Psikofakt

November 20, 2017 | 7:59

Nga Dorina Hoxha: Më vjen krupë!

Dorina Hoxha, publiciste

Dorina Hoxha, publiciste

Prej jush që pështyni sekrecionet në rrugë me gjithë zellin e kapërdijës që keni në fyt pa menduar se dikush tjetër po ecën përpara jush.

Prej jush që  uleni në sediljen e një urbani publik dhe me dorën që mbaheni në tubin afër sediljes kruani hundën, dhe mbetjet që i nxirrni prej hundës tuaj i fshini në copën e sediljes dhe më pas, sërish kapeni fort pas tubit, dhe kjo përsëritet derisa zbrisni te stacioni ku unë nuk mund të mbaj krupën time.

Prej jush që ndonëse jeni prindër dhe keni fëmijën në krah, e hidhni letrën dhe qesen e patatinave në trotuar pa pasur durim të jeni shembulli i qytetëruar për fëmijën tuaj. Nesër ai do të jetë pasqyra juaj e shoqërisë.

Prej jush që kudo të jeni do të kruani allatet, kjo është një veçori që karakterizon shpesh meshkujt shqiptarë kudo të jenë: në rrugë, në restorant, në dyqan, në supermarket, në një kënd lojërash, në palestër, në lokale…, ato gjejnë gjithnjë një rast për të rregulluar pantallonat dhe për të kruar allatet në publik.

Prej jush që të parakaloni kur je duke ecur në trotuar, pa të kërkuar ndjesë ose pa përdorur një fjalë mirësjelljeje, që të shtyjnë çantën e  të trembin me euforinë e tyre provinciale.

Prej jush që pasi të merrni lekët e biletës kur të ktheni kusurin, monedhat shkartisen me bakteret që shpërhap thoi yt 5 cm i mbushur me mbetje ushqimi. Për ty që s’e kuptove kurrë se kjo moda e faturinove për të rritur thoin në gishtin e vogël të dorës  është démodé në profesionin tuaj si biletaprerës.

Prej jush që kur dilni në një tualet publik, harroni të shkarkoni  depozitën dhe të hidhni letrat brenda koshit të plehrave. Me siguri, nëse do të ishit të shkujdesur në shtëpinë tuaj, do bënit namin duke mbajtur leksione mbi higjienën.

Prej jush që dukeni të veshur bukur në autobus, por shqyeni gojën nga pagjumësia ose thithni gjuhën, sepse diçka ju ka mbetur nëpër dhëmbë e ju duhet medoemos ta bëni këtë veprim në ambientet publike.

Prej jush që mbani një aromë të parfumuar, por kur teshtini nuk mbani dorën përpara dhe frymoni flokët e dikujt që qëndron i ulur përpara ose anash jush në autobus.

Prej jush që nuk doni të dini që dikush pret 1 orë në kasë për të paguar, dhe sapo i vjen radha, të shikon qortueshëm, duke harruar se përveç punës fizike nuk është i kualifikuar në sjelljen etike.

Prej jush që stigmatizoni endacakët, të palarë, të rreckosur, ndërkohë që vetë harroni se pas një veshjeje firmato dhe një makine të shtrenjtë, është shumë e rëndësishme edukata qytetare, si një bashkudhëtare e denjë në një komunitet.

Prej jush që harroni se higjiena fizike vjen pas asaj shpirtërore.

Prej jush që kur shihni një të çmendur i cili shfrytëzon paaftësinë e vet për të lypur, kontribuoni  kinse jeni të mençur.

Prej jush që bërtisni dhe jeni të shurdhër ndaj argumenteve.

Prej jush që shëtisni qenin me zinxhirë dhe për krenari shikoni përreth vështrimet e kalimtarëve pasi qeni juaj ka urinuar në trotuar afër një dyqani bulmeti.

Prej jush që me dorezën dhe përparësen e një dyqani mishi hyni pa asnjë drojë a brejtje ndërgjegjeje se me dorën që po ledhatoje një qen të sterilizuar të rrugës do t’i shërbesh blerësve.

Prej jush që punoni nëpër furra buke dhe me po të njëjtën dorë dhe pa dorashka që merrni lekët, fusni bukën në letër për ta ngrënë më pas fëmijët e botës. Baktere në lëvizje. Mbathni dorashkat e higjienës ju lutem!

Prej jush që nëpërmjet fjalës mbillni ligësi. Më ngjallin krupën shumë  njerëz e veprime në përditshmërinë tonë, që teksa përpiqen të jenë vetvetja, bien në kurthin e vulgaritetit. E kam fjalën për ata, të ‘urtët’  që sipas filozofit Erazmi të Roterdamit, janë të aftë të nxjerrin nga goja njëlloj si të ftohtët edhe të nxehtët, një aluzion që filozofi e bën për një apolog të antikitetit të një fshatari dhe të një satiri që u strehua tek kasollja e tij në mesin e një dimri të madh. Satiri kur pa fshatarin që u frynte gishtave, i tha: “Përse bën ashtu? Fshatari iu përgjigj: “Për t’i ngrohur me frymën time.”  Pastaj, kur u ulën për të ngrënë, satiri pa se fshatari po i frynte gjellës tepër të nxehtë dhe e pyeti sërish për veprimin, dhe përgjigjja e fshatarit ishte “për ta ftohur”. Atëherë satiri u ngrit nga vendi dhe i tha: Si nxirrke nga goja edhe të ftohtë edhe të nxehtë? Jo, jo, nuk dua të kem punë me njerëz si ti!”

To Top

Powered by themekiller.com anime4online.com animextoon.com apk4phone.com tengag.com moviekillers.com