FB

September 14, 2021 | 9:00

Lëkurë dhe flokë të shëndetshëm pas plazhit

 

Kthimi nga pushimet shpesh na gjen me lëkurë dhe flokë të thatë, për shkak të faktorëve ambientalë: ekspozimi i gjatë ndaj diellit, klori, por edhe kremrat mbrojtës, ato pas diellit si dhe ushqyerja jo e shëndetshme dhe mungesa e hidratimit. Për këtë arsye është e nevojshme të rigjeneroni dhe kujdeseni sa më shumë për trupin pas stinës së verës ose pas kthimit nga pushimet.

Ndiqni këshillat e mëposhtme…

Lëkura

  1. HIDRATIM I BRENDSHËM

Dehidratimi luftohet kryesisht së brendshmi. Ndaj, edhe pse temperaturat në shtator ulen pak, është e nevojshme të vazhdoni të pini rreth 2 litra ujë në ditë. Kthejuni zakoneve të mira, ku çdo ditë duhet të hani shëndetshëm dhe duhet të konsumoni fruta dhe perime të freskëta të stinës.

  1. EKSFOLIANTI ËSHTË I RËNDËSISHËM

Heqja e qelizave të vdekura të epidermës, favorizon rigjenerimin qelizor. Është e nevojshme të bëni scrub një herë në javë, në mënyrë që ta bëni lëkurën më të shkëlqyeshme dhe të butë. Në fytyrë është e nevojshme të bëni edhe maska detoksifikimi.

  1. PASTRIMI I NEVOJSHËM

Nuk duhet të lini pas dore as pastrimin, si për sa i përket fytyrës, ashtu edhe për trupin. Zgjidhni larës delikatë, që nuk përmbajnë substanca agresive për lëkurën.

  1. HIDRATIM I JASHTËM

Njësoj si hidratimi i brendshëm i organizmit, edhe ai i jashtmi ka një rëndësi të madhe. Zgjidhni produktin e duhur për lëkurën tuaj. Përdorni serume, kremra dhe vajra specifikë për lëkurën e thatë, të cilat përmbajnë përbërës antioksidantë, hidratues, ushqyes, rigjenerues dhe qetësues, përbërës thelbësorë për të minimizuar dëmet e shkaktuara nga dielli, klori, era, etj. Edhe në këtë rast, duhet të zgjidhni produkte kozmetike natyrale, më mirë do të ishin ato biologjike dhe pa substanca të dëmshme dhe agresive për lëkurën.

Flokët

  1. USHQEHUNI SHËNDETSHËM

Si gjithmonë e dimë se bukuria nis së brendshmi dhe nëse gjatë pushimeve e keni tepruar me ushqime jo të shëndetshme, për të pasur sërish flokë të mrekullueshëm është e rëndësishme të ndiqni një dietë të ekuilibruar dhe të pasur me ushqyes.

Ekzistojnë disa ushqime që i bëjnë mirë shëndetit të flokëve: ato të pasura me Omega 3, si salmoni, farat e linit ose arrat dhe ushqimet që përmbajnë acid folik ose vitaminë B9, si asparagët, portokallet, brokoli, etj.

  1. MOS ABUZONI ME TRAJTIMET DHE PRODUKET

Gjëja e parë që na vjen në mend kur flokët janë të dëmtuar është të përdorim një sërë produktesh e vajrash të ndryshme për të përmirësuar situatën. Si fillim mund të jetë zgjedhja më e shpejtë. Sidoqoftë kujdesuni vazhdimisht për flokët, me durim. Për të njëjtën arsye, kur flokët janë shumë të stresuar, zgjidhni një shampo delikate ose një mënyrë inovative për të larë flokët.

  1. HIDRATIMI ËSHTË SEKRETI

Kur përdorni trajtime hidratuese, balsam, maska ose serume, përqendrohuni vetëm në zonat më të thata dhe pa shkëlqim, kryesisht majat e flokëve, pasi rrënjat janë më të shëndetshme dhe duke i hidratuar shumë rrezikoni të merrni efektin e kundërt.

Në fund të verës gjëja më e mirë që duhet të bëni është të zgjidhni produkte dhe trajtime që nuk duan shpëlarje, pasi shërbejnë që të ruani të paprekur tonalitetin e flokëve.

  1. HIQNI DORË NGA LLASTIQET DHE PRODUKTET E STILIMIT TË FLOKËVE

Në fazën e “rigjenerimit” mundohuni që për njëfarë periudhe të eliminoni krejtësisht përdorimin e kapëseve, llastiqeve, aksesorëve dhe produkteve për stilimin e flokëve. Nëse keni mundësi, mos përdorni tharësen e flokëve. Në këtë mënyrë, duke eliminuar nxehtësinë dhe duke ndjekur të gjitha rregullat e mësipërme, në pak kohë do të merrni rezultate të shkëlqyera dhe të kënaqshme.

 

 

 

Përgatiti: Manjola EREQI | Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 159

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
[email protected] / Cel: 0684022192
[email protected] / Cel: 0688019400

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top