Këshilla & Arsye

January 1, 2018 | 8:00

Pozitivë për vitin që vjen

Çdo fillim i ri është entuziazmues, por ky pozitivitet duhet ruajtur që të mund të arrini objektivat. Ndiqni këshillat tona!

Purchase this image at http://www.stocksy.com/81602

Qëllimet e mira për vitin e ri janë si fëmijët: mund të jetë kënaqësi t’i sjellim në jetë, por shumë e vështirë për t’i mbajtur e për t’i rritur. Kjo gjë shpjegon se pse, pavarësisht se nisemi me shumë vullnet për të arritur objektivat që i kemi vënë vetes, në fund pak arrijmë të përmbushim. Statistikat thonë se çdo vit në janar një person në tre propozon të përmirësojë jetën e vet. Por, sipas disa studimeve, 75% e tyre janë besnikë të dëshirave të tyre për të paktën një javë, ndërsa më pak se gjysma (46%) vazhdon t’i ruajë këto objektiva për gjashtë muajt e ardhshëm. Fakti është që entuziazmi për diçka që fillon na shtyn të caktojmë objektiva ambiciozë, por ndoshta jo aq të rëndësishëm sa besojmë. Ndaj më mirë synoni drejt gjërave më serioze si shëndeti, që përfaqëson për të gjithë një objektiv për të cilin ia vlen të përkushtohemi. Më poshtë kemi përzgjedhur një listë me këshilla të vlefshme që ta filloni sa më mirë vitin 2017 dhe të merrni sa më shumë nga ai.

Stërvisni vullnetin

Forca e vullnetit është si një muskul: duhet ushtruar dhe duhet mbajtur në stërvitje! Për t’i kthyer në vepra fjalët, për të qenë koherentë dhe të kënaqur me veten duhet stërvitje e përditshme; filloni nga stërvitja praktike. Për dy javë, çdo ditë, çojeni në ekstrem rezistencën tuaj: vëruni përballë një tundimi dhe rezistoni. Jeni llupës? Mbani me vete një kuti çokollata, por mos i hani. Jeni emotivë? Shihni një film, por mos u mallëngjeni. Pini duhan? Blini një paketë, por mos pini asnjë cigare. Vetëm 15 ditë: afati kohor ju ndihmon të rezistoni. Në fund të dy javëve do të kuptoni se vetëkontrolli juaj dhe forca e vullnetit janë forcuar. Do të jeni të kënaqur me veten dhe mund ta praktikoni këtë metodë edhe për çështjet e tjera të jetës.

Fokusohuni në një objektiv

Forca e vullnetit nuk lind nga një burim i pafundmë, ja pse ju leverdis të përqendroni burimet tuaja për të arritur një objektiv. Më pas, me të arritur një objektiv, zgjidhni një tjetër, e kështu me radhë. Shpesh është e kotë të mundoheni të lini duhanin, të viheni në dietë dhe të filloni palestrën në të njëjtën kohë: më mirë fokusohuni vetëm në një objektiv. Do të jeni më të kënaqur me veten dhe do të keni më shumë pozitivitet për të investuar në projektet e radhës.

1Caktoni një synim dhe ndajeni në pjesë

Objektivat tuaja do të jenë goxha të rëndësishme, por jo domosdoshmërisht duhet arritur menjëherë, përkundrazi, zakonisht rruga drejt finishit është e gjatë dhe kërkon disa etapa: ndaj përqendrohuni tek to. Dëshironi një ngritje në detyrë? A e dini që është e mundur që ta merrni atë? Bëni hap pas hapi: filloni të shtoni përkushtimin tuaj, pastaj bëni të mundur që çdo arritje objektivi t’ia bëni të ditur eprorit tuaj me mirësjellje dhe vendosmëri. Çdo hap më shumë i bërë, nëse është i mirëorganizuar dhe i planifikuar, do t’ju çojë drejt synimit.

