Mirëqenie

January 3, 2018 | 9:10

Rikthim sa më i qetë në punë

Sindroma e rikthimit në punë

Mund të ndodhë që kur kthehemi nga pushimet, rifillimi i punës të jetë veçanërisht i mundimshëm. Edhe pse kemi kaluar ditë të tëra pushimesh ndihemi të lodhur, të papërqendruar dhe me më pak energji se më parë. Në disa raste, ditët që pasojnë kthimin në punë mund të manifestohen me një gjendje jo të mirë shpirtërore dhe fizike që përcaktohet si një sindromë e vërtetë, e cila në anglisht quhet “Post-Vacation Blues” ose “Stresi i rikthimit”. Kjo sindromë karakterizohet nga dhimbje koke, lodhje, ndjenjë hutimi e ankthi, debulesë. Të gjitha këto mund të jenë sinjalet që organizmi ynë shfaq përballë një gjendjeje stresi. Disa studime kanë arritur në përfundimin se nga sindroma e rikthimit në punë vuan më shumë se gjysma e njerëzve. T’u kthehemi ‘zakoneve të vjetra’ do të thotë të përballemi me një ndryshim ndaj ritmeve fiziologjike dhe psikologjike me të cilat jemi mësuar gjatë pushimeve. Në fakt, këto simptoma nuk janë gjë tjetër veçse një përgjigje si pasojë e një ndryshimi të papritur me të cilin trupi dhe mendja jonë duhet të përballen. Në përgjithësi, njerëzit që shfaqin sindromën e rikthimit në punë shpesh kanë një ndjenjë frustrimi, zhgënjimi, agresiviteti, depresioni. Kur i rikthehemi aktivitetit të përditshëm, këto gjendje shpirtërore rrisin edhe nivelin e stresit.

Përfitoni edhe pas pushimeve

Ana e mirë pas përfundimit të festave të fundvitit është se keni pasur mundësinë të bëni gjëra të ndryshme, përtej rutinës së zakonshme. Dhe çdo gjë e bërë ndryshe nga rutina e përditshmërisë, na bën të ndihemi mirë shpirtërisht. Rifilloni me qetësi, në punë, në shkollë apo edhe në shtëpi. Ndoshta këto pushime ju kanë dhënë mundësinë t’i shihni nën një tjetër këndvështrim marrëdhëniet tuaja. Nëse është kështu, është momenti i duhur për të marrë në konsideratë mundësi të reja dhe për të bërë ndryshime me qëllimin e vetëm për të përmirësuar gjendjen tuaj.

Kënaqni veten

Caktoni objektiva dhe qëllime që mund t’i realizoni. Nëse, për shembull, keni vendosur të dobësoheni, mos mendoni se do t’i hiqni të gjithë kilogramët e tepërt brenda një jave, por mund t’ia dilni gradualisht, duke e kontrolluar ushqimin tuaj ditë pas dite.

Ruani kontaktet

Nëse keni qëndruar në shoqërinë e miqve dhe të afërmve, ka mundësi të ndiheni vetëm nëse nuk keni miqësi në ambientin e punës. Çfarë të bëni? Vazhdoni të ruani kontaktet me miqtë dhe familjarët, dilni dhe bëni ndonjë aktivitet ku të përfshini edhe njerëz të tjerë.

Bëni projekte të reja

Bëni gjëra që ju japin arsye për të ecur përpara. Organizoni gjëra argëtuese. Jepini hapësirë një aktiviteti që ju pëlqen, si për shembull, shkoni në kinema ose merruni me aktivitet sportiv. Ka plot gjëra të bukura që mund të bëni. E rëndësishme është të kënaqni veten.

Bëni zgjedhje të shëndetshme

Pas ushqyerjes me tepri , objektivi juaj do të jetë: të hani mirë dhe të ushtroni aktivitet të rregullt fizik. Rezultati do të jetë i dyfishtë: do t’ju përmirësohet humori, si dhe do të ktheheni në formë të mirë fizike. Për të mbajtur sa më larg ‘sindromën e rikthimit’, konsumoni ushqime që rrisin neurotransmetuesit e serotoninës, ushqime që përmbajnë triptofan, si për shembull bananet, bulmetrat dhe bizelet.

Bëni ushtrime fizike

Aktiviteti fizik do t’ju japë shtysë për t’iu rikthyer humorit të mirë. Mund të zgjidhni të shkoni në palestër, apo thjesht edhe shëtitje në ajër të pastër më këmbë apo me biçikletë.

Bëni projekte për vitin që vjen

Planifikimi i ngjarjeve interesante dhe që mund t’ju pëlqejnë përgjatë gjithë vitit, është një mënyrë e mirë për të përmirësuar humorin tuaj. Mendoni se çfarë aktiviteti do t’ju pëlqente të bënit apo se në çfarë takimesh do të donit të merrnit pjesë. Për shembull, nëse ju pëlqen të udhëtoni, mund të planifikoni një udhëtim në një periudhë të vitit. E njëjta gjë vlen edhe nëse keni projekte më të rëndësishme si martesa, një fëmijë apo rregullimi i shtëpisë.

To Top

Powered by themekiller.com anime4online.com animextoon.com apk4phone.com tengag.com moviekillers.com