FB

September 14, 2021 | 12:27

Angela Merkel profili i një gruaje ‘të fortë’ që do të mbetet gjatë në histori

Udhëheq kombin më të fortë të Europës dhe është duke mbyllur mandatin e saj të katërt, duke deklaruar se do të tërhiqet përgjithmonë nga posti që ka 16 vite që e mban. E para kancelare në historinë gjermane është një grua e divorcuar, pa fëmijë, e cila revolucionoi partinë e saj (kristian-demokratike) konservatore dhe maskiliste.

Jeta publike e Angela Merkel është një nga më të dokumentuarat në botë, por pak dihet për historinë e saj personale. Duhet të ‘gërrmojmë’ në tridhjetë vitet e para të jetuara në Gjermaninë komuniste dhe të përdorim aq sa ajo vetë ka pranuar të tregojë: edukimin protestant, rininë në ‘qiellin gri’ të diktaturës, formimin shkencor, dashurinë për lirinë. Dhe akoma edhe sot, respekti për privatësinë e saj është absolut, i çimentuar nga besnikëria e miqve dhe e bashkëpunëtorëve.

Kur në prillin e vitit 2000 Angela Merkel u zgjodh presidente e kristian-demokratëve, për drejtuesit e vjetër ishte një revolucion i vërtetë: lideri i ri është një grua, protestante, pa fëmijë dhe për më tepër e divorcuar (nga bashkëshorti i parë, studenti i fizikës Ulrich Merkel, mbiemrin e të cilit e mbajti edhe më pas) në një parti që ishte ndjeshëm konservatore dhe maskiliste.

Pas një karriere të suksesshme, pa dyshim fshihet aftësia, puna, shpirti i sakrificës. Por mbi të gjitha mënyra, një ‘mënyrë’, ‘mënyra Merkel’ e përbërë nga elementë që i kanë rrënjët në të kaluarën, në edukimin e marrë dhe në formimin akademik. Në vend të parë është studimi. Të shkëlqente në shkollë ishte thelbësore për t’u afirmuar në një shoqëri, në atë të Gjermanisë Lindore, e cila e diskriminonte si e bija e një pastori protestant që kishte ardhur nga Gjermania Perëndimore. Për këtë arsye, Merkel ishte një studente model, kokëfortë dhe e vendosur. Në përkushtimin e saj publik ka mbajtur të njëjtin qëndrim, duke synuar tek kompetencat. Në takimet ndërkombëtare, në ndryshim nga shumë partnerë të saj, vinte gjithmonë e përgatitur.

Disa muaj më parë, ndryshe nga zakonisht, Angela Merkel pranoi t’i përgjigjej një pyetjeje: për çfarë do të mbahej mend. “E kam shumë për zemër Europën, do të doja të më kujtonin për përkushtimin tim për të.” Fjalët e saj kaluan pa u vënë re në Gjermani, por ishte një indicie e qartë mbi vendimin e paralajmëruar: tërheqjen nga politika. “Dikur kam thënë që nuk jam kancelare. Nuk e kam harruar asnjëherë këtë gjë.” Është e qartë, e drejtpërdrejtë, nuk ka nevojë për t’u dukur dhe as për të rënë në sy, sepse puna e saj flet më shumë se çdo gjë tjetër: është origjinale. Në një shoqëri ku është thelbësore tek transmetimi i një imazhi dinamik dhe fitimtar, Kancelarja nuk e ka konsideruar asnjëherë këtë gjë si një domosdoshmëri për të promovuar aktivitetin e saj publik.

Në këtë logjikë, përgjigja që i dha një gazetareje, e cila e pyeti për pamjen e saj është mjaft treguese: “Njerëzit që kanë kohë të kujdesen për pamjen time fizike pa dyshim që duhet të kenë një jetë të mrekullueshme”. Duke treguar veten për atë që është, ajo ishte në gjendje të fitonte besimin e gjermanëve. Në fund të fundit, siç thoshte shpesh ajo: “Kushdo që ka diçka për të thënë, nuk ka nevojë për grim”.

Në maj të vitit 2019 përballë 20 mijë studentëve të Universitetit të Harvard u shpreh: “Vazhdoni të pyesni veten: po e bëj këtë gjë sepse është e duhura, apo vetëm sepse është e mundur? Kujtoni, hapja sjell gjithmonë rreziqe. Për të filluar diçka të re është e nevojshme të largoni të vjetrën. Dhe sidomos, asgjë nuk duhet ta merrni si të mirëqenë, gjithçka është e mundur.”

E mesa duket, nën këtë moto, më 26 shtator, Kancelarja që do të mbetet në histori, do të vijojë një tjetër rrugëtim, atë të të qenit thjesht Angela Merkel.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
[email protected] / Cel: 0684022192
[email protected] / Cel: 0688019400

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top