Editorial

October 19, 2017 | 8:05

Nga Dorina Hoxha: Përse është vështirë të duash?

wZhgënjehesh nga kjo botë që në djepin e lindjes, kur mamia për kujdesin tënd dëshiron para në këmbim të shërbimit, kur qumështi, biberonat, pelenat, veshjet kushtojnë më shumë se lehtësia e misionit për ardhjen tënde në jetë.

Dorina Hoxha, Publiciste

Dorina Hoxha, Publiciste

Zhgënjehesh nga kjo botë kur kupton se gjithçka që të mësohet në fëmijërinë e hershme e kategorizuar si e mirë ose e keqe, e bukur ose e shëmtuar, në të vërtetë janë absurde të rriturish, do zhgënjehesh që e mira jote është në fakt një e keqe ose e mirë përjashtuese.

Zhgënjehesh në këtë botë kur kupton se dashuria me të cilën u ngjize nuk i ngjan asnjë dashurie që do të shoqërojë në jetë, asnjë bashkëudhëtari sado përpiqesh të imitosh dashurinë.
Zhgënjehesh nga kjo botë kur kupton se të duhet të sakrifikosh ëndërrat për t’iu nënshtruar fatit.
Zhgënjehesh nga kjo botë kur kupton se të lexuarit nuk është në raport me suksesin dhe se suksesi është në përpjestim të zhdrejtë me vlerat morale.

Zhgënjehesh nga kjo botë kur kupton se vlerat morale janë thjesht çekani gjykues për disa, e për disa të tjerë démodé.
Zhgënjehesh nga kjo botë kur pritshmëritë e tua shkojnë përtej materiales, shkojnë përtej dukjes dhe përtej arrogancës.
Zhgënjehesh edhe më tepër kur kupton se udhëtimi me një ‘shpend të hekurt’ në aureolën qiellore të thyen piedestalin e lutjeve. Sheh se po fluturon mbi re, çuditërisht me një ndjenjë zhgënjimi je në kërkim të lutjeve që me duar bashkuar i nise drejt qiellit.
Zhgënjehesh në këtë botë kur shikon pastërtinë që përciellin lulet dhuruar nga një dorë e pisët, nga një mendje dhe shpirt i pisët.
Zhgënjehesh në këtë botë kur heshtjet flasin më tepër se fjalët.
Zhgënjehesh i dashur kur gjithçka që ke dashur të ndërtosh ka qenë një përpjekje e lodhshme për t’ia rinisur edhe një ditë, edhe një të nesërme edhe një të ardhme.

Ka ëndrra kjo botë, por më shumë ka zhgënjime. Një pjesë njohën dramat, e një pjesë romancat. Me fat ishin ata që i njohën të dyja dhe bënë histori.
Zhgënjehesh nënë nga ky realitet që më mësove t’i përgjigjem me mirësi… Çfarë është përgjigjia me mirësi?! Për ty dikur ishte mirësi parimi moral, ishte mirësi t’i duash njerëzit pa kushte, të mos përbuzësh, të mos fyesh, të mos lëndosh, të mos gjuash atë që të ndihmon e të jesh mirënjohës, e mira për ty vazhdon të jetë besimi.

Mua më ndodh të lutem ende, edhe në çdo lutje të jem egoiste, shpeshherë edhe të tërhiqem, por jo të ndalem, kur ka zhurma edhe ndryshime ka jetë dhe vazhdimësi, qetësia është mbytëse për këdo që dashuron jetën, që pëlqen ta bjerrë kohën me biseda dhe miq të rastësishëm. Nuk pendohet nëse vdekja e gjen duke tjerrë lesh apo duke u ushtruar në palestër, nëse vdekja e gjen në vende dhe me njerëz krejt të pa përfytyrueshëm. E në fakt zhgënjehesh kur mendon për bjerrjen e kohës duke kërkuar të zbulosh të pazbuluarën brenda vetes. A e kupton dikush vetveten?!…
Zhgënjehesh nga kjo botë kur vitet e studimit nuk të shërbyen për të kuptuar diçka nga vetja, madje shërbyen më së shumti për të të mos kuptuar aspak nga vetja.
Zhgënjehesh nga kjo botë kur të shikojnë sytë e një fëmije të uritur për përkujdesje, ushqim, mbi të gjitha dashuri.
Zhgënjehesh nga kjo botë kur sheh fëmijë që shfrytëzohen nga prindërit dhe të ardhmen që i pret. Ata s’e njohin realitetin ndaj kjo dhemb më tepër. Të dinin ata, atë që konstatoj unë, do të qanim bashkarisht, por që sonte jam e lodhur, kam nevojë ta shoh me sytë e dashurisë këtë botë dhe të përqafem me çdo dhimbje të botës sikur të qe dhimbja ime. Dua të qaj, por shikimi është një shkretëtirë, ndonëse unë kam ftohtë.
Zhgënjehesh i dashur nga kjo botë kur kupton se pasioni është shkëndija që zgjon të fjeturit dhe të zgjuarit i vë në gjumin letargjik të post jetës.
Zhgënjehesh nga kjo botë kur një tuaf të bën leksione jete dhe një analfabet reciton përmendësh.
Zhgënjehesh nga kjo botë kur kupton se pavarësisht se kanë kaluar dekada, ke të njëjta preferenca këngësh dhe ndihesh i ndryshkur.
Zhgënjehesh i dashur kur pritshmëritë tona janë distanca të largëta komunikimi, ndjesi që gërvishin e mundimshëm pyesin: – Përse është vështirë të duash?
Ps. Një thirrje 18 herë zhgënjyese*

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top