Mirëqenie

July 9, 2020 | 8:06

Erinda Bani: Fëmijët e 9-vjeçares nuk duhet të përdorin rrjetet sociale

Në një realitet ku teknologjia dhe interneti janë mekanizmat që lëvizin botën e përditshmërisë tonë, dhe nevoja për të cilat është kthyer gati-gati në një varësi, duhet t’i kujtojmë vetes vazhdimisht që mjeti për të arritur qëllimin, nuk duhet të shndërrohet në qëllim në vetvete. Nëse për të rriturit, kjo kërkon përpjekje të mjaftueshme, për fëmijët apo adoleshentët kjo bëhet pothuajse një mision i pamundur.

Erinda Bani Psikologe kliniciste

Erinda Bani
Psikologe kliniciste

Por, ka arsye të mira se përse fëmijët që dinë të përdorin kaq mirë pajisjet e teknologjisë telefonike apo kompjuterike, të evitojnë apo t’i përdorin minimalisht rrjetet sociale për çfarëdo arsye ata kanë, qoftë edhe për më tipiken që dëgjojmë prej tyre: “Kot, po kaloj kohën”.

Së pari, media sociale nuk është dizenjuar për fëmijët. Korteksi frontal i trurit, i pazhvilluar mirë ende, tek një fëmijë nuk mund të menaxhojë tërheqjen apo tundimin që vjen nga përdorimi i mediave sociale.

Së dyti, nuk mund të mësosh pjekurinë që media sociale kërkon. Shpesh dëgjojmë prindër që thonë se duan t’u mësojnë fëmijëve të tyre se si të përdorin rrjetet sociale siç duhet, por pjesa e trurit të mesëm të tyre nuk është zhvilluar ende plotësisht. Fëmijët do të mësojnë të përdorin rrjetet sociale në mënyrë të përshtatshme kur të rriten, jo më parë.

Së treti, media sociale është një teknologji argëtimi. Ajo nuk e bën fëmijën më të zgjuar apo më të përgatitur për jetën apo punën në të ardhmen.

Së katërti, nuk është e nevojshme për një zhvillim social të shëndetshëm. Media sociale është zbavitje që shoqëron një platformë marketingu, e cila kërkon informacion personal dhe preferenca personale nga fëmija, për të mos përmendur orë të tëra nga koha dhe vëmendja e tij.

Së pesti, mentaliteti i një adoleshenti “më shumë, më mirë” është një qasje e rrezikshme për median sociale, sepse ajo inkurajon të bërit e sa më shumë miqve, apo gjërave të tjera në jetë. Sa nga ju kanë qindra miq në rrjetet sociale?

Së gjashti, media sociale është një formë e varësisë nga argëtimi nëpërmjet ekranit. Ashtu si varësia nga lojërat elektronike, edhe përdorimi në moshë të hershme i rrjeteve sociale, mund të vendosë modele sjelljeje apo zakone të varësisë në të ardhmen.

Së shtati, media sociale zëvendëson të mësuarin e shumë aftësive sociale të nevojshme për t’ia dalë me sukses. Përdorimi i saj pakëson ndjeshëm shanset që fëmijët të përballen “sy më sy” me moshatarët e tyre, një aftësi e domosdoshme për të ardhmen.

Së teti, media sociale mund të bëhet shkak që adoleshentët të humbasin lidhjet me familjet e tyre. Ata shohin miqësitë si bazike, por, për hir të faktit që truri dhe personaliteti i tyre është në zhvillim e sipër, u nevojitet një atashim i shëndetshëm më shumë me familjen, se sa me miqtë.

Së nënti, përdorimi i rrjeteve sociale përfaqëson një potencial të humbur për adoleshentët. Por, si? Truri i tyre është në kulmin e performancës për të mësuarin e gjërave të reja. Studime tregojnë se bëhet shumë e vështirë t’u përkushtohesh mësimeve dhe rrjeteve sociale me të njëjtin ritëm dhe punë.

Së dhjeti, librat nxisin proceset mendore dhe vetë-rregullimin emocional. Leximi i librave dhe kalimi i kohës me ta, nuk shkakton asnjë efekt anësor te fëmijët apo të rriturit.

 

 

Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 148

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
[email protected] / Cel: 0684022192
[email protected] / Cel: 0688019400

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top