lista zgjedhore paranormal të pa rregullta në një qytet ku ka pasur zhvendosje varresh e varrezash, për shkak të disa ngjarjeve të njohura me ushtarët e një vendi fqinj të mbetur nga lufta e dytë botërore. Mendimet më kthyen sërisht në realitetin e një muzgu në rënie dhe unë qëndroja e ulur në bankinë me macen time të zezë në prehërin tim, nga ky sytë e saj jeshilë shkëlqenin gjithmonë e më tepër sa më tepër që binte muzgu. Ky ndriçim bizarr u bë një lloj nxitësi i posaçëm për varrëmihësit që të përshpejtonin punën, pasi rritja e ndriçimit të syve të maces, të krijonte përshtypjen se errësira po ia zinte vendin muzgut edhe më shpejt sesa ndodhte në të vërtetë.

-Pse e hapët këtë varr në muzg? –Bëra unë përsëri pyetjen që kishte mbetur pa përgjigje.

Varrëmihësit që tashmë kishin kryer pjesën më të madhe të punës së tyre, ndalën përsëri si me komandë dhe panë nga unë.

-Urdhri ishte që varri të hapej pikërisht para muzgut dhe varrimi të kryhej duke rënë muzgu, para se të binte nata. Kështu e kishte lënë me testament personi që po varrosim dhe për këtë shërbim varrëmihësit që do të pranonin ta bënin paguhen me një vit pagë. Varrëmihësit e kësaj varreze nuk pranuan ta bëjnë këtë punë edhe kundrejt shpërblimit shumë joshës. Prandaj u bë oferte në varrëmihësit e gjithë zonave përreth. Ne kemi ardhur nga një qytet tjetër, 100 km larg vetëm për këtë punë. Drejtoria e varrezave këtu gjithashtu ka marrë një shpërblim të madh që ta lejonte këtë punë të pazakontë.

-Cili është personi që po varroset?- Pyeta unë.

-Nuk e dimë Zonjë, – thanë varrëmihësit në një gojë.- këtu do të vendoset një tabelë me një numër derisa të bëhet varri.

U bëra kurioze prandaj shkova drejt e në zyrën e personit përgjegjës të varrezave që ishte ende atje, duke pritur përfundimin e këtij varrimi të çuditshëm.

E pa me pakënaqësi të dukshme macen time të zezë, por nuk tha asgjë.

-A mund t’ u pyes se cili është personi që u varros tani në muzg? – I thashë unë.

-Është rasti më i çuditshëm që më ka ndodhur në karrierën time, Zonjë, -tha ai, – por më mirëkuptoni që nuk mund t’ ua them emrin e vërtetë, ky është vullneti i të ndjerit.

U largova nga varrezat duke ngarë makinën në rrugën e ngushtë dytësore. Tani kishte rënë plotësisht errësira. Atje ku rruga e varrezave dilte në një rrugë tjetër anësore që të nxirrte në autostradë, kishte qëndruar një makinë policie. Dy policë më përshëndetën dhe më kërkuan dokumentet. Ishin të sjellshëm dhe më sqaruan se kishin urdhër të vrojtonin varrezat që kur binte nata, pasi banorët e zonës në afërsi ishin ankuar për një ngjarje të çuditshme te varreza.

Ju keni parë gjë Zonjë? – Më pyetën.

-Përvec një varrimi nuk pashë ndonjë ngjarje tjetër të cuditshme. –Thashë unë.

-Varrim!- Thanë ata shumë të habitur.

Ua shpjegova se cfarë më kishin ndodhur dhe kjo i habiti shumë.

-Kjo varrezë ka 40 vjet që është mbyllur dhe nuk përdoret më.- Tha njëri prej tyre.- Bashkia ka në projekt që t’ i heqë varret dhe t’ i kremojë eshtrat, ndërsa vendin do ta bëjë park publik, sapo të ketë fondet e nevojshme financiare.

-Unë megjithatë pashë dhe bisedova me përgjegjësin e saj dhe varrëmihësit. –Këmbëngula unë.

-A mund të na e tregoni vendin se ku asistuat në varrim?- Pyeti njëri nga policët.

-Po, sigurisht, -thashë unë.

