FB

February 26, 2021 | 8:30

Avantazhet e mësimit online dhe sfidat me teknologjinë

Sistemet ndërkombëtare arsimore janë përpjekur të përshtaten me inovacionin në arsim, në të cilin theksi vihet në mësimdhënien online dhe metodat e avancuara dhe inovative të mësimdhënies. Në kuadër të kësaj strategjie të ndërkombëtarizimit dhe integrimit të teknologjisë në sistemet arsimore, vendi ynë gjithashtu ka bërë në kohë përpjekje për integrimin e metodave të reja të mësimdhënies në arsim.

Nga Arsejda GJYLI | Lektore në Shkencat Politike, Analiste

Paçka përpjekjeve, mësimdhënia online mbetet një sfidë më vete edhe se avantazhet e saj janë të shumta. Në situatën aktuale që e gjithë bota po kalon, atë të pandemisë, ku përgjithësisht shkollat dhe universitetet janë të mbyllura, lind një nevojë e natyrshme për të implikuar mësimdhënien online edhe se niveli i përdorimit të teknologjisë në vendin tonë mbetet i ulët sa i takon aplikimit të teknologjisë për punë.

Këtu natyrshëm na lind pyetja se si po administrohet kjo situatë dhe a është e mundur në kushtet e një emergjence të implementohet një sistem i tërë edhe pa ndjekur disa hallka paraprake trajnimi, njësimi dhe përshtatjeje nga ana e mësuesve, studentëve dhe instancave drejtuese etj?

Le ta analizojmë, duke evidentuar avantazhet dhe disavantazhet e mësimit online përgjatë një situate aspakt të zakonshme emergjence. Në kushtet kur nevoja kërkon një zgjidhje të shpejtë dhe efikase qoftë për organet qeverisëse por edhe për grupet ekzekutive dhe drejtuese të shkollave apo universiteteve, natyrshëm lind nevoja e një aplikimi dhe përshtatjeje të menjëhershme e natyrshëm jo në kushtet optimale. Aplikimi i sistemit online të mësimdhënies në gjithë botën ka treguar se përbën një lehtësi të jashtëzakonshme për ata individë të cilët nuk e ndjekin fizikisht mësimin, por munden të jenë në auditor nëpërmjet formateve të ndryshme teknologjike. Në situatën aktuale, mësimdhënia online përbën një nga zgjidhjet më optimale të mundshme.

Në kushtet kur jo të gjithë brezat e mësuesve apo nxënësve janë të përshtatur me teknologjinë, hasen problematika procedurale të integrimit me sistemin dhe plotësimin e kushteve për të aksesuar mësimin përmes mjeteve teknologjike. Një nga problematikat kryesore sot edhe në vendin tonë është pamundësia ekonomike për të pasur një mjet teknologjik apo lidhjet e internetit, të cilat bëjnë të mundur aksesimin e mësimit online. Kjo dëmton ecurinë e atyre nxënësve, të cilët për arsye objektive nuk janë dot pjesë e mësimit, paçka rezultateve të tyre.

Gjithashtu, mësimdhënia përmes metodave të avancuara dhe aplikimi i mësimit online janë kontestuar nga grupet e studiuesve duke konsideruar faktin se ato shpesh zhveshin marrëdhëniet interaktive mes mësimdhënësit dhe studentit dhe reduktojnë ndjeshëm cilësinë dhe produktivitetin e studentit.

Si përfundim, në kushtet aktuale vendi ynë po bën një hop cilësor në integrimin e sistemit arsimor në rrugën e mësimdhënies online dhe atë të përditësimit me teknologjinë edhe se kjo po ndodh prej shtysës që ofron një situatë e jashtëzakonshme. Përfitimet e saj janë të shumta, duke marrë në konsideratë faktin se pamundësia fizike për të zhvilluar normalisht mësimin, gjeneron nevojën për të ecur përpara me edukimin dhe arsimimin e brezit të ri.

 

 

Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 155

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top