Psikofakt

November 29, 2017 | 10:29

Nga Dorina Hoxha: Sentenca e pikës së lotit

Dorina Hoxha, publiciste

Dorina Hoxha, publiciste

Përshkrimi është një rrugëtim që kërkon nxitje. Dikush prej jush do më kundërshtojë me faktin se vetë udhëtimi është një lloj nxitje, sepse kur ka lëvizje, ka ndryshim.

A është i mjaftueshëm ndryshimi për të nxitur ide?

Unë do t’ju thoja që nxitja është një proces që ndodh atëherë kur idetë tona përplasen me njëra-tjetrën dhe kërkojnë të ngjizin një ide të re, që më pas ne e quajmë MENDIM.

105 vjet më pas…në shtetin që jetoj mund të udhëtojë e lirë, por jo e sigurt. Rrugëtimin tim ma ngacmon një lot.

A do të habiteshit nëse unë ju them se ky lot nuk është i rënë nga asnjë sy, e as i ndjerë nga asnjë shpirt. Ishte një imazh që m’u fiksua në urbanin që po udhëtoja drejt kryeqendrës së Shqipërisë teksa paguaja një biletë.

105 vjet më pas, nëse Ismail Qemalin e ngacmonte ideja për një Shqipëri të lirë dhe të pavarur, çuditërisht mua më ngacmoi ideja e një tatuazhi nën syrin e biletaprerësit.

Një pikëz loti që nuk ishte as e rënë e as kish për të rënë. Një pikëz loti e ngrirë dhe e pikturuar si për të rënë, më tërhoqi vëmendjen në atë rrugëtimin tim gati të përditshëm por që me 28 Nëntor merrte vlerën e një lirie shekullore.

Frymoj thellë dhe ndjej lirinë që më përket!

Pikëza e lotit është forma më sublime e lirisë së një qenieje. Në rrugën e kësaj pikëze të kriposur gjithçka ndjejmë e mendojmë, rrjedh e lirë.

Asnjë censurë për lotin, asnjë censurë për shpirtin!

A ka shpjegim kjo ndjenjë dhimbje o lumturie që shpërthen në lot?! … Ka një çast kur mendimi ndalet përpara një loti që del nga një fëmijë. Ma shpjegoni dot se pas cilës sakrificë burojnë lotët e një prindi?

Ne qajmë kur nuk mund t’i japim shpjegim asaj që ndjejmë, qajmë kur njerëzit që duam vdesim, na braktisin, na lënë vetëm. Qajmë edhe për atë që ndjen dhimbje, qajmë kur dikush mendon si Ne dhe për Ne.

Vajtojmë kur kuptojmë se jemi të paaftë për të luftuar me vdekjen. Lotët na rrjedhin sidomos kur kuptojmë se misionarët largohen atëherë kur e kryejnë misionin, duke na lënë pas mesazhe të gjalla dhe devotshmëri për të qenë të denjë në emër të humanizmit.

Një sy i thatë është një pus i shterpë, ndërsa sytë që rrjedhin janë pasuri dhe burim i një lirie të pakufishme dashurie.

Kush dashuron jetën, kush dashuron njerëzit, kush dashuron kafshët, tokën, detin, yjet, qiellin, kasollen, peshqit, pemët dhe lulet ka mësuar të qajë pa u turpëruar.

Turpi është për njerëzorët dhe loti për humanistët o lexuesi im.

U dashka fare pakëz për të vështruar një tatuazh loti nën sy dhe për të kuptuar se e gjithë liria jonë qëndron e fshehur në këtë pikëz, që kur e lëshojmë ndihemi jetimë e kur e mbajmë brenda qenies sonë ndihemi të robëruar.

Rrugëtimi im për në qendrën e shtetit paskësh qenë një fasadë që më kthente pas një shekull e më bënte të reflektoja si misionare e vetes sime për pikëzën e lotit. Të çon ndër mendje vendime të mëdha kjo pikëz, që kur bie, harrohet, e kur është gati në të rënë, manifestohet.

Kisha parë veten të qaja, për të provuar shijen e dhimbjes. Nxirrja gjuhën që më kriposej dhe e habitur nuk e kuptoja përse qanin njerëzit kur mërziteshin, përse në vend të lotëve nuk rridhnin gurë të çmuara. Do ishte privilegj të qaje në botë sikur pikëzat e lotit të ishin diamante me ngjyra të shndritshme. Dhimbja jonë do na pasuronte, e miliarderët do ishin njerëzit më fatkeq në botë!

Nuk e kisha menduar se një lot i ngrirë në lëkurë do të më kujtonte se kush isha, ku isha rritur dhe se cilën gjuhë flisja. Isha unë që fluturoja ndër mendime ashtu siç fluturonte Kukuvajka në mitologjinë greke e kthyer me fitoren. Shqiponja jonë kthehet pas një fluturimi 105-vjeçar dhe ndalon te çdo atdhetar për t’i nxitur atë ndjesinë e lirë që herë rrjedh në cep të syrit e herë ndalet në stacionin e largët të një udhëtari që sapo ka ngrënë një molto të skaduar. Herë ndalet në shkresat e zyrtarëve që ia presin hovin shekullor, e herë në varrin e atij që nuk i mungon më askujt. Sa varre mban kjo tokë aq edhe mungesa pasqyrohen në atë të shkretë pikëz loti, që kur mësoi të bjerë, na bëri ta harrojmë atë shprehje të urtë se: “Kur të mungon diçka, puna më e mirë është të shtiresh sikur e ke”.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top