Pika referimi

October 4, 2017 | 10:05

Nga Dorina Hoxha/ Kryqëzimi i një imami

Durimi është një virtyt që kultivohet nëpërmjet mprehtësisë në menaxhimin e emocioneve në situata të ndryshme jete. 

1

Nga Dorina Hoxha Publiciste

Nga Dorina Hoxha
Publiciste

“Imami që tronditi rrjetet sociale” ishte tema e rradhës në emisionin ‘OPINION’. Një temë e tillë padyshim do ngjallte debate dhe reagime të forta ndaj nuk mund ta lija pa e ndjekur. Ajo që më trishtoi dhe më bënte të reagoja e ulur nga kolltuku i shtëpisë sime, sikur të isha pjesë e atij debati live, ishte gjuha e ashpër dhe fyese që u përdor padrejtësisht kundrejt imamit Elvis Naçi. Mesazhi human që imami i përcolli shikuesve nga ekrani ishte virtyti i durimit që ai shfaqi për të mos rënë pre e gjuhës së urrejtjes.

Ka prej jush që do të pohonit menjëherë që ai bëri detyrën pasi ,ky është misioni i tij si predikues feje, sikur Imami të ishte vetë perfeksioni. Ndërkohë që jemi të vetëdijshëm se çdo qënie njerëzore nuk është perfekte në mprehtësinë për të menaxhuar emocionet në një situatë banale ku denigrohet dhe fyet figura e një njeriu. E teksa dëgjoja debatin pavarësisht asaj që ai përfaqësonte, imamin e vesha me petkun e vetes sime dhe u gjenda duke i shfryrë vrer Ggazetarit Mustafa Nano që citoi fjalët “injorant”, “mashtrues’, por këtë hov sherri- imagjinar ma ndërpreu video e imamit që nisi të transmetohej teksa ligjëronte për marrëdhëniet familjare dhe themelet e saj si dashuria dhe toleranca.

Imami nuk është Zoti, ndaj ashtu siç edhe qeniet e tjera njerëzore që përjetojnë emocione ndaj situatave, edhe ai si një qenie njerëzore, kur ndeshet me një padrejtësi, me siguri do përjetojë emocione jo pozitive. Pavarësisht kësaj, Imami tregoi një vlerë të lartë morale dhe njerëzore siç është virtyti i durimit. Atë virtyt që fatkeqësisht shumë politikanë nuk e njohin, dhe këtë fakt e dëshmojnë ndër vite seancat parlamentare të mbushura me fyerje e gjuhë urrejtjeje. Në politikë asnjë nuk kryqëzohet kurse kur bëhet fjala për besimin, e veçanërisht për fenë Islame, edhe një debat televiziv të kryqëzon me fyerje e sharje personale, duke harruar edhe vetë qëllimin e temës së emisionit. 

Gjuha e ashpër, toni i lartë i zërit i shoqëruar me impulsivitet dhe fyerje, ishin tiparet më negative të atij “kryqëzimi” përpara një publiku që duhet të zgjidhte pozicionimin ose në krah të mesazhit që përçoi imami ose në krah të opinionistëve islamofobë që kërkonin patjetër të gjykonin verbalisht dhunshëm një imam për një ligjëratë të hedhur në Youtube në lidhje me marrëdhëniet familjare. Gazetarja e indinjuar për ligjëratën e imamit dhe lobuese e grave që vriten në rrugë, që shesin në pikë të diellit apo edhe e rasteve të tjera të përvuajtura, ka harruar të lërë takat në shtëpi e të mbathet me kominoshe e çizme llastiku për të lobuar me argumenta, sidomos edhe ndaj imamit dhe asaj çka ai përfaqëson. Ajo që më ra në sy ndër të tjera ishte performanca vizuale apo thënë ndryshe look–u i të ftuarve.

Eksperienca televizive na tregon se personazhet e debateve televizive i përshtaten fushave të caktuara që përfshihen me problematikën dhe në bazë të kësaj përshtatet edhe performanca vizive, veçanërisht ku përfshihen tema të caktuara, siç janë edhe ato fetare. Ajo që konstatova është se një veshje provokative dhe jo e përshtatur me tematikën është një kundërargument i argumentit “kryqëzues”. Ashtu sikur unë edhe shumë besimtarë të tjerë të fesë Islame sot ndihen të paragjykuar dhe të vënë në shenjestrën e kritikave boshe në kërkim të perfeksionit.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top