Në fokus

July 20, 2021 | 8:02

Kurban Bajrami “Festa e Flijimit”, ja çfarë thotë historia / Si i shpërblen Zoti të sinqertët

Kurban Bajrami “Festa e Flijimit”, është një nga dy festat islame të cilën e kremtojnë myslimanët në mbarë botën, tjetri është Fitër Bajrami. Festa, sipas traditës islame, nderon gatishmërinë e Ibrahimit të flijojë djalin e tij, si vepër e nënshtrimit ndaj urdhrit të Zotit, para se Zoti të ndërhyjë përmes engjëllit të tij, Xhebrailit dhe të njoftojë Ibrahimin se flijimi i tij është pranuar tashmë. Mishi nga kafsha e flijuar ndahet në tre pjesë. Familja mban një të tretën; një e treta tjetër jepet për të afërmit, shokët dhe fqinjët; ndërsa një e treta e mbetur i ndahet të varfërve dhe nevojtarëve.

haxh

Në kalendarin hixhri (islam), Kurban Bajrami bie në ditën e 10-të të muajit Dhulhixhxhe dhe zgjat për katër ditë. Në kalendarin gregorian, data ndryshon nga viti në vit duke shkuar përafërsisht 11 ditë më herët çdo vit.

Emërtimi “Kurban Bajrami” në gjuhën shqipe është huazim nga turqishtja – Kurban Bayramı, që do të thotë “Festa e Flijimit”. I njëjti emërtim përdoret edhe në Azerbajxhan, Bosnje dhe Hercegovinë, Bullgari, Kroaci, Mal të Zi, Maqedoni, Rusi, Serbi, Turqi e Ukrainë.

Eid-al-Ad-ha (Ad-ha Eid) përdoret edhe me emra tjerë në botën myslimane, për shembull në Marok,  Algjeri, Tunisi, Egjipt, Jemen dhe Libi quhet Eid el-Kibir (Eidi i madh). Në Kinë quhet Festa e Kurbanit. Kjo ka të bëjë me sakrificën që bëhet në emër të profetit Ibrahim. Kjo sakrificë është prerje e një kafshe (dele, qengj ose cjap) si kurban. Sipas rregullave kjo kafshë duhet të jetë së paku një vit i vjetër. Ky recital thuhet arabisht për sakrificën e bërë:

Në emër të Allahut

Dhe Allahu është më i madhi

O Allah, kjo me të vërtetë është për ty

O Allah, pranoje nga unë

Pas sakrificës së kafshës, sipas Kuran-it, mishi duhet të ndahet në tri pjesë: Një pjesë për të varfrit, një pjesë për të afërmit dhe fqinjët dhe pjesa e fundit për familjen tënde.

qabeNjë ndër pejgamberët më të dalluar të Allahut xhel-le she’nuhu është edhe Ibrahimi alejhis-selam. Ai ishte i martuar me Sarën, por Allahu nuk u kishte dhuruar fëmijë. Më pas u martua edhe me Haxheren, të cilës Allahu xhel-le she’nuhu ia kishte dhuruar Ismailin. Ibrahimi alejhis-selam kishte premtuar se nëse Allahu ia dhuron një djalë, atë do ta bënte kurban. Me urdhrin e Allahut xhel-le she’nuhu, Ibrahimi alejhis-selam e mori Haxheren dhe prej Palestine ku jetonte, e çoi në Hixhaz dhe e la Haxheren me birin e saj të porsalindur, në vendin ku më vonë u ngritë Qabja. Ai vend ishte një vend i shkretë, nuk kishte as ujë e as njerëz. Kur Ibrahimi deshi të largohej prej atij vendi, doli Haxherja para tij dhe tha: Pashë Zotin! Nga mendja jote po e bën këtë apo Allahu të ka urdhëruar? Ai tha: Allahu më ka urdhëruar. Haxherja tha: Atëherë, Allahu nuk do të na humbasë. Më pas, Haxhereja filloi të kërkojë ujë për djalin e saj të vogël. Aty afër ishin dy kodra të vogla: Safa dhe Merva. Haxherja herë shkonte në njërën kodër e herë në tjetrën me shpresë se do të shihte ndonjë burim uji. Këtë e bëri shtatë herë. Kur u kthye Haxherja tek Ismaili, pa se si ai me këmbët e veta kishte gërryer rërën, nga e cila dilte ujë i pastër më vrull. Atëherë, Haxhereja tha: Zem Zem (ndalu-ndalu) dhe burimi u qetësua.

Ibrahimi alejhis-selam, kohë pas kohe, prej Palestine vinte t’i vizitonte Haxheren dhe Ismailin. Sa më shumë rritej Ismaili aq më shumë shtohej dashuria e Ibrahimit ndaj tij. Nga kënaqësia më të birin e vet, Ibrahimi alejhis-selam sikur kishte nxjerrë në harresë premtimin e dhënë se, nëse Allahu do t’i jepte djalë, do ta bënte atë kurban për Të!

Allahu xhel-le she’nuhu në ëndërr, tri herë ia kujtoi premtimin e dhënë Ibrahimit alejhisselam për të birin. Një ditë, Ibrahimi alejhis-selam i tha gruas së vet, Haxheres, që ta përgatisë të birin se do të shkojnë me të diku në vizitë. Nëna, duke mos ditur se ç’po përgatitej për të birin e saj, e veshi bukur dhe e përcolli me të atin. Sa u largua Ibrahimi me të birin, shejtani në formë të njeriut iu paraqit Haxheres, duke i thënë se Ibrahimi do t’ia therte të birin! Haxherja duke mos i besuar njeriut të panjohur, e përzuri atë saqë detyrohet ta gjuajë me gurë. Shejtani, tri herë në tre vende iu paraqit Haxheres dhe ajo tri herë duke e gjuajtur me gurë e përzuri atë.

eid-al-adha-1002712Kur Ibrahimi iu afrua vendit ku kishte vendosur ta therte të birin, filloi t’i tregojë Ismailit se ka parë ëndërr se e therë atë, duke i thënë: -Djaloshi im, mua në ëndërr më fanitet se unë ty të thera kurban! Çka thua ti për këtë ëndërr? -Babë, bën atë çka të urdhëron Zoti, e unë do të duroj! -M’i lidh sytë dhe therëm sa më shpejt, që dhimbja të jetë sa më e lehtë! Kur babë e birë iu dorëzuan urdhrit të Allahut, Ibrahimi alejhis-selam e shtriu të birin me kokë për toke, me thikën e tij të mprehtë i ra qafës së Ismailit, por thika as gjurmë nuk la në qafën e tij. Atëherë, Ibrahimi alejhis-selam i ra edhe dy herë qafës, por pa kurrfarë efekti. I hidhëruar me thikën që nuk priste, i ra gurit më të afërt, guri u ça përgjysmë. Ibrahimi i habitur i tha thikës: – Thikë, e përgjysmon këtë gur të fortë e nuk e pret këtë qafë të butë!? Në atë moment, Allahu xhel-le she’nuhu e thirri: – Ibrahim, mjafton! Ti e realizove premtimin tënd dhe ëndrrën e bëre realitet. Që vendimi për therje kurban të shkojë në vend, Allahu xhel-le she’nuhu ia zëvendësoi therjen e të birit me therjen e dashit, që ia solli engjëlli. Ky ishte shpërblimi i Zotit për të sinqertët.

Për këtë festë të gjithë besimtarët vishen me rrobat më të mira që kanë dhe vizitojnë njëri-tjetrin.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top