Mirëqenie

January 9, 2021 | 8:01

Për mëngjeset plot energji të mirë

Të ndodh edhe ty që ndonjëherë të zgjohesh i/e pangopur me gjumë? Të gjithë kemi ditët tona të vështira, ditë të cilat fikim menjëherë alarmin dhe nuk gjejmë forcën të ngrihemi për ta “zotëruar” ditën. Të krijosh çdo ditë një jetë, për të cilën mezi pret që të zgjohesh dhe ta jetosh, të jetosh me pasion dhe entuziazëm edhe kur çdo gjë duket e vakët dhe pa shpresë, kjo është terapia e zemrës.

Ambra Hysa, diplomuar për “Financë”, e apasionuar pas letërsisë, psikologjisë, duke sjellë herë pas here reflektime të sajat.

Ambra Hysa, diplomuar për “Financë”, e apasionuar pas letërsisë, psikologjisë, duke sjellë herë pas here reflektime të sajat.

Gjendemi shpesh përballë mëngjeseve të tilla dhe marrim një vendim i cili do të përcaktojë ditën tonë, mënyrën se si ajo do të funksionojë, energjia kodohet që në mëngjes, ne vendosim sapo zgjohemi sesi do të jetë dita jonë.

Ndodh që pas zgjimit, më në fund të ulemi para kompjuterit me kafenë në dorë dhe ato çfarë lexojmë apo shikojmë nuk ndihmojnë të dalim nga kjo gjendje.

Për ditë të tilla ka disa mënyra si mund ta ndryshojmë gjendjen tonë fizike dhe atë mentale. Mes tyre është vrapi, ecja e shpejtë, meditimi ose takimi me një njeri që e doni shumë dhe ju dhuron vetëm energji pozitive.

Quhet vetëhipnozë dhe muzika shpesh ndihmon, natyra ndihmon, edhe përqendrimi jashtë ambienteve të zhurmshme ndihmon.

1

Zakonisht muajt Janar dhe Shkurt janë muaj që njerëzit tentojnë të përjetojnë luhatje të vazhdueshme të humorit. Festat sapo janë larguar, dritat fiken dhe entuziazmi bie si me magji. Rikthehemi në punë, ka një rënie të ekonomisë, bën gjithnjë dhe më ftohtë, kushtet klimatike sjellin vështirësi në përditshmërinë tonë dhe kjo sigurisht që ndikon në gjendjen tonë emocionale.

Keni dëgjuar, me siguri, për të “Hënën blu”. E hëna, e tretë në janar të këtij viti, supozohet të jetë dita më depresive e vitit, sipas Cliff Arnallit, i cili shpiku këtë term në vitin 2005. Arnalli llogariti që e hëna e tretë në muajin janar ishte dita më depresive e vitit për disa arsye. Pushimet kanë mbaruar. Ti je pa para, sepse i ke shpenzuar të gjitha në dhjetor. Moti është i ftohtë dhe gri. “E hëna blu” është quajtur një term pseudoshkencor nga shkencëtarët, ata thonë që një ide e tillë e favorizon depresionin.

Nuk ka asgjë të gabuar të mbështillesh me një batanije dhe të pish ngadalë një filxhan çaji në dimër, por nëse ke kaluar mjaftueshëm kohë në këtë gjendje, mundohu të dalësh të hënën që vjen. Gjej diçka në qytet që mund ta prishë rutinën e pasditeve të dimrit në shtëpi.

Mos harro, nuk ka asnjë të hënë blu që mund të përcaktojë humorin tënd. Ti mund “t’i luftosh” të gjitha të hënat e ardhshme sapo zgjohesh në mëngjes duke u zgjuar me mendësinë e një fituesi dhe jo një humbësi. Sepse tashmë e di, nëse nuk e zotëron ti ditën, dita do të të zotërojë ty!

Vendos ti, çdo mëngjes!

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top