Pika referimi

March 9, 2018 | 9:23

Nga Linditë Ramushi: Barazi gjinore apo “status shoqëror”?

Pozita e femrës në një shoqëri, duhet të jetë gjithmonë e përzgjedhur nga forca intelektuale, formimi i saj, zotërimi i një aftësimi profesional, assesi e përzgjedhur si numër plotësues. Atë çfarë një femër e kohës së sotme arrin ta bëjë, duhet të ketë meritën e saj sipas normave të përgjithshme që shoqëritë vejnë.

Linditë Ramushi Dushku, diplomuar në shkollën e mesme të mjekësisë “Dr. Asllan Elezi”, profili pediatri në qytetin e lindjes në Gjilan. Studimet universitare i filloi në vitin 2004 në Universitetin Shtetëror të Tetovës, në Fakultetin Filozofik, dega Psikologji.

Është mjaft e përfolur pozita e femrës dhe mungesa e saj në pjesëmarrje në vende të caktuara në shoqëri. Një shtjellim të shpeshtë dhe të qartë të kësaj, mendoj që duhet ta bëjnë vetë femrat te vetja e tyre. Askush tjetër më mirë se ajo nuk mund ta përcaktojë veten e saj në vendin ku do të jetë. Si femrat edhe meshkujt kanë specifikat e veta. E kur kërkohet të gjendet se ku është pika që ato i bën të ndihen si të diskriminuara në shoqëri, ato gjithmonë theksin e vënë tek i ashtuquajturi “institucion mashkullor”. Kur kjo ndodh, automatikisht shohim një ndjenjë inferioriteti te femra për vetë atë që është ajo.

Mendoj që një femër e edukuar mirë dhe e shkolluar mirë po aq sa mund të jetë dhe një mashkull, aftësinë e saj duhet ta paraqesë po ashtu si e paraqet dhe një mashkull. Nuk i hyn në përfitim të identitetit të saj kërkesa që ajo të përfaqësohet dhe të matet me numër të caktuar në një institucion, ajo duhet të matë dhe të fitojë gjërat nga aftësitë që zotëron për diçka të caktuar. Po ashtu roli i saj që nga institucioni i parë, që është familja, rrënohet nëpër vija që ajo i lejon për shkaqe të ndryshme.

Termi femër e mashkull është përkufizim për dy qenie të të njëjtit lloj d.m.th. të qenies njeri. Kur lindemi ne jemi të lindur si femër ose si mashkull. Dallimi gjinor qëndron te karakteristikat fizike që ka një mashkull dhe një femër.

Në shoqëri dallimi gjinor mbështetet në detyrat dhe pozitën që ka mashkulli dhe femra nëpër shtresat e tëra të punëve dhe jetës në vend. Duke marrë parasysh historinë hasim në shumë ndryshime të rrjedhave, pozitave të ndryshme ku ka qenë femra. E këto pozita kanë qenë të ndikuara gjithmonë nga shumë faktorë. Femrat, mendoj që, bëjnë gabimin e tyre më të madh kur ato kërkojnë barazi gjinore në shoqëri, kur kjo barazi në parim ekziston.

Femrat duhet të përpiqen që të shikohen si qenie njerëzore, e jo nëpër institucione të përkufizohet e të futet në vende të caktuara të punës ose detyrës së saj profesionale, me një epitet të tillë vetëm si “femër”. 

Në Kuvendin e Republikës së Kosovës dhe nëpër kuvendet komunale përfaqësimi i femrave është me një numër të caktuar. Femrat  përzgjidhen nëpër këto pozita sikur brenda shtetit përzgjidhet dhe një grup minoritetesh në kuvendin e një shteti, ku ata s’janë shumica e popullatës njëkombëshe në vend. Nga momenti që ato e trajtojnë veten në këtë mënyrë dhe shikojnë pozitën e tyre në jetën shoqërore me numër të caktuar të drejtash, nga momenti që ato kërkojnë këto të drejta nga gjinia mashkull ato tregojnë se vetvetiu pranojnë një etiketim se ato janë të kufizuara. Nuk duhet të matet puna dhe fuqia e saj, e çfarëdo lloji qoftë, me emrin femër por me emrin qenie së pari.

Nga psikologjia dhe teoritë e ndryshme për dallimet gjinore ka shumë shpjegime për termin dallim gjinor, po ashtu edhe për ndërtimin fiziologjik të një femre e të një mashkulli. Nëse flasim për dallimet mes mashkullit dhe femrës për nga aspekti intelektual, që të dy gjinitë kanë proces fiziologjik dhe intelektual të zhvilluar në mënyrë të njëjtë. Sipas shumë studimeve të bëra nga psikologë të ndryshëm, janë gjetur përgjigje që nuk ka dallime në inteligjencë mes femrave dhe meshkujve.

E nëse një teori e caktuar e vë femrën në një vend tjetër nga mashkulli, nga çfarë pike niset kur intelekti dhe mundësia e femrës për të shfaqur veten është po aq e madhe sa edhe e mashkullit? Por, dihet se mashkulli nga forca fizike që zotëron ai në një farë forme shfrytëzon mbase dhe mungesën e përballimit të forcës fizike nga shumica e femrave për të pasur pushtet më shumë.

Femra s’ka nevojë të kërkojë barazi gjinore nga mashkulli ngaqë ai s’është determinuesi i të vërtetës qenie së pari. Femra moderne s’duhet të lejojë të flasë për të drejtat e saj të kërkuara nga i njëjti lloj i lindur.

Një luftë mes gjinive në shoqëri ka strukturuar edhe një rol të specifikuar që po i jepet barazisë gjinore. Mbase edhe është keqkuptuar si term, që shoqëria s’di, mbase, as ta pranojë mirë me tërë kuptimin e dallimit të vërtetë gjinor.

To Top

Powered by themekiller.com anime4online.com animextoon.com apk4phone.com tengag.com moviekillers.com