Psikofakt

October 10, 2017 | 9:29

Nga Dorina Hoxha: Matrioshka e deficitit modern

“Përmasa e hapësirës që ekziston mes lumturisë më të madhe dhe fatkeqësisë më të thellë nuk ka mundur të vendoset veçse nëpërmjet ndihmës së gjërave imagjinare”. Friedrich NIETSCHE, nga libri ‘Agu i mëngjesit’

Dorina Hoxha, Publiciste

Dorina Hoxha, Publiciste

Imagjinata është streha e sigurt ku vetvetja jonë mund të zhvillohet e t’i largohet atij realiteti të përditshëm ku ëndrrat thyen dhe njeriu kupton se nëpërmjet mungesave rritet. Sa herë që një pjesë e jetës na merr nga vetvetja, brenda imagjinatës sonë dyfishi i saj rritet. Nga këndvështrim i vetës së parë, duket sikur vetja jonë qëndron mes dy botësh të fshehura si një matrioshkë ruse njëra brenda tjetrës. Ndërsa nga këndvështrimi në vetën e dytë, si tjetri jashtë nesh, vetvetja është kritika e vetes, reflektim dhe meditim për veten në raport me ‘tjetrin’ jashtë nesh.

Harmonia shpirtërore është ajo që përcakton përmasat e hapësirës ndërmjet asaj që jemi në veprim dhe asaj që fshihet në mendim, ndërmjet vetes sonë si pohim dhe vetvetes si mohim. Shkrimtarë e poetë ndër shekuj e kanë përcaktuar marrëdhënien e njeriut me veten si një dualitet forcash apolloniane dhe dionisiane.

A ke mall për vetveten?!.. në një botë të zhvilluar  teknologjikisht, ku imitimi po prodhon njeriun deficit modern, ku virtualja po tenton gjithnjë e më shumë të përparojë në menaxhimin dhe imitimin e emocioneve njerëzore, ne mbetemi një vete pa vetvete. Sa herë në ditë ulemi në një karrige dhe mendojmë për vetveten tonë në vend të mendojmë për një detyrë, për një shkrim, për një bisedë të kryer mes shokësh, për një komentues ngacmues në rrjetet sociale, për një party që nuk shkove, për nënën ose babain që i ke sëmurë dhe s’ke mundësi t’i kurosh, për një dhuratë që s’ke para ta blesh, për një foto që nuk të pëlqen, për herën e fundit që vizitove gjyshërit e tu të sëmurë.

Marrëdhënia me vetveten është frustuese, sepse duke e projektuar veten gjithnjë me tjetrin, të krijohet përshtypja se në njëfarë mënyre këtë marrëdhënie po e projekton edhe me vetveten, por në fund të ditës kupton që marrëdhënia me vetveten duhet të projektojë edhe marrëdhëniet me tjetrin dhe jo e kundërta, sepse rezultati është një imagjinatë e sëmurë që merr krah.

Deliri ka lindur si pasojë e projektimit të vetvetes, shumë të rritur në imagjinatë dhe shumë  të zvogëluar në realitet. Kur më kaplon lumturia ose trishtimi unë dal mbi vete, kur vetja del mbi mua më kërkoni brenda imagjinatës, do jemi duke u rritur.

Më ka marrë malli të jem vetvetja, në një botë ku paraja dhe delirizmi  prodhon në kallëpe robotë pune. Më ka marrë malli veten ta zhvesh nga vetja dhe të mos më kategorizojnë se si të ha, si të vishem, si të sillem. Pavarësisht se vetvetja më mëson si t’i përgjigjem pyetjeve, si t’u jap shpjegim gjërave, unë gjithnjë dyshoj!

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top