Pika referimi

July 3, 2017 | 10:06

Nga Dorina Hoxha: Një grusht vetes!

“Für Elise” ishte melodia e asaj mbrëmjeje të kurdisur, një suvenir me një çelës në formë fluture metalike, të cilën nëse e rrotullon, lëshon një tingull melankolik të Beethoven. Dhoma ishte mbushur me një heshtje klasike dhe nga shekujt kishin zbritur me radhë kolosët e qytetërimit europian, si Van Gogh, Beethoven, Mozart, Michelangelo, Picasso, për të cilët vetëm kisha lexuar e parë nëpër libra. I përfytyroja si njerëz të pagabueshëm, si njerëz të paarritshëm. Heshtje, gati në përfundim edhe një herë, fluturën metalike të suvenirit e kurdisa për të qenë zgjuar.

Nga Dorina HOXHA Publiciste

Nga Dorina HOXHA Publiciste

Prej disa muajsh kuptoja se njerëzit përveç gjumit biologjik i zë edhe një gjumë tjetër që quhet agoni. A ishte sëmundje agonia? Një lloj fjetjeje e dëmshme ishte kjo agoni, që të kaplon atëherë kur kupton që bota rreth teje zmadhohet nga lupa dhe ti i zvogëlohesh syrit tënd të vetes. Nëse zgjimi është më keq se gjumi, përse ne flemë për të harruar, përse ne flemë për të rinisur, përse ne flemë për t’u ç’lodhur, përse flemë për të kundërshtuar. Përse flemë kur e dimë që një tjetër gjumë do na zërë domosdoshmërisht, pavarësisht të gjithave.

Ne flemë për të pritur momentin që, në kohën e fjetjes të ndryshojmë edhe zgjimi të jetë një rifillim, një nisje, një spirancë për pasiguritë.

Kuptoj që njerëzit në përgjithësi flasin për gjumin biologjik, kurse për gjumin shpirtëror flasim pak, aq pak sa kur i thua një personi:- “Si ke fjetur”, përgjigja është më e përgjumur se vetë pyetja: – “Mirë, po ti?”. Ky është standardi që shoqëria u vë të sapoardhurve në jetë.

Nëse i devijon përgjigjeve dhe përpiqesh të zgjosh vetveten nga përgjumja, të stigmatizojnë në defiçent të sinqertë. Kurse ‘ata’ të parët që vënë stigmatizime, mund të kategorizohen si defiçentë finok. Ia drejton gishtin. Ka prej atyre që të drejtojnë çiften në rastin më shtatanik dhe në rastin më të planifikuar snajperin.

Disa ditë më parë në qytetin e Durrësit, pas atmosferës elektorale të 25 qershorit dhe pas ditës së Fiter Bajramit për besimtarët myslimanë, në një komunitet që përfshin afro 70 % të popullsisë në vend, ndodh një gjëmë sociale. Një djalë ekzekuton prindërit, babain dhe nënën.

Krimi brenda familjes statistikisht po rritet. Ky lajm për një ndjekës të faqeve mediatike online nuk përbën ndonjë çudi, jo për problematikën, por për faktin se, të tilla ngjarje përsëriten e përsëriten muaj pas muaji në familjet shqiptare. Konferencat për shtyp dhe motivet e ngjarjes, këto broshura grisen e shtohen në sirtarët e zyrtarëve që kryejnë detyrën. Pas motiveve sërish mbeten dy viktima të varrosura dhe një jetë e pashlyer gabimesh.

Në këtë botë ka vend edhe për pendesa të mëdha, ashtu siç nga lutjet më të dëshpëruara, ka zgjime.

Dashuria për prindërit është ndjenja më unike, t’i dobëson gjunjët, të përul ndaj çdo të vërtete dhe të bën të shikosh përpara i sigurt, pasigurinë që të shfaqet në horizont.

Një vlerë e shtuar për çdo organizim në jetën publike padyshim i takon familjes, çdo familjeje në botë, që me shembujt e tyre të dashurisë për njerëzimin na kanë larguar nga konceptet primitive të tufës shoqërore.

Asnjë fëmijë nuk rritet për t’u bërë vrasës, hajdut, narkoman, dhunues, ndryshe nuk do ekzistonin konceptet si: përkujdesi prindëror, dashuria apo afrimi shpirtëror me nënën dhe babain. Çdo familje përkujdesjen dhe dashurinë ia kultivon fëmijës, por gjatë etapave të rritjes këto vlera morale humbin rrugës.

skenaNë cilën udhë të jetës humb dashuria për veten, për tjetrin?!… Nëse ti e do vetveten, ti me siguri e do edhe tjetrin, ti ke frikën e ndëshkimit, ke frikën e frikës. Një rreth vicioz mendimesh të përfshin kur dëgjon e lexon për vrasje brenda familjes. Ka edhe nga ata që e duan veten, por nuk i duan të tjerët, është një tregues se vetes po i shfaq një lloj dashurie të dëmshme. Kush do kishte guxim të pranonte me sytë e tjetrit, veten?! …

Flutura metalike e suvenirit rrotullohej, brenda temperaturat e të nxehtit afrikan bëheshin shkak të lëshoje fluturashka kritike për ngjarjen.

Jeta na rrëshqet si një melodi, të cilën e përzgjedh për të të stimuluar meditimin në një natë, një orë përpara muajit korrik dhe një orë pas muajit qershor. Një natë, numerikisht sa një jetë hapësinore kostelacione yjesh të pagëzuara me ndjenjën e mallit, nën ankthin e pritjes që ndonjëri prej tyre të bjerë. Është çasti të besosh në vete, askush nuk do ta bëjë këtë për ty. Bota është ndërtuar nga marrëdhënie të ndërsjella interesi, ndërkaq mos lër të të zërë agonia.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top