Pika referimi

May 26, 2018 | 11:41

Nga Dorina Hoxha / Rëndësia e një imazhi

Bota shpirtërore e gjithsecilit nga ne na bën të ndryshëm kundrejt larmishmërisë së mendimeve dhe idenë që pasqyrohen në realitetin e përditshëm. Secili nga ne kërkon të shfaqë vetveten në shumë mënyra dhe forma, një ndër më të përhapura në ditët tona është vëmendja ndaj krijimit dhe përmirësimit të imazhit. Një imazh që do ta krijonim dhe zhvillonim si marketim komunikimi, një mënyrë kjo se si furnizuesi i ideve prezantohet përpara audiencës me qëllim stimulimin e dialogut që çon në përmirësimin e marrëdhënieve të ndryshme më pas.

Dorina Hoxha, publiciste

Dorina Hoxha, publiciste

Marketimi i komunikimit është art apo profesion në shoqërinë shqiptare? Disa bëjnë çudira me anë të ideve të lindura, e disa të tjerë me marketim komunikimi të veshin çudirat për ide. Duke tentuar të promovohemi, humbim nga vetja atë që na përket e na bën të veçantë dhe njëkohësisht natyrorja, ajo që lind si përkushtim i brendshëm është njëkohësisht edhe marketim komunikimi pa ekzagjerim. Mënyra se si ne pasqyrohemi tek të tjerët është sot kryefjala e shekullit, reklamat dhe format për të reklamuar sot produktet, shërbimet apo burimet njerëzore janë epiqendra e zhvillimit social dhe teknologjik. Në çdo vend ne përballemi me këtë fenomen-trend, rrugët janë të mbushura me reklama tunduese për një drejtues mjeti, të ndezësh TV për inertësh, sepse edhe kur s’ia ke ngenë të dëgjosh broçkulla parlamentarësh, TV, si orendi shtëpiake sjell ‘gjallëri’ zërash, të vret kohën.

Çdo emision është i copëzuar nga minuta reklamash e imazhe kompanish që përpiqen të prezantohen përpara audiencës, me qëllim përmirësimin e biznesit apo marrëdhënieve të tjera. Rikujtojmë shprehjen që qarkullon në përditshmëri, ‘këto që reklamohen nuk bëjnë’. Mos vallë afrimi me audiencën bëhet me çdo mjet, përfshirë edhe mashtrimin?!.

A ndihemi ne të mashtruar nga imazhe false që qarkullojnë rreth nesh? Sa prej jush do të pohonin se janë zhgënjyer nga imazhi fals i reklamuar i një produkti apo shërbimi?! Çdo ditë gënjehemi nga manipulatorë që ngrenë rreth tyre një marketim komunikimi të rremë. Kujtoj këtu produktet kozmetike të reklamuar nëpër TV shqiptare, pa kaluar te silikoni dhe transplantet fryrëse për ndryshime drastike.

Hologrami është sot një praktikë në vendet perëndimore ku edhe imazhi sinkronizohet live me infra dhe mund të intervistosh nga studioja modeste e një televizioni shqiptar të harruar, një politikan në Hong-Kong. Mundesh të shkosh në Hong-Kong nëpërmjet Hologramit. Të krijohet një absurd faktesh që ndonëse përparon koha, nuk kanë mundur ende të gjejnë formën më perfekte të imazhit të një shpirti të bukur. Është mister i pazbuluar një shpirt i bukur, që flet qetësisht, por edhe kur ulëret, sërish të dëgjon, është aty për të të dashur, pavarësisht kushteve, një shpirt që qan dhe ringrihet sa herë që dikush parketon keqazi shpirtin e tij. E bukura nuk mund të imitohet ashtu edhe siç nuk mund të marketohet.

E bukura, është ai moment kur rreth teje krijohet një ajër i paqtë, kur rreth teje elektrizohet perfeksioni dhe kur rreth teje pafundësia nuk shfaqet e frikshme. Konstatimet tona qëndrojnë brenda nesh, edhe kur jemi të detyruar apo të frustruar thjesht u japim një shans të dytë në përmirësimin e imazhit.

Pasi lë TV të brohorasë broçkulla, ndez laptopin dhe ashtu me dëshirën që kërkon të socializojë disi konservatorizmin tënd me modernizimin e një imazhi virtual, s’të lënë reklamat, të dalin klikim pas klikimi, zgjedh të dëgjoj nga youtube një këngë, më duhet të pres 20 sekonda deri sa të përfundojë reklama e pastës së dhëmbëve, apo e konservës së peshkut, ka edhe reklama të veshjeve online që të çmendin.

Imazhi është tendenca e fundit për ta shitur veten apo biznesin sa më lartë sa më mirë. Kurrfarë personi i parëndësishëm me pak truk virtualiteti dhe ide pikante mund të çajë rrjetet sociale apo websitet mediatike. Ka personazhe që investojnë te vetja për të transformuar imazhin, për të qenë më tërheqës dhe për të pasur një ndikim. Në fakt ndikimi nuk është se si e shohim botën, por se si ëndërrojmë brenda botës sonë.

Aristoteli, një filozof grek i madh për nga rëndësia, ka një thënie që do t’i rezistojë të gjitha kohërave. “Kur shikojmë, kemi një botë të ngjashme, por kur ëndërrojmë, secili është në botën e tij”. Urojmë që në një të ardhme mos të ndodhë edhe marketimi i ëndrrave, sepse vërtet kjo botë do prodhonte njeriun më deficit të kohërave.

Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 125

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top