FB

July 20, 2021 | 8:15

Gjërat që prindërit kanë bërë fshehtas për t’i lehtësuar jetën fëmijëve

Prindërit na kanë dhënë kaq shumë gjëra gjatë jetës. Që para se të dilnim në jetë, përgjatë fëmijërisë apo edhe kur jemi të rritur, ata asnjëherë nuk reshtin… japin kaq shumë, edhe pse mund të ndodhë që të heqin dorë nga dëshirat dhe nevojat e tyre. Dhe ndodh që asnjëherë nuk e vlerësojmë këtë gjë, deri në momentin kur bëhemi vetë prindër. Madje edhe atëherë, ndonjëherë nuk e kuptojmë vlerën e tyre, deri në çastin kur është tepër vonë dhe ata kanë ikur. Ndaj, le ta ndryshojmë këtë gjë!

Lexoni mbi gjërat që prindërit fshehtas sakrifikojnë për t’i bërë fëmijët e tyre të jetojnë më mirë. Pasi ta keni lexuar artikullin tonë, lëreni telefonin mënjanë, lini çdo punë apo kafe dhe shkoni të falenderoni mamin dhe babin për gjithçka kanë bërë për ju.

Duke lunduar në internet lexova këtë shprehje: “Vlerësojini prindërit! Asnjëherë nuk e dini se çfarë sakrificash kanë bërë për t’ju rritur!”. Realisht më bëri të kuptoj mbi çdo gjë që heqim dorë për fëmijët tanë, gjë që më shtyu të mendohem më tej se të njëjtën gjë kanë bërë edhe prindërit tanë për ne. Dhe nga një studim në tjetrin, kemi bërë një listë mbi sakrificat që prindërit bëjnë heshturazi për të rritur fëmijë më të lumtur.

 

1. Gjumi

Mungesa e gjumit është kaq e zakonshme kur fëmija është bebe, por vazhdon edhe kur ata janë 2-3 vjeç, në moshën kur fillojnë të flenë gjatë gjithë natës. Kjo “torturë” zgjat përgjatë gjithë fëmijërisë, madje dhe ca më tej. Natën para ditës së parë të kopshtit, nervat dhe ankthi na lë pa gjumë. Kur ju thonë se nuk ju pëlqen ajo veshje, por një tjetër për të shkuar në shkollë, e shtyni gjumin tuaj për t’ia hekurosur, dhe lista vazhdon e vazhdon dhe bashkë me të edhe netët pa gjumë.

2. Qetësia e mendjes

Të gjithë shqetësohen, por para se të bëheni prindër, të paktën keni mundësinë të çlodheni. E dini se me t’u kujdesur për përgjegjësitë tuaja, mund të çlodheni dhe të pushoni. Por kur bëheni me fëmijë, do të keni të paktën një shqetësim në ditë për mirërritjen e fëmijës, i cili do t’ju rrahë si çekiç në thellësinë e mendjes. Edhe atëherë kur mendoni se jeni mjaftueshëm të qetë, ai zëri “armik” do t’ju pëshpërisë në vesh: “po sikur?”. Dhe kështu, qetësia do të shndërrohet në një gjë që i përket së shkuarës.

 

3. Privatësia

Privatësia është një koncept krejt i huaj për fëmijët, të paktën derisa bëhen adoleshentë dhe kërkojnë të qëndrojnë me veten e tyre. Ne prindërit harrojmë se si ishte vajtja në banjë vetëm ose dushinë paqe. Dhe po ashtu mësojmë shpejt se çdo gjë që themi (edhe kur mendojmë se nuk po na dëgjojnë) do të riprodhohet fjalë për fjalë nga fëmijët te personi i gabuar në kohën e gabuar.

 

4. Koha

A e keni menduar ndonjëherë se sa shumë kohë i përkushtojmë fëmijëve? Ja një ndihmë – çdo ditë në 18 vitet e para të jetës së tyre. Marrim fare pak kohë për veten, vetëm atëherë kur jemi siguruar se ia kemi plotësuar të gjitha nevojat. Pastaj ndihemi keq dhe në faj pse i kemi kushtuar kohë vetes dhe jo fëmijëve. Sipas psikologëve, kjo është një nga arsyet më madhore pse nënat ndihet fajtore gjatë gjithë jetës, pasi mendojnë se kanë lënë pas dore fëmijët.

 

5. Dëshirat

Kur bëheni prindër, dëshirat tuaja kalojnë në vend të fundit dhe çdo gjë ridimensionohet nga e para. Në fillim vijnë dëshirat e fëmijëve, pastaj nevojat bazike të jetesës dhe në fund ato dëshira që mund të keni ju.

Edhe atëherë kur keni ca lekë mënjanë, keni më shumë tendencën t’i shpenzoni ato në diçka që e dini se fëmija juaj e pëlqen dhe e adhuron.

 

Përgatiti: Manjola EREQI   |   Burimi: PsychoNews

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top