Pika referimi

September 11, 2017 | 9:36

Nga Dorina Hoxha: Zona e kuqe, aty ku gjërat janë shumë të thjeshta…

“…Nuk është vërtet e nevojshme të marrësh fluturimin për të arritur në mes të diellit, por ka rëndësi të zvarritesh mbi tokë derisa të gjesh një vend të vogël ku dielli të shndrisë nganjëherë dhe ku është e mundur të ngrohesh nga pak.”   Franz  Kafka -“Letër Babait”

Nga Dorina HOXHA Publiciste

Nga Dorina HOXHA Publiciste

Dështimi fatkeqësisht bëhet edhe përcaktuesi i masës së dashurisë që të tjerët do të shfaqin, përfshirë edhe familjen. Rregullat morale përjashtohen nga çdo arsyetim dhe ndërmjet asaj që duhet dhe s’duhet, përjashtimi klith si një forcë urrejtje ndaj çdo dashurie. Kjo nuk është mbase e kuptueshme për disa, në zonën e kuqe gjërat janë shumë të thjeshta nga pjesa tjetër, që përpiqet ta ndërlikojë jetën me reflektime të hollësishme për materien dhe çdo gjë që ka lidhje me mirëqenien sociale.

Në zonën e kuqe, perceptimet thjeshtohen dhe kalojnë nëpër ngushticat  e kufirit ndarës të jetës dhe vdekjes. Askush nuk është i interesuar nëse telefoni është në limitet e zbrazura të baterisë apo nëse fjongot e pritjeve ceremonial të jenë blu ose të kuqe, në  të vërtet atje konceptet e ngjyrës janë ndër fenomenet më pak të perceptueshme. Mes jetës dhe vdekjes është një zonë e papërcaktuar që në urgjencat shqiptare perceptohet si “zonë e kuqe” ose ndryshe zona e rrezikut. Pas kafes së tretë, zona e kuqe bëhej shumëngjyrëshe dhe nuk kuptohej nëse ishe mes zonës ku jeta shkon drejt vdekjes, apo në zonën ku vdekja vinte drejt jetës për ta marrë.

Stigmatizimi i një kufiri ishte më pak i nevojshëm atëherë ku e vetmja lutje është edhe pak jetë, edhe pak shpresë. E gjithë kjo dëshirë për jetë ishte një hiç përpara një ngjarja që të trondiste, jashtë hyrjes për në zonën e kuqe. Një lloj reminishence që në raste të tilla të shërbejnë të përballosh luftën që ndodh brenda asaj zone.

Hapat të shpinin në një korridor të gjerë, aty në hyrje të zonës së kuqe ishte një zyrë informacioni ku mjekë e infermierë lëviznin çdo 10 minuta. Në fund të korridorit të gjatë  ishte hapësira e rezervuar për ata që prisnin të afërm, familjarë apo miqtë që ndodheshin në zonën e rrezikut për jetën. Çuditshëm pyesja veten se sa pasiguri kanë parë e dëgjuar ato mure, sa jetë janë ndërprerë e sa lot kanë lagur ato pritje të gjata ato stola spitali të ftohtë edhe më të ftohtë kur pritjet janë zhgënjim. Për t’ju njohur me ngjarjen, në urgjencën shtetërore të vendit tonë, ‘zona e kuqe’ është pavioni i të sëmurëve që kanë shfaqur problem kardiovaskulare. Përkarshi stolave të pritjes ishte një hapësirë e rezervuar për të akomoduar paraprakisht të sëmurët që vinin me shqetësime krejt të papritura. Ajo hapësirë ishte me tre shtretër dhe secili shtrat kishte perde ndarëse. Pritjet bëhen të gjata kur dëshira është e madhe por edhe më të gjata e të ftohta bëhen kur ato rrezikojnë të mbeten përgjithmonë pritje. Sapo kalova pragun e ‘zonës së kuqe’, korridori më dukej shumë i madh ngado njerëz që hynin e dilnin, në fytyrë u lexohej pasiguria, dhimbja, frika.

