Editorial

April 30, 2018 | 14:21

Të luftosh për jetën, pa e kategorizuar fatin tënd

Veten e kisha lënë në hije dhe ende nuk e kisha kuptuar. Ndoshta nga vetë koha, e cila vjen një çast dhe nuk e kupton si të rrëshqet. Rrëmbehesh. Ca nga puna, ca nga pasioni, ca nga detyrimet familjare e ca nga rrethanat të pakuptimta apo punë boshe. Por shenjat fizike kishin filluar të shfaqeshin. Megjithatë, unë nuk doja ta pranoja. Nuk dua as sot të vuaj ndjesinë se mund të ketë diçka që nuk shkon mirë me shëndetin tim. Më pëlqen të lexoj. Humbas në të. Por ç’e do! Ndodh që mes rreshtash të lexosh për atë që ke nevojë të dish, të bësh. Fare-fare, të shkundesh se nuk je më në parametrat e duhur.

Nga Orjona Tresa, Gazetare

Nga Orjona Tresa, Gazetare

Bashkëshorti im, duket se është më i ndjeshëm dhe nuk e pranon ftohtësinë ndaj kujdesit shëndetësor, atë që unë tregoj herë pas here. “Jeta është dhuratë, madje e çmuar fort”, ma përmendte më shpesh asokohe. Ishte ai që më ndërgjegjësoi e më bëri të ndihem në faj. E pranoj. Para tri vitesh u përballa me një problem shëndeti. Pafuqi, tension i ulët, mungesë oreksi, lodhje dhe ngarkesë emotive. Bashkëshorti nuk priti më. Më mori prej krahu duke më bërë njëkohësisht dhe një seancë terapie shumë të nevojshme për situatën ku ndodhesha. Shkurt, më dha forcë për ta marrë qetësisht atë çka po më ndodhte. Sepse, tek e fundit, çdo sëmundje e ka një kurë trajtimi.

U qetësova, por kisha edhe frikë njëkohësisht, pse ta mohoj! Bëra kontrollet mjekësore, me bashkëshortin gjithkund brenda, në analiza, EKO e interpretimin e vizitave. U diagnostikova me një anemi të thelluar. U tremba në palcë. Informacioni sot është më i shpejtë nga sa mund ta mendosh. E po të kërkosh të dish, mëson më shumë nga sa të duhet. Ndërsa imagjinata bëhet më e shfrenuar se kaq. Gjithmonë mendohet më e keqja, kur në fakt, duhet menduar me e mira e mundshme.

Në çast imagjinova dy yjet e mi, fëmijët. I dhashë kurajë vetes: duhet ta luftoj aneminë, për ata. Duhet të jem njëlloj si më parë. Janë në rritje e kanë nevojë për fuqinë e mbështetjen time. Po të mos isha unë e zonja, kush do të gjente kohë të merrej me rritjen e tyre, mësimet, e gjithfarë gjërash që u nevojiteshin më pas?!

Nisa të mendoja gjëra të bukura e optimiste, t’i jepja shtysë vetes për mirë, ashtu siç bëj me të tjerë kur ndodh të kenë nevojë të këshillohen me fjalë pozitive. Fillova të vetëtrajnohem. Një ushtrim psikologjik ndaj vetes është po aq i suksesshëm sa dhe si që të përcjell një psikoterapeut, ndoshta më shumë. Jo vetëm familja ime kishte nevojë për Mua, por së pari unë për veten. Isha dhe unë bijë e dy prindërve që më donin më shumë se veten.

Këtu nisi kthesa. Edhe pse me pak dembelizëm, nisa të tregoj kujdes. Fillova të marr mjekimet e duhura e të mbaja një regjim më të rreptë. Kjo situatë më ka zgjatur deri sot. Vazhdoj dhe përpiqem me kurat përkatëse. Le të zgjasë, them me vete. Unë u mësova, e kam si një rrobë në trup të cilën më duhet ta vesh çdo ditë. Punë e madhe se më bezdis pak, mjafton që analizat e radhës të tregojnë se raporti fiziologjik shënjon tregues të tjerë pozitiv. Pak nga pak, çdo gjë do kohën e vet, durimin mbi të gjitha!

Nisur nga e gjitha kjo, jam bashkuar në përfundimin që të gjithë e njohim tashmë: duhet të luftojmë për jetën tonë. Prandaj, e rëndësishme është t’u nënshtrohemi kontrolleve periodike. Ajo që herë e nënvleftësojmë, e herë na krijon monotoni, duhet ta kthejmë në parësore. Nuk është se mund të ikim nga kjo jetë e të vijmë sërish, sa herë të na teket. Ndaj dhuratën e çmuar duhet ta mbajmë fort. Për më tepër ne femrat kurrë nuk duhet të dorëzohemi, dhe s’kemi pse shkojmë në vetësakrifikim. Nuk duhet t’i bëjmë të gjitha vetë. Bukuria e jetës është kur detyrimet alternohen, ashtu si në dashuri një çift jepet pa kurrfarë interesash.

Të luftosh për jetën, pa e kategorizuar fatin tënd. Ta duash trupin dhe shpirtin tënd siç bën për ata që do më shumë në jetë. Ndaj vlerësoni gjithçka me durimin që meriton, dhe do t’i gëzoni fitoret!

Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 124

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top