Ata thirrën dhe kolegë të tjerë dhe u nisëm kur pas nesh erdhën dhe dy makina të tjera. Shkuam në varreza, ku nuk dukej asnjë gjurmë e personave që kishin qenë pak më parë atje. Unë i cova te vendi ku kisha asistuar në varrim. Varri ishte atje i prosambuluar me dhe të freskët. U ula përsëri te bankina ndërsa varrëmihës, këtë herë të sjellë nga Policia, hapën varrin dhe arkivolin.

Unë lëshova një klithmë habie. Brenda isha unë si manikin, bashkë me një mace të zezë-manikin.

-Personi në varrimin e të cilit thatë se po shkonit nuk ka vdekur, njoftimi është i rremë.- Më tha një nga policët.- Dikush iu ka bërë një lojë të pakëndshme.

Mua përnjehrë m’ u ndez një llampë në tru. Ishte me siguri ai. Ishim ndarë bashkë disa kohë më parë, pas grindjesh filozofike, kur rolin më të madh në ndarjen tonë e pati Shopenhaueri. Ai, ishi im, jo filozofi gjerman, më akuzonte në periudhën tonë të fundit se nuk e perceptoja si duhet botën si dhimbje sipas konceptit të Shopenhauerit. Shtonte dhe disa teza të tjera filozofike për rëndësinë e perceptimit të vdekjes në jetën tonë. Një herë më tha se do të gjente mënyrën të më bënte të vetëdijshme për këto me një leksion praktik. Unë e kisha harruar. Tani e kuptova. Gjithçka që kishte ndodhur e kishte inskenuar Ai. M’ u kujtua edhe se pikërisht atij i kisha thënë dikur kur kishim qenë bashkë në një varrim se paramuzgu më dukej koha më e përshtatshme për varrime. Ai kishte shtuar si me shaka se varri duhet të hapej në paramuzg dhe të mbulohej me dhe në muzg. Tani truri im punonte me fuqinë e një gjeneratori elektrik. I kisha thënë njëherë si me shaka se kur vdes një dashuri duhet të gjejmë mënyrën që ta varrosim imazhin që kemi krijuar për partnerin, në mënyrë sa më romantike. Ai nuk kishte bërë asgjë tjetër veçse kishte zbatuar idetë e mia! Tani m’ u kujtua edhe Ai ishte i aftë që ta bënte macen time Merin, t’ i shkonte pas, pa e vënë re unë praninë e tij. Kjo do të thotë që ai kishte qenë diku përreth meje gjatë gjithë kohës. Personi që kisha takuar para ndërtesës brenda në varrezat dhe që unë e mora për zyrtar përgjegjës kishte qenë njeri i vënë nga Ai. Po ashtu edhe varrëmihësit, të cilët megjithatë nuk e dinin lojën që po luhej.

Një nga policët u afrua me disa sende në dorë:

-Dikush kishte montuar te pema një videokamerë të fshehtë, ndërsa te bankina ishte montuar një pajisje për regjistrimin e zërave. Dikush ka dashur të argëtohet duke e parë si film këtë histori.

-A mos jeni aktore ju Zonjë. Fansat iu bëjnë aktoreve rengje nga më të cuditshmit. –Pyeti polici që gjeti këto pajisje.

-Jo i thashë unë, jam profesore filozofie.

-Për ne nuk ka krim Zonjë, dhe nuk kemi përse të merremi me këtë histori përvecse nëse ju do të bëni denoncim për kërcënim për jetën, megjithëse mua më duket më tepër si tallje.

-Nuk më duket as kërcënim, por as tallje.- Thashë unë.

-Sidoqoftë është puna juaj. Tani duhet të vini me ne, jo se kemi punë me ju, por nëse nuk doni të rrini vetëm në këtë vend, natën. Ne nuk mund të rrimë më tepër.

-A keni ndonjë ide se cili mund ta ketë bërë këtë? Ndoshta ndonjë student juaj, apo ndonjë i njohur.

-Jo,- gënjeva unë, – nuk kam asnjë ide.

Nuk mund t’ ua thosha të vërtetën. Ne kishim bërë një pakt gjysmë me humor dhe Ai kishte vepruar sipas paktit.

Ktheva edhe një herë sytë nga varri i hapur ku për pak orë ishte varrosur dhe zhvarrosur jeta e askujt dhe u largova bashkë me policët. Kur hipa në makinën time e gjeta veten duke fërshëllyer një melodi gazmore, stimuluese. Ai e kishte bërë pjesën e vet të lojës, tani duhet të bëja unë pjesën time ndaj tij.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top