foto-dorina

Hidhja hapa përqark dhe jeta më dukej një reminishencë, njësoj sikur shpirti fluturonte pa i ndjerë zhurmat përreth meje, të qara dhe klithma të dëshpëruara njerëzish. Tek stolat qëndronin të ulur një çifti të moshuarish që prisnin, nuk e di çfarë prisnin!… Përkarshi stolave një vajzë e re ishte e shtrirë disi e zbehtë në fytyrë. I dashuri i ledhatonte dorën, për nga veshja dukeshin sikur kishin ardhur nga një party. Këmbët nuk më shpinin dot tek stolat e pritjes, stolat më dukeshin një pritje në përjetësi. Vendosa të mbështetesha në mesin e korridorit aty ku qëndronin makineritë e kafesë.  Pas mesnate, kafja ishte më e hidhur se pritja, vështrimin ma rrëmbyen disa të bërtitura tutje, mendja ishte më larg se distance ime me ata. Në hyrje të urgjencës qëndronin katër policë sepse diçka po ndodhte, gjysmë e përgjumët e gjysmë e shokuar ora po vente dy e gjysmë pas mesnatës. Nga  të bërtiturat e një mesoburri kuptova se ishte identifikuar një i droguar, i cili rezultonte të ishte djali i zotërisë në fjalë. Një hollak në pamje, djaloshi gjysmë i veshur dhe nën efektin e lëndës narkotike kruhej vazhdimisht, kthente kokën  vazhdimisht sa majtas djathtas. Ndërsa unë vështroja perëndueshëm nga hyrja, ai dukej më i përhumburi mes tyre. Shefi komisariatit kishte njoftuar babain e tij pas identifikimit të rastit. Një firmë i kërkonte ai, teksa në dorë mbante shkresën e bardhë, për ta mbyllur çështjen  i nevojitej konfirmimi  zyrtar i të atit, me demek ishte vënë në dijeni për gjendjen e të birit. Babai i djalit të droguar ishte një burrë me shtat të shkurtër nga dialekti i të folurës dukej me origjinë nga periferitë e Tiranës. Ai bërtiste me të madhe:-  “ Nuk e dua këtë”; “Mos ma sillni më në shtëpi, se po erdhi do ta vrasë”; “Ky ma ka nxirë jetën, kam 20 vjet që dergjem orar pa orar nëpër rajone policie.”

Sa trishtim ndjeva në atë moment !… Ndërsa i hakërrehej policëve, i afrohet të birit të droguar dhe i thoshte: “ Ta rregulloj unë ty, s’të vjen zor”. Ishte fraza më pak e arsyeshme për tu thënë.

Vallë a e kish kuptuar ai ‘zorin’ në efektin e heroinës?!… Retorika e pikëllimit tim, më bëri të heq vëmendjen nga ‘zona e kuqe’… një tjetër zonë ishte edhe më e kuqe, ishte aq e kuqe sa nga minuta në minutë mund të shpërthente në vrasje apo krim në familje. Një tragjedi luhej në hyrjen e urgjencës, një marrëdhënie familjare që degjeneronte në fjalë fyese. Një tablo shqiptare e realitetit të përditshëm ku pasqyronte një baba të lënduar e të zemëruar me të drejtë, nga ana tjetër ky realitet pasqyronte një djalë në moshë të re që vetëvritej nga mbidozat e heroinës, që atë natë pati fatin me vete, mbase natën tjetër do mbushi kutitë e ftohta të morgut. Një i ri që me dështimin i tij kishte përcaktuar edhe rolin në familje, një i përjashtuar që kishte devijuar rregullat sociale e që kishte fituar urrejtjen e babait, përjashtimin nga familja.

Ndonëse arsyet e një babai janë të justifikueshme, pasojat e tij të prindërimit po i vuante prej kohësh, këtë as që e kuptonte por e mohonte të birin dhe e fajësonte atë për gjithçka. Dështimi dhe gabimet të privojnë nga dashuria përfshirë edhe nga ajo prindërore, që supozohet të jetë e pakushtëzuar.

Prindërimi është një rrugë e mundimshme nëpërmjet së cilës mësohesh dhe mëson të duash pa kusht, të duash edhe atëherë kur fëmijët e tu nuk e kanë arritur suksesin që ti dëshiroje për ato, apo kur përpjekjet e tyre janë një dështim dhe gjenden të inkriminuar apo janë përdorues të lëndëve narkotike. Devijancën shiheni si një sprovë të prindërimit dhe  durimit  tuaj për ta shndërruar dashurinë në përpjekje për t’iu larguar së keqes.

Gjithçka ka një kufi mbase edhe kufiri i atij babai ishte i sosur në atë natë ku e vetmja zgjidhje që ka marrë është një firmë më tepër në rajonet e policisë dhe një bir që s’di ku dhe pse është.

 Zona e kuqe ishte një hap nga tragjedia e një marrëdhënie të ndërlikuar prind-fëmijë. Mediat një lajm më tepër duan në kronikën e zezë, e njerëzit një lajm më shumë për të komentuar ndër vete për të thyer monotoninë. Këndvështrimi nga urgjenca ishte një reminishencë dhimbjesh që vishnin përparësen e bardhë të mjekut dhe largoheshin sa andej-këndej në përditshmërinë e një jete-ferr.

 

 

 

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top