Dhuroni pozitivitet

Kush ndihet mirë dhe ka moralin lart ndikon pozitivisht çdo aspekt të jetës së tij dhe kjo gjë ju ndihmon të keni më shumë optimizëm dhe vendosmëri, pasi shton forcën e vullnetit. Kushtojuni kohë gjërave që ju pëlqen të bëni, një sporti që ju çliron tensionet, një daljeje me miqtë, që ju dhuron momente kënaqësie, një filmi argëtues që ju bën të qeshni: nuk do të jetë kohë e humbur, përkundrazi, do t’ju rritet durimi në momentet më të vështira.

Kujdesuni për trupin

Metaforikisht: trupi është një makinë gare me fuqi të lartë, ushqimi është karburanti i tij, ndaj duhet të jetë i mjaftueshëm e i shëndetshëm. Kujdesi për veten është mirëmbajtja, e cila duhet bërë rregullisht dhe nuk duhet lënë pas dore. Të kujdeseni për trupin dhe për shëndetin, ju lejon të keni energji për të punuar dhe për të arritur synimet e mira që bëni.

Jepuni hapësirë përjashtimeve

Të limitoheni 100% në diçka shpesh është joproduktive. Për të kursyer nuk duhet të detyroni veten që të mos përdorni më kartën e kreditit. Më mirë mbani mënjanë një buxhet të vogël për shpenzimet dhe investoni ose kurseni fitimet e tjera. Duke bërë kështu mund t’i lejoni vetes kënaqësi, edhe teka, por mund të jeni të sigurt se keni vënë mënjanë të ardhurat e nevojshme, që mund t’ju shërbejnë në rast nevoje.

Merrni forcë nga arritjet

Në momentet e vështira, kur pengesat e paevitueshme do t’ju dalin në rrugën drejt fitores, përdorni sukseset tuaja si një nxitje për të duruar. Ushqeni vetëbesimin dhe forcën e vullnetit duke bërë një listë të objektivave të përmbushura dhe të kënaqësive personale. Duhet të kujtoni sa keni bërë në të kaluarën, në mënyrë që të merrni kurajë për të ardhmen: nëse ia keni dalë më parë, me siguri do t’ia dilni edhe tani!

Jepni për të marrë

Bujaria na bën të ndihemi mirë me veten: ndihma që u japim të tjerëve në rast nevoje, na lejon të ndihemi krenarë. T’i jepni dorën dikujt do të thotë të stërviteni në nivelin e atij që është në vështirësi, të viheni në vend të tij dhe të falni nga vetja për të mirën e dikujt tjetër. Duket si një privim, por në të vërtetë nuk ka asgjë që ju mbush më shumë se sa të bërit të dhuratave. Dhuroni kohën tuaj, një gjest të këndshëm, dëgjimin, mirëkuptimin, një veprim solidarizues. Pasuria që do të merrni do të jetë stimul për veten dhe të tjerët.

Shquani objektivin

Përdorni të gjitha shqisat për të nxitur rrugëtimin drejt suksesit. Keni qëllim që të dobësoheni? Vendosni në kornizë një foto tuajën kur keni qenë më e dobët. Jeni duke kursyer për të bërë udhëtuar gjatë verës? Mbani me vete një guaskë që e keni marrë nga pushimet e kaluara. Doni të jeni një person më pozitiv? Vendosni në tryezën e punës një foto tuajën ku keni dalë duke qeshur… Me pak fjalë, kini ide të qarta për gjërat që do të bëni për të arritur synimet.

Dëgjoni sinjalet që ju jep trupi

Stresi, lodhja apo uria janë sinjale që trupi dhe truri juaj kanë arritur kulmin, nuk mund të vazhdojë “vrapin” pa rikuperuar energjitë. Dëgjojini këto sinjale dhe kujdesuni. Është e kotë të vazhdoni të punoni, kur ndiheni të sfilitur. Më mirë pushoni, dilni për të marrë ajër të pastër dhe konsumoni sheqernat, në mënyrë që të vini në lëvizje aktivitetin e duhur. Lejojini vetes të pushoni mjaftueshëm, në mënyrë që të rifilloni sa më mirë.

Çfarë prisni për të filluar të punoni për qëllimet tuaja të mira? Viti i ri ka filluar, tani ju mbetet juve që ta bëni këtë vit të mrekullueshëm!

To Top

Powered by themekiller.com anime4online.com animextoon.com apk4phone.com tengag.com moviekillers.com