FB

October 21, 2021 | 8:10

Nga Edmond Tupja / Me një sy pozitiv         

Shpesh ndodhemi në mëdyshje, për të mos thënë në dilemë, kur na nevojitet të vlerësojmë dukuri me të cilat përballemi në jetën e përditshme, sigurisht dukuri që do të ndikojnë në vendimet, zgjedhjet e sjelljet tona. Në këtë drejtim, rëndësi të veçantë merr mënyra si do t’i këqyrim ato dukuri: Me një sy negativ apo pozitiv?

Lidhur me këtë, mbaj mend, qysh nga koha e adoleshencës sime, një përrallë ku bëhej fjalë për një burrë të ri që kërkonte një vend për të ndërtuar shtëpinë e tij. Pasi u end gjatë nëpër kodrina, ai ndaloi diku pranë një burimi dhe, pasi shoi etjen, pyeti një burrë të moçëm që ruante delet: “A bëj keq sikur të ndërtoj këtu rrotull një shtëpi për vete e për familjen time?”. Përgjigjja e tjetrit qe e menjëhershme dhe lakonike: “Po, keq do të bësh”, kështu që, duke parë se dita po thyhej, ai u kthye në hanin ku buante me gjithë familjen. Të nesërmen u nis sërish në të njëjtin drejtim dhe rastësia deshi që të takonte të njëjtin bari, të cilit, pasi e përshëndeti, i bëri të njëjtën pyetje si para një dite, por me një ndryshim të vogël: “A bëj mirë sikur të ndërtoj këtu rrotull një shtëpi për vete e për familjen time?”. Bariu buzëqeshi dhe iu përgjigj: “Po, mirë do të bësh”. Tjetri, disi i befasuar, por i gëzuar, e pyeti sërish: “Po pse dje ma preve shpresën me përgjigjen tënde, kurse sot ma ringjalle?”. Bariu vuri buzën në gaz dhe iu përgjigj: “Sepse dje e nise me ‘keq’, kurse sot me ‘mirë’”.

Morali i fabulës është se ia vlen t’i kundrosh pozitivisht dukuritë me ndikim në jetën e njeriut, qoftë edhe thjesht për ta lehtësuar stresin në rast se të dështojnë përpjekjet për të arritur qëllimin tënd. Nga ana tjetër, rëndësinë e të kundruarit me pozitivitet, qoftë edhe minimal, të dukurive negative me të cilat përballet njeriu, e nënvizojnë edhe disa fjalë të urta të popullit tonë si, për shembull, “E keqja nuk ka fund” “Gjysma e së keqes!” dhe “Jo çdo e keqe vjen për të keqe”.

Nga pikëpamja filozofike, duhet përmendur fakti se tek njeriu si krijesë jo vetëm e natyrës, por edhe e shoqërisë (për agnosticistët e ateistët) apo e Perëndisë (për besimtarët e të gjitha feve), e mira dhe e keqja bashkëjetojnë në mënyrë të pandashme njësoj si nata me ditën, si e moralshmja me të pamoralshmen, si dashuria me urrejtjen, si e bukura me të shëmtuarën etj., etj., pa harruar shndërrimin dialektik të një vlere njerëzore në të kundërtën e saj, çka e konfirmon tërthorazi edhe ligji i Lavuazjerit, sipas të cilit asgjë nuk humbet, asgjë nuk fitohet, gjithçka transformohet.

Së fundi, nga pikëpamja psikologjike, duhet besuar se në një moment të dhënë, pasi kemi pësuar një humbje a disfatë, diçka do të ndodhë që do ta zbusë sadopak stresin tonë duke bërë madje njëfarë kompensimi (jo thjesht në rrafshin material, por edhe në atë shpirtëror) deri në atë pikë sa, personalisht, kur më ndodh diçka negative, e ndiej se ka mundësi që, pas ca kohësh, të më ndodhë diçka pozitive dhe se, anasjelltas, kur më ndodh diçka pozitive, nuk e përjashtoj mundësinë që, pas ca kohësh, të më ndodhë diçka negative. Për këtë arsye, thuajse gjithmonë e vazhdimisht, përpiqem t’i analizoj deri diku me një sy pozitiv dukuritë që ndikojnë dukshëm në jetën time.

 

 

Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 161

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
[email protected] / Cel: 0684022192
[email protected] / Cel: 0688019400

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top