Posta

August 24, 2017 | 9:44

POSTA/Ndihem keq psikologjikisht

Sad woman in the city

Përshëndetje, stafi i revistës “Psikologjia”. Kam nevojë për një këshillë nga psikologia juaj. Jam 27 vjeçe, e martuar me 2 fëmijë. Kam një jetë familjare shumë të mirë. Bashkëshortin e kam shumë të mirë, më mirëkupton. Problemet i kam me veten. Kam një vit që kam filluar punë. E vuajta shumë se u ndava nga fëmijët. Më duket sikur bashkëshorti nuk do më pëlqejë më. Vuaj nga frika se do më tradhtojë orë e sekondë. Jam shumë xheloze. Nuk dua që ai të shkojë në asnjë event që ka në punën e tij, ndërkohë që nuk më ka dhënë shkas asnjëherë. Më bllokohet truri. S’e di si të veproj. Jam shumë keq nga ana psikologjike. Më duket sikur të gjithë më duan vetëm të keqen. Dhe diçka tjetër: a është normale që bashkëshorti me punën që ka, shkon me kolektivin në çdo sebep, ditëlindje dhe festojnë jashtë Tiranës? Mua këto më duken absurde. Kjo gjë më është kthyer në stres. Shumë faleminderit paraprakisht!

Nga Denata Toçe Psikologe Këshillimi

Nga Denata Toçe
Psikologe Këshillimi

Fillimisht ju them një BRAVO që keni filluar punë dhe keni gjetur një rrugë të mirë për të qenë e pavarur ndaj fëmijëve. Ata dhe ju e keni shumë të nevojshëm këtë proces. Ne jetojmë ME fëmijët dhe jo PËR fëmijët. E njëjta gjë vlen edhe për bashkëshortin tuaj. Në marrëdhënie është e rëndësishme që partnerët të na shohin dhe t’i shohim si të pavarur. Kemi dëshirë të shohim se si partnerët tanë rriten dita-ditës, zhvillohen dhe nuk qëndrojnë në një vend. Ndaj e përsëris që vendimi juaj është shumë i mirë. Përsa i përket xhelozisë, është një ndjesi, të cilën, e treguar kështu, duket se ka vend për irracionalitet. Sigurisht që mundësitë që partnerët të tradhtojnë njëri-tjetrin ekzistojnë, por ne nuk mund të ndalojmë të jetojmë dhe të kontrollojmë çdo hap që partneri bën. Do të ishte rraskapitëse. Shikoni rezultatin e veprimeve të partnerit tuaj. Një partner që tradhton, nuk do të ishte aq i përkushtuar me familjen, i dedikuar, i kujdesur për të bërë komplimentin e radhës, i kujdesshëm t’ju bëjë të ndjeheni  mirë dhe t’ju mirëkuptojë. Kjo nuk është recetë, por është tregues. Në të gjitha rastet, është e pamundur ta kontrollosh xhelozinë. Sigurinë dhe besimin e gjeni te veprimet e partnerit tuaj. Nëse marrëdhënia juaj nuk ka reflektuar këtë stil të të qenit që në fillim, atëherë do të duhet të bëni durim. Qëndroni në komunikim me partnerin, tregojini si ndjeheni dhe kërkojini që t’ju kuptojë kur mendoni se festat me kolegët duket se janë të vazhdueshme dhe se ndoshta në disa prej tyre mund të jeni edhe ju pjesë. Uroj që kjo të lehtësojë mendimet tuaja. Nëse mendoni se ngarkesa juaj emocionale dhe psikologjike është edhe më intensive, atëherë drejtohuni pranë një profesionisti për këshillime të vazhduara edhe më të thelluara për t’i ardhur në ndihmë vetvetes. 